Piktori Fatmir Vasjari hapi ekspozitën personale kushtuar portretit në Durrës

Piktori nga Durrësi, Fatmir Vasjari, prezantoi për publikun ekspoziten e katërt personale. Ajo i solli publikut portrete realiste të emrave të njohur për qytetin dhe do të qëndrojë e hapur për të pritur publikun për disa ditë.

Galeria Nikolet Vasia hapi dyert për publikun të martën për ekspozitën personale me portrete të piktorit Fatmir Vasjarit. Miqtë e galerisë dhe të piktorit, të apasionuar pas artit të ngjyrave, drejtues të institucioneve të kulturës ishin prezentë në çeljen e kësaj ekspozite.

Ekspozita përmbante 80 portrete që autori ka realizuar në teknikën e vajit, ku kishte foksuar miq të tij, familjarë, figura me emër të qytetit, por dhe njerëz të thjeshtë.  Ndër portretet e realizuara ishin ato të Moikom Zeqo, Mirush Kabashi, por edhe portretetE të familjarëve të Vasjarit.

Vetë autori e vlerësoi hapjen e kësaj ekspozitë si një mundësi për tu shprehur nëpërmjet personazheve, për t’i ngulitur përjetë në artin e pikturës.

“Janë afërsisht tre vite krijmtari artistike në këtë ekspozitë. Prezantohem këtë herë me portrete të familjarëve të mi, njerëz të njohur të qytetit”, u shpreh artisti në çelje të kësaj ngjarje kulturore.

Autori i ka realizuar veprat e kësaj ekspozite përgjatë viteve 2023-2025, duke sjellë dritë dhe jetë nga portretet njerëzore. Mes tyre has buzëqeshje të dlira fëmijësh, portrete ku mbizotërojnë thinjat e viteve të jetës, apo emocione çasti të shprehive të sjella bukur në telajo.

Fatmir Vasjari synon të sjellë në vjeshtën e këtij viti ekspozitën e radhës, në të cilën do të ekspozojë krijimtarinë e fokusuar në natyrën e qetë të peizazhit.

Për Shpendi Topollaj, mik i Vasjarit kjo ekspozitë është një dëshmi më shumë e pasionit dhe përkushtimit të tij ndaj artit dhe qytetit.

“Kjo ekspozitë tregon se sa i lidhur është artisti me qytetin me njerëzit e tij dhe këtë herë ai ka gjetur këtë formë për tu prezantuar duke sjellë portetet e shumë personaliteteve, por dhe njerëzve të thjeshtë”, u shpreh Topollaj rreth ekspozitës.

Ekspozita e hapur të martën tërhoqi vëmendjen e publikut, ndërsa do të qëndrojë e hapur për disa ditë.