Policimi me të rinjtë në rrezik: Një qasje e re për parandalimin dhe ndërtimin e besimit
29 efektivë policie nga e gjithë Shqipëria u trajnuan në Tiranë për të ndihmuar të rinjtë në rrezik dhe jo për t’i ndëshkuar, duke parandaluar në fazat e hershme kriminalizimin e tyre. Me fokus tek modeli gjerman i mentorimit, trajnimi theksoi ndërhyrjen përmes ndërtimit të besimit dhe komunikimit.

Policia e Shtetit gjatë një proteste. Foto: Media Amfora
Në një kohë kur marrëdhënia mes të rinjve dhe autoriteteve shpesh karakterizohet nga mosbesimi, një grup efektivësh të Policisë së Shtetit u mblodhën në Tiranë kësaj here jo për të patrulluar, por për të dëgjuar dhe mësuar, me qëllim ndryshimin e qasjes së tyre.
Teksa ngjarje të shënuara në të gjithë vendin këtë verë po ekspozojnë kriminalitetin tek të rinjtë, duke nisur nga përleshjet fizike dhe deri tek trafikimi i lëndëve narkotike – 29 punonjës policie nga e gjithë Shqipëria u bënë bashkë për të punuar të ndarë në grupe, me qëllim forcimin e bashkëpunimit midis tyre.
Qëllimi i tyre ishte të kuptonin shkaqet kryesore që i tërheqin të rinjtë drejt kriminalitetit dhe si t’i parandalojnë ato me empati, duke zëvendësuar përdorimin e forcës me këshillimin dhe zbutjen e konflikteve sociale që kanë në epiqendër moshat e reja të komuniteteve lokale.
“Ky trajnim më ndryshoi mënyrën e të menduarit”, komentoi një oficer policia nga Vlora, duke mos dashur të identifikohej në artikull. “Kam vite që merrem me pasojat, por sot kuptova sesa rëndësi ka të merresh me shkaqet”, shtoi ai me zë të ulët, në dukje i surprizuar nga konstatimi.
Trajnimi i titulluar “Fuqizimi i angazhimit të policisë me të rinj në rrezik – praktikat më të mira dhe modelet Evropiane”, u organizua nga Nisma për Ndryshim Shoqëror (ARSIS), si pjesë e projektit rajonal të mbështetur nga “SMART Balkans” – Ndërsa mësimet që dolën nga këto dy ditë ishin shumë më të thella sesa një plan pune standard.
Efektivë me përvojë pune në terren u ftuan të reflektonin mbi eksperiencat e tyre dhe të sfidonin qasjet tradicionale të ndëshkimit. Përmes ushtrimeve “role-play”, analizave të rasteve dhe skenarëve praktikë, ata u përballën me pyetjen thelbësore, “Si mund të jemi mbështetës dhe jo vetëm ndëshkues?!”.
Në qendër të trajnimit qëndroi modeli gjerman “Kurve Kriegen”, sipas të cilit punonjësit e policisë shndërrohen në mentorë për të rinjtë në rrezik, duke i ndihmuar që të shmangin rrugën e krimit përmes marrëdhënieve të vazhdueshme dhe mbështetëse.
Koncepti përqendrohet në ndihmën e hershme dhe jo në ndëshkimin e vonë, me parimin se asnjë fëmijë nuk lind si shkelës i ligjit, por ai devijon përgjatë jetës për shkak të një zhvillimi në drejtimin e gabuar.
Përballë sfidave me të cilat përballet Policia e Shtetit, një prej vlerësimeve ishte sesa është i zbatueshëm ky model në Shqipëri. “Sigurisht që duhet përshtatur”, komentoi një punonjëse policie nga Shkodra. “Por parimi është i fuqishëm sepse është njerëzor. Po flasim për fëmijë, jo për kriminelë”, shtoi ajo për këtë model të parandalimit të kriminalizimit të të rinjve.

Oficerët e policies gjatë diskutimeve ndanë vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë, si mungesa e strukturave të specializuara, mbingarkesa në detyra, mungesa e psikologëve gjatë ndërhyrjeve me të mitur dhe bashkëpunimin e dobët ndërinstitucional, ishin ndër shqetësimet kryesore të oficerëve të policisë.
“Na kërkohet që të jemi hetues, prindër dhe psikologë – të gjitha në një”, shpjegoi një tjetër pjesëmarrës në trajnim. “Por nuk kemi asnjë nga mbështetjet që duhen për këtë punë, si do t’i realizojmë detyrat?!”, shtoi oficeri.
Një tjetër pjesëmarrës foli për perceptimin në komunitet. “Publiku na sheh vetëm kur ndodh një ngjarje. Duhet ta ndryshojmë këtë, që ata të na shohin edhe si partnerë në komunitet”, shtoi burri.
Rezultatet e vlerësimeve para dhe pas trajnimit treguan përmirësim të ndjeshëm në njohuritë dhe vetëbesimin, veçanërisht mbi konceptin e reziliencës, komunikimin me të rinjtë dhe qasjet komunitare. Mbi 90% e pjesëmarrësve e vlerësuan trajnimin si shumë të dobishëm.
Trajnimi i zhvilluar në Tiranë ishte pjesë e një nisme më të gjerë rajonale, që përfshin Malin e Zi dhe Serbinë. Deri më tani janë trajnuar mbi 65 efektivë policie, në përpjekje për të ndërtuar një rrjet ekspertësh që punojnë me të rinjtë në mënyrë parandaluese dhe më të dedikuar.
Ky aktivitet ishte pjesë e projektit “Ndërtimi i qëndresës së të rinjve ndaj aktivitetit kriminal”, i zbatuar nga Juventas (Mali i Zi), “Qendra për të Drejtat e Njeriut në Beograd” (Serbi) dhe Nisma ARSIS (Shqipëri), me mbështetje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, përmes programit SMART Balkans.
Në përfundim të trajnimit shumë oficerë ngritën rekomandime konkrete, si krijimin e strukturave më të dedikuara për të miturit brenda Policisë së Shtetit, futjen e mentorimit dhe supervizimit profesional për oficerët, trajnime të rregullta mbi qasjet parandaluese dhe të ndjeshme ndaj traumës, por edhe rritjen e bashkëpunimit me shkollat, shërbimet sociale dhe organizatat e shoqërisë civile.
“Nëse vetëm një adoleshent ndryshon rrugën e jetës ngaqë unë e trajtova me respekt, atëherë gjithçka që mësuam këtu ka vlerë”, shpjegoi një prej oficerëve pjesëmarrës. Qëllimi i nismës ishte krijimi i aftësive për të shndërruar uniformën e policisë në urë bashkëpunimi dhe për të treguar se parandalimi fillon me besim dhe jo me frikë.