“Peshkatari”, skulptura që vuan nga vandalizimi

Një nga veprat simbolike të qytetit të Durrësit, skulptura urbane “Peshkatari” është dëmtuar sërish. Nuk është hera e parë që veprat e artit dhe trashëgimisë kulturore bien pre e dëmtimeve, por autoritetet nuk po marrin ende masa mbrojtëse për to megjithëse rastet po përsëriten.

Statuja ‘Peshkatari” është dëmtuar së fundmi edhe pse vetëm pak kohë më parë u rivendos e restauruar pasi ra pre e shkatërrimit.  Amfora fotografoi veprën të enjten ku konstatoi se skulptura e “Peshkatarit” është dëmtuar në pjesën e kallamit që ndodhet në duartë e veprës simbolike.

Nuk është hera e parë që skulptura e ‘Peshkatarit” që ka në qendër të veprës një imazh burri në bronz duke peshkuar të dëmtohet. Edhe këtë herë veprës simbolike i është dëmtuar kallami, duke i’u harkuar dhe prishur në pjesën fundore.

E realizuar nga skuptori Dylber Neziri, kjo skulpturë urbane u vendos buzë detit në vitin 2016 duke u shndërruar në një simbol për qytetin.

Në zonë janë dëmtuan së fundmi dhe vepra “Gladiatori”, skulpturat e Tina Turner dhe John Lennon, të vendosura në fillim të shëtitores “Taulantia”, pjesë e kompleksit artistik urban të figurave të njohura të muzikës botërore.

Por, me gjithë këto raste të  përsëritura autoritet nuk po ndërmarrin asnjë veprim për  masa mbrojtëse për hapësirat urbane të qyteti.