Presioni i turizmit masiv po nxit ndërtimet pa leje në Gjirokastër

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës po përjeton një valë të re ndërtimesh pa leje, të nxitura nga kërkesat e larta për shtretër dhe shërbime turistike. Vetëm në pesë vitet e fundit janë regjistruar 33 ndërhyrje pa leje në lagjet historike, duke tjetërsuar banesat Monument Kulture. Megjithatë në shumicën e rasteve prokuroria nuk i ka nisur ose i ka pushuar hetimet. 

Pasi kalon disa kthesa të befta dhe mbërrin në Sheshin Çerçiz Topulli të Gjirokastrës, shfaqet menjëherë hija e rëndë e banesave shekullore prej guri, të vendosura njëra mbi tjetrën.

Pas disa vështrimeve të shpejta, qyteti pjesë e trashëgimisë botërore ngjason me një kantier ndërtimi. Çerçizin e kanë zhvendosur prej kohësh prej aty, për t’ja rikthyer shtatoren kur të përfundojnë punimet.

Pas pluhurit dhe zhurmës për ndërtimin e sheshit të ri, të parkimit nëntokësor dhe të “bypass”-it, fshihen edhe ndërhyrjet private për krijimin e hapësirave të reja, nxitur nga kërkesa e lartë e turistëve për të vizituar Gjirokastrën përgjatë muajve të ngrohtë.

Promovimi si një prej destinacioneve më tërheqëse turistike ka shtuar presionin për më shumë shtretër. Lagjet historike të qytetit po përballen me një tjetër valë ndërtimesh pa leje që po transformojnë dhe po dëmtojnë banesat karakteristike.

“Ajo që bie në sy janë soletat që janë të dëmshme për zonën, sepse nuk është vetëm banesa, por edhe harmonia me peizazhin”, tregoi arkitekti Agron Doraci.

Vetëm në pesë vitet e fundit institucionet e kulturës kanë identifikuar 33 raste të ndërhyrjeve të paligjshme brenda lagjeve historike, duke sjellë ndërtime që dhunshëm cenojnë banesat monument kulture dhe peizazhin e mbrojtur nga UNESCO. 

Ndërsa prokuroria regjistroi në vitet e fundit 62 raste të ndërtimeve pa leje brenda lagjeve historike, shumica e përgjegjësve mundën t’ja hedhin pa u dënuar, duke ekspozuar pandëshkueshmërinë e autorëve.

Presioni për më shumë shtretër po nxit ndërtimet pa leje

Kalaja e Gjirokastrës vitin e kaluar përgjatë muajve janar-gusht u vizitua nga gati 141 mijë vizitorë, 67% më shumë se një vit më parë. Ky trend rritës dëshmon interesin e shtuar të vizitorëve për qytetin e gurtë, i cili nga ana tjetër është i kufizuar në mundësitë për të pritur masivisht turistë.

Në prag të pritjes së një sezoni turistik të suksesshëm, në rrugicat e kalldrëmta syri të zë më shumë rrjeta punimesh në fasada, dritare prej alumini, shtesa solte, beton, një pamje që megjithëse nuk ka asnjë lidhje me qytetin mesjetar është bërë pjesë e tij. 

Banesë në rikonstruksion në lagjet historike të Gjirokastrës. Foto: Media Amfora

Ky trend i ndërhyrjeve pa leje është rikthyer pas disa momenteve të ngjashme në historinë e qytetit, i nxitur nga nevoja për më shumë struktura akomoduese dhe shërbime ndaj turizmit masiv. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Gjirokastër vetëm në 5 vitet e fundit ka identifikuar dhjetra raste që kanë cenuar zonën historike.

“Në pesë vitet e fundit Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Gjirokastrës ka regjistruar 33 ndërtime pa leje në zonat muzeale”, shpjegoi autoriteti vendor i trashëgimisë në një përgjigje zyrtare.

“Në katër-pesë vitet e fundit janë rritur kërkesat për zgjerim. Turizmi po nxit ndërhyrjet pa leje në Gjirokastër”, shpjegoi Ardis Duka, drejtori i DRTK Gjirokastër. 

Amfora mësoi se ky numër është edhe më i lartë për një periudhë më të gjerë. 62 çështje janë regjistruar në Prokurorinë e Gjirokastrës për ndërhyrje ndërtimore pa leje në lagjet që janë brenda zonës historike.

Ndërhyrjet pa leje në strukturat e banesave karakteristike nuk janë fokusuar vetëm në shtimin e hapësirave së jashtmi, por një pjesë e tyre prishin katet e brendshme me qëllim fitimin e volumeve dhe banesat që së brendshmi kishin 3 kate mund të shndërrohen në 4 kate, duke humbur të gjitha elementet karakteristike.

“Vitet e fundit mund të themi që ndëhyrja ka marrë më shumë drejtim në interiorin [pjesën e brendshme, arredimin] e objekteve që po adoptohen në ‘Airbnb’ [banesa që jepen me qira me dhoma ose tërësisht] duke parë dhe nevojat për turizëm”, analizoi inxhinieri Nikolla Vesho.

Për të ndërhyrjet në banesat që janë Monumente Kulture të Kategorisë së Dytë mund të realizohen më lehtësisht, por gjithmonë bazuar në studimin paraprak të tyre dhe restaurimin mbi një projekt që ruan dhe nuk dëmton karakteristikat e tij. 

“Nuk lejohen shtimet e kateve, shtesat anësore, madje në objektet e kategorisë së parë nuk lejohet ndërhyrja, as në ndërrimin e një dritareje nga me kornizë druri, në kornizë alumini”, theksoi Vesho, lektor në lëndën e “Restaurimit”.

Viktor Nurçe, është artizan që punon prej vitesh me mjeshtërinë e drurit në Gjirokastër. Ai ka përcjellë ndër dekada shqetësimet për dëmtimin e elemtenteve karakteristike të banesave të qytetit, çështje të cilat tashmë i diskuton edhe në Këshillin Bashkiak, të cilit i është bashkuar si anëtar.

Viktor Nurçe në punishten e tij në Pazarin e Vjetër te Gjirokastrës. Foto: Media Amfora

Nurçe ka kaluar në duart e tij shumë prej elementeve dekorues prej druri në banesat gjirokastrite, duke i restauruar apo duke i krijuar prej fillimit. Ai evidenton se blerja e banesave nga sipërmarrës që kanë për qëllim turizmin ka sjellë edhe një ngutje në marrjen e fitimit, duke maksimalizuar përdorimin e hapësirës. 

“Pronarët e rinj kanë tendencë për të bërë më shumë dhoma, pa menduar për humbjet e vlerave”, evidentoi mjeshtri i drurit.

Amfora numëroi në listën e Monuemtneve të Kulturës së paku 63 banesa të shpërndara në lagjet historike, të cilat kanë statusin e Monumentit të Kulturës të Kategorisë së Parë, ndërsa 324 banesa kanë statusin Monument Kulture i Kategorisë së Dytë. 

Ardis Duka i ndau ndërhyrjet pa leje në Gjirokastër në tri faza, atë të vitit 1990, 1997 dhe në 5 vitet e fundit. Kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Gjirokastër e evidentoi si një sfidë ndalimin e ndërhyrjeve pa leje dhe detyrimin e pronarëve që t’i rikthejnë objektet në gjendjen fillestare. 

“Së bashku me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit janë vendosur gjoba sepse kishin marrë leje për restaurim, por nuk e kishin zbatuar projektin dhe i është kërkuar që të kthejnë objektin në gjendjen e mëparshme”, shpjegoi Duka.

“Pas vitit 1990 kemi ndërhyrje me shtesa, përforcime të gabuara, duke hequr shumë elementë dekorativë, të cilat kanë lënë gjurmën e tyre në objektet muzeale të Gjirokastrës”, analizoi inxhinieri Nikolla Vesho. 

Qyteti i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO që prej vitit 2005 është një nga shembujt e paktë të mbetur në Ballkan si qytet tregtar i stilit osman dhe që ruan ende tiparet mesjetare. 

Për “arkitektin veteran”, Agron Doraci, problemi i ndërhyrjeve pa leje është sa i vjetër aq edhe aktual. Sipas tij ai lidhet me nevojat që kanë banesat për tu përshtatur me zhvillimet moderne. 

Agron Doraci në Odën e Miqve në Muzeun e Shtëpisë Kadare, të cilin e ka restauruar më herët. Foto: Media Amfora

“Duke nisur që nga nyjet sanitare dhe probleme të tjera funksionale, janë shqetësimet me të cilat përballen sot banorët e Gjirokastrës, në zonat muzeale”, shpjegoi Agron Doraci për Median Amfora.  

“Gjirokastritët sa nga halli, sa nga mosnjohja kanë bërë deformime të banesave. Ata janë përpjekur që të ruajnë banesën së jashmti dhe ta përshtasin së brendshmi me jetën e re”, analizoi Doraci.

Ndërhyrjet pa leje mbeten të pandëshkuara

Pas shkurtit të vitit 2015 të gjithë personat do të ndërtonin pa leje do të përballeshin me burgim nga 2 deri në 8 vite burg, një masë e ashpër kjo që synonte të zmbrapste ndërhyrjet e pakontrolluara në territor.

Megjithatë kjo masë e fortë nuk duket sa ka ndikuar në reduktimin e ndjeshëm të ndërtimeve pa leje në Gjirokastër dhe shumica e shkelësve ja kanë hedhur pa u dërguar për gjykim.

Media Amfora mësoi nga Prokuroria e Gjirokastrës se nga 202 kallzime penale të regjistruara në periudhën 2013-2023 për ndërtimet pa leje, 62 prej tyre ishin regjistruar në zonën muzeale të qytetit të gurtë.  

“Nga 202 kallzime, rezulton se 62 çështje referohen nga zonat muzeale, ku bëjnë pjesë lagjet ‘Palorto’, ’11 Janari’, ‘Qafa e Pazarit’ dhe ‘Pazari i vjetër'”, u përgjigj zyrtarisht Prokuroria e Gjirokastrës.     

Megjithatë më shumë se gjysma e autorëve të këtyre ndërhyrjeve kanë mundur të mos përballen asnjë ditë me drejtësinë, teksa edhe ata që janë hetuar në pjesën më të madhe kanë mundur t’i shmangen gjykimit.

“Nga 62 çështje të referuara, rezulton se 32 çështje janë të mosfilluara, 11 çështje janë të pushuara, 0 çështje janë të pezulluara, 9 çështje janë dërguar për gjykim, nga të cilat 2 janë me marrëveshje për Miratim Marrëveshje Fajësie, 1 çështje është transferuar në prokurori tjetër dhe 9 çështje rezultojnë nën hetim”, sqaroi Prokuroria e Gjirokastrës. 

Grafikë ilustruese për statusin e hetimeve të Prokurorisë së Gjirokastrës. Përgatiti: Media Amfora

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër shpjegoi zyrtarisht se 15 objekte me status “Monument Kulture” rezultojnë të tjetërsuara. Ndërhyrjet pa leje mund të rrezikojnë që objekti të tjetërsohet deri në pikën që i humbet edhe vlerat për të qenë monument kulture.

Përgjatë vitit 2023 Prokuroria e Gjirokastrës regjistroi 14 kallëzime penale për ndërtimet pa leje dhe për gjysmën prej tyre nuk i nisi hetimet. Ndër to kishte raste të ndërtimeve pa leje në “zemër” të zonës historike, në “Qafën e Pazarit” dhe në “Pazarin e vjetër”, të cilat nuk u hetuan.

Artizani Viktor Nurçe është ndër të paktët mjeshtra të mbetur në qytetin e gurtë që përveçse vazhdon të mbajë gjallë traditën e krijimeve me dru, punon edhe në restaurimin e banesave. Ai vijon me punën bindëse me trashëgimtarët dhe me blerësit e rinj që të ruajnë maksimalisht banesat, duke i restauruar në vend që t’i rindërtojnë pjesërisht ose plotësisht.

“Që ta ruajnë një objekt duhet ta njohin dhe jo të gjithë pronarët i njohin objektet e tyre, pasi janë trashëgimtarë ose blerës”, rrëfeu Nurçe. 

Për të problemi i ndërtimeve pa leje është një nga plagët më të mëdhaja që ka pasur dhe ka qyteti që dominohet nga banesat madhështore të skalitura me gurë.

“Është bërë një masakër me ndërtimet. Shikon modelin e një vile në mes të zonës historike”, tregoi me shqetësim artizani 55 vjeçar.

Qyteti i plakur, përballë turistëve të rinj 

Ndërhyrja e qeverisë për rikonstruksionin e Sheshit Çerçiz Topulli, ndërtimi i parkimit nëntokësor dhe ndërtimi i “bypass”-it të Gjirokastrës, megjithëse janë pritur me kritika sipas autoriteteve synojnë të shtojnë kapacitetet e qytetit të plakur përballë flukseve të turistëve.

Por në lagjet historike banesat lëngojnë nga plagët e pronësisë, ku shumë pronarë trashëgimtarë nuk dakordësohen për restaurimin e kujtimeve të të parëve, të tjerë blerës të rinj ndërtojnë pa respektuar kriteret dhe erozioni e rrëshqitjet e dherave nga ana tjetër kanë shtuar pirgun e problemve të menaxhimit të qytetit.

Kompleksi i banimit të Agonatëve në Lagjen Palorto po degradohet. Foto: Media Amfora

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër shpjegoi zyrtarisht se 30 objekte të trashëgimisë kulturore janë “në gjendje të pranueshme”, por kanë nevojë për restaurim.

Skicë e “Banesës së Agonatëve”, Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Përpunoi: Ark. Mikel Nushi

“Monumente që janë gjendje të mirë dhe në nevojë për një mirëmbajtje të vazhdushme, janë 50 objekte”, evidentoi më tej përgjigja zyrtare e DRTK Gjirokastër.

Arkitekti Agron Doraci analizoi se në vitet e fundit Gjirokastra ka humbur një pjesë jo të papërfillshme të banesave monument kulture, e nxitur kjo edhe nga rritja e kostove të restaurimit.

“Në 30 vitet e fundit 25% e banesave në Gjirokastër janë rrënuar”, komentoi Doraci.

“Shteti duhet të investojë sepse vetë qytetarët e kanë të vështirë, pasi lënda e lisit është 3 fish më e shtrenjtë se e pishës”, shtoi ai.

Kompleksi Tregtar  i “ Zigait”, me stil unik të viteve’ 30 po degradohet. Foto: Media Amfora

Restaurimi cilësor sipas ekspertëve kërkon materiale origjinale për tipologjinë e banesave gjirokastrite, por të cilat kushtojnë në raport me kohën e punës dhe çmimet e sotme të tregut.

Skicë e Kompleksit Tregtar të Zigait, në Pazarin e Vjetër. Përpunoi: Ark. Mikel Nushi

Qyteti përveç plakjes së banesave po përjeton të njëjtin fenomen edhe në raport me popullsinë. Në vitin 2020 sipas Institutit të Statistikave qarku me numrin më të madh të përfituesve të pensioneve për 1000 banorë ishte Gjirokastra, duke ekspozuar sfidat e sektorit të shërbimeve turistike.

E ndërsa e gjithë vëmendja po përqendrohet tek rritja e fitimeve nëpërmjet turizmit dhe shifrat që promovohen për rritjen e numrit të vizitorëve, ndërhyrjet e paligjshme po tolerohen në heshtje nga autoritetet ligjzbatuese dhe ato të mbrojtjes së territorit.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109