Policia ndërpret aktivitetin e Televizionit News 24, kërkon lirimin e ndërtesës

Policia e Shtetit rrethoi herët në mëngjesin e së shtunës mjediset e televizionit informativ News 24 në Tiranë, duke mos lejuar futjen e punonjësve në institucion dhe solli fikjen e sinjalit të transmetimit pas ndërprerjes së energjisë. Organizatat e medias në vend dhe gazetarët i dënuan veprimet si arbitrare dhe cenuese të lirisë së shprehjes.

Mëngjesin e së shtunës uniformat blu të Policisë së Shtetit mbërritën në mjediset e televizonit informativ News 24, që ndodhet në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në lagjen Shkozë në Tiranë, duke kërkuar largimin e gazetarëve dhe zbrazjen e ndërtesës.

Gazeta Panorama përmes faqes në internet shpërndahu e para lajmin se Policia e Shtetit po ndalonte futjen e gazetarëve në ndërtesën e televizonit informativ News 24. 

Sipas saj efektivë të policisë kërkuan lirimin e ambienteve, ku aktualisht ndodhen redaksitë e mediave News 24, Balkanweb, Gazetës Panorama dhe Gazeta Shqiptare – pjesë e të njëjtit grup mediatik, për t’ia transferuar ndërtesat kompanisë shtetërore “KAYO”.  

Po sipas gazetës Panorama u bë me dije se në mjediset e televizionit është prerë energjia elektrike dhe si rrjedhojë në orën 07:36, u ndërpre sinjali i Televizionit News 24.

Për këtë ngjarje kanë reaguar menjëherë organizatat në mbrojtje të medias në vend. Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetin social Facebook, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) u shpreh i shqetësuar për veprimet e Policisë së Shtetit.

“Ky veprim alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut,” shkruan AGSH në një postim të shpërndarë pak pas ngjarjes. 

Edhe rrjeti “SafeJournalists” në Shqipëri shprehu shqetësimin për pengimin e hyrjes në zyrat e News24, Balkanweb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.  

“Ky pengim kufizon qasjen e gazetarëve në redaksitë e tyre dhe pengon aftësinë e tyre për të punuar. Veprime të tilla rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e medias”, shkroi rrjeti në një postim në rrjetet sociale.  

Sipas postimit organizata në mbrojtje të medias po ndjek nga afër situatën dhe do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet.

Për AGSH ndërhyrje të tilla që pengojnë punën e gazetarëve përbëjnë një akt të papranueshëm mbi median e lirë.

“Ndërhyrja e policisë, që pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë,” theksoi organizata.

Sipas informacioneve të para në lidhje me ngjarjen Policia e Shtetit po kërkon e lirimin e mjediseve ku ndodhen redaksitë e News 24 Balkanweb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, për t’iatransferuar kompanisë shtetërore “KAYO”.  

Ajo është një kompani shtetërore e prodhimit dhe tregtimit të armëve, e themeluar në vitin 2024. Më 12 mars të këtij viti, qeveria miratoi një vendim që i kalon pronësinë e ish-Uzinës së Autotraktorëve kompanisë KAYO. Ndërsa News 24 është qiramarrës afatgjatë në ish-Uzinën e Autotraktorëve.

Policia e Shtetit ende nuk ka bërë publike detaje në lidhje me ngjarjen, e cila ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik. Dhjetëra mesazhe në mbështetje të gazetarëve të News 24 janë postuar në rrjetet sociale nga kolegë, përfaqësues organizatash, të opozitës, por edhe qytetarë.

News 24 ishte kanali i parë televiziv shqiptar që transmeton lajme 24 orë dhe nisi transmetimin në vitin 2002.