Vlora, qyteti ku pavarësia ka banesën e saj

Më 28 nëntor të vitit 1912 populli shqiptar i ardhur nga të gjitha viset shpalli pavarësinë e vendit. Ballkoni i vogël mblodhi tok baballarët e kombit me në krye Ismail Qemalin, që shpallën mëvetësinë nga Perandoria Osmane.

Ndërtesa që sot gjendet në qytetin e Vlorës pranë Skelës gjatë vitit 1913 shërbeu si seli për qeverinë shqiptare për rreth 6 muaj. Pas vitit 1936 deri në fillimet e Luftës se Dytë Botërore ai shërbeu si muze historik kombëtar, për tu shpallur më pas Muze Kombëtar në vitin 1962.

Brenda muzeut janë ekspozuar dokumente, fotografi dhe objekte që pasqyrojnë përpjekjet e popullit shqiptar për pavarësi. Aty gjendet edhe kabineti i punës dhe salla e mbledhjeve të qeverisë provizore të Ismail Qemalit.

Godina 2 katëshe u shpall monument kulture në vitin 1963 dhe sot ka të ekspozuara edhe dokumente të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe të pavarësisë. Ajo ishte pjesë e sarajeve të Vlorajve dhe në vitin 1912, në kulmin e krizës ballkanike aty u mblodhën delegatët nga e gjithë Shqipëria.

Të rreshtuar njëri pas tjetrit, në oborr qëndrojnë hijerëndë bustet e ministrave të qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur. Përbri godinës është stacionuar karroca e riprodhuar sipas modelit origjinal që solli Ismail Qemalin nga Durrësi.

Muzeu gjendet në Bulevardin e Vlorës, në Skelë dhe mund të vizitohet nga e marta në të dielën, nga ora 9:00-17:00, teksa vetëm ditën e hënë është pushim.

_______

*Foto në krye: Oborri i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë. Foto: Geri Emiri, Media Amfora