Presione dhe shkelje, Shoqëria Civile kërkon hetime të paanshme për zgjedhjet
Organizatat e Shoqërisë Civile që monitoruan procesin zgjedhor të 11 majit gjetën shkelje administrative dhe ligjore. Në një deklaratë të përbashkët ato raportuan për presione dhe cenim të rendit publik, duke apeluar për hetime të menjëhershme dhe të paanshme nga organet e drejtësisë.

Organizatat e përfshira në deklaratë. Foto kortezie nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Shkelje të heshtjes zgjedhore, presioni nga vëzhguesit partiakë, probleme me rendin publik dhe deri tek gjuha denigruese e përdorur, ishin disa nga shkeljet e hasura nga vëzhguesit e shoqërisë civile në 17 bashki të vendit, të cilat u prezantuan 24 orë pas zgjedhjeve në vendin tonë.
“U shënuan raste ku vëzhgues partiakë udhëzonin votuesit, mbanin shënime për ata që votuan dhe bashkëpunonin me komisionerët, në kundërshtim me ligjin”, shkruhet në raportin e publikuar.
Përmes 60 vëzhguesve në terren në 17 bashki të vendit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qëndresa Qytetare dhe Instituti i Studimeve Politike vëzhguan procesin e zgjedhjeve në vend, gjetje të cilat i prezantuan mesditën e së hënës.
“U raportuan postime propaganduese në rrjete sociale, billboard-e dhe zyra elektorale të hapura në kundërshtim me ligjin, pa ndërhyrje në kohë nga institucionet përgjegjëse”, vijoi deklarata e organizatave.
Ato thanë se hasën probleme me rendin publik, tensione dhe përplasje në disa Qendra Votimi, me polarizimin mes komisionerëve dhe përfaqësuesve politikë, deri në përfshirjen e forcave të rendit në disa raste. Sipas vëzhguesve nga terreni në këto zgjedhje mosndërgjegjësim i votuesve ishte i lartë.
“Qytetarë të painformuar mbi mënyrën e votimit, se si të plotësojnë fletën apo ta hedhin në kuti, çka tregon për mungesë edukimi zgjedhor efektiv”, shpjegoi deklarata.
Duke u ndalur tek fushata zgjedhore, raportuesit hasën me fushata denigruese dhe gjuhë urrejtjeje.
“Mungesë e theksuar e përqendrimit te programet politike dhe përdorim i gjuhës përçarëse nga liderët partiakë, duke ulur besimin qytetar tek procesi”, shpjegohet në deklartë.
Shitblerja e votës dhe pasiviteti institucional, është një nga problematikat e tjera që duket se ka shoqëruar procesin.
“177 kallëzime penale, por pjesa më e madhe nisur nga institucionet dhe shumë pak nga qytetarët, frika, mungesa e besimit dhe reagimi i vakët institucional mbeten problem”, theksoi raporti.
Po kështu, janë vërejtur sipas vëzhguesve mangësi në administrimin dhe numërimin e votave.
“Probleme teknike me pajisjet e identifikimit elektronik, trajnim i pamjaftueshëm i numëruesve dhe mungesa të dokumentacionit bazë që vonuan procesin”, vijoi raporti.
Për të gjitha këto shkelje shoqëria civile theksoi se kërkojnë me forcë hetime të menjëhershme, të paanshme dhe proaktive nga organet e drejtësisë. Vendi ynë zhvilloi ditën e dielë zgjedhjet më të rëndësishme parlamentare që pas viteve ’90, pasi për herë të parë një parti qeveris për më shumë se 3 mandate.
Përfshirja e krimit të organizuar ishte një tjetër fenomen që u konstatua edhe në këto zgjedhje, për të cilat Media Amfora raportoi për Qendrat e Votimit në Spitallë, Ish-Kënetë, Shkozët dhe Sukth, pjesë e Bashkisë Durrës.
Në nivel kombëtar në garë për 140 ulëset e Kuvendit janë 2046 kandidatë, nga të cilët 1259 burra (61.53%) dhe 787 gra (38.47%), në listat e 11 subjekteve zgjedhore, 3 koalicione dhe 8 parti, që garojnë në këto zgjedhje. Risia e këtyre zgjedhjeve është vota e diasporës, nga e cila 245.935 votues janë regjistruar për të votuar me postë.