“Përqafimi i Eterit”, vepra artistike që mbart mesazhin për angazhimin komunitar
Durrësi ka tashmë një tjetër vepër artistike, e konceptuar nga arkitekti Indrit Hamiti dhe që zbukuron Shëtitoren Taulantia. Ajo gjithashtu përcjell mesazhin rotarian për të shërbyer përtej vetes dhe për ndërveprimin komunitar.

Vepra “Përqafimi i Eterit”. Foto: Media Amfora
E realizuar me material inoksi dhe “corten”, ajo mban mbishkrimin, “Shërbejmë përtej vetes” dhe është vepra më e re artistike që i shtohet një prej zonave më të frekuentuara të qytetit, Shëtitores Taulantia.
Vepra e titulluar, “Përqafimi i Eterit”, përciell mesazhin për të shërbyer e kontribuar në shoqëri, si një nga motot e organizatës globale, “Rotary International. Ajo i shtohet kështu dekorit hapësinor të Durrësit, e cila përmban konceptin e kuintesencës dhe materien e universit, si një simbol i gjithësisë dhe plotësisë.
E konceptuar nga arkitekti durrsak, Indrit Hamiti dhe e realizuar nën kujdesin e tij, ajo vjen edhe si një paralelizëm i familjes njerëzore në nivel global, e plotë dhe e ndërlidhur nga çdo komb e kulturë. Eteri, si një element i pastër që lejon përçimin e dritës shërben si mesazh i ndriçimit, i sistemit të vlerave më të larta njerëzore që pasohen tek të tjerët, si një ilustrim i përgjegjësisë qytetare për të shërbyer përtej vetes.

Vepra është fluide dhe lëviz me një dinamikë vertikale, ngjashëm si një kambanë e stilizuar që i thërret njerëzit për veprim. Ajo rrjedh përmes spirales, si një mesazh i vazhdimësisë së misionit sublim komunitar për të vepruar e shërbyer.
Kjo vepër e re arti u përurua me pjesëmarrjen e presidentes së “Rotary International”, Stephanie Urchick, në një vizitë historike të saj në Durrës më 21 mars. E vendosur pranë 2 fushave të basketbollit të realizuara nga rotarianët durrsakë, kjo vepër e arkitektit Hamiti, gjithashtu një rotarian, do të mbetet edhe si një thirrje e brendshme dhe publike për të gjithë që të ndërmarrin veprime në dobi të komunitetit.