Përmirësime në letër, pasiguri në terren për gazetarët
Treguesit për Nivelin e Lirisë së Medias, së bashku me Indeksin e Sigurisë së Gazetarëve për vitin 2024, tregojnë se gazetaria e pavarur në Shqipëri mbetet nën presione strukturore, politike dhe ekonomike. Hapat proceduralë mbeten formalë dhe pa zbatim real, duke rrezikuar sigurinë e gazetarëve dhe funksionimin e medias në interes publik.
Reporter duke mbajtur shënime në terren. Foto ilustruese Media Amfora
Indeksi për vitin 2024, i publikuar të hënën nga “SafeJournalists” një rrjet rajonal i organizatave të gazetarëve, analizon gjendjen e lirisë së medias dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri përmes treguesve ligjorë, institucionalë dhe praktikë, duke evidentuar hendekun mes kuadrit formal dhe realitetit në terren.
“Të marra së bashku, gjetjet tregojnë se sektori i mediave në Shqipëri është zyrtarisht i mbrojtur, por në thelb mjaft i brishtë, për shkak të zbatimit të kufizuar dhe të paqëndrueshëm të garancive ligjore në praktikën e përditshme”, thuhet në indeks.
Të dhënat e indekstit me autore Blerjana Bino, tregojnë se presioni ndaj gazetarëve në Shqipëri nuk mbetet teorik, por materializohet në raste konkrete kërcënimesh dhe sulmesh.
“Në vitin 2024, rrjeti “SafeJournalists” dokumentoi 45 raste të shkeljeve të lirisë së medias, përfshirë 27 kërcënime dhe ngacmime jo-fizike ndaj gazetarëve, 3 raste kërcënimesh ndaj jetës ose sigurisë fizike, 6 sulme reale ndaj gazetarëve dhe 9 raste që synonin media dhe shoqata të gazetarëve”, thekson dokumenti.
Indeksi publikohet çdo vit për të monitoruar kushtet në të cilat ushtrohet gazetaria dhe për të evidentuar rreziqet me të cilat përballen gazetarët në terren, si dhe reagimin institucional ndaj tyre.
Sipas indeksit, kuadri ligjor për median po përafrohet me standardet evropiane, por mbetet i dobët në zbatim dhe pa efekt real për gazetarët. Pasiguria ekonomike, pagat e ulëta, informaliteti dhe mungesa e mekanizmave të negociatave kolektive vijojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në pavarësinë dhe cilësinë e gazetarisë.
Indeksi vlerëson se përqendrimi i pronësisë dhe ndërhyrjet politike vazhdojnë të kufizojnë autonominë e redaksive, ndërsa një pjesë e mediave përdoren për interesa personale dhe komerciale, jo për informim në interes publik. Po ashtu, përhapja e portaleve të panjohura online dhe lajmeve të paverifikuara po kontribuon në rënien e besimit publik te media.
Gjuha politike ndaj mediave, sipas indeksit, shpesh krijon presion dhe nxit mosbesim, duke ushqyer vetëcensurën mes gazetarëve. Ndërkohë, rritja e lehtë e nivelit të sigurisë në vitin 2024 lidhet kryesisht me masa procedurale, të cilat nuk janë shoqëruar me përmirësime të qëndrueshme në mbrojtjen reale të gazetarëve në terren.
Në tërësi, indeksi tregon se pa zbatim të qëndrueshëm dhe mbrojtje reale në terren, përmirësimet formale nuk mjaftojnë për të garantuar sigurinë e gazetarëve.