Orikumi antik, “ishulli arkeologjik” i kërcënuar nga ushtria dhe piratët!

*Autor: Geri Emiri | Porta Vendore | Vlorë

Në rrugën përbri plazhit të Orikumit, syri të rrok nga Gadishulli i Karaburunit deri në Vlorë. Rruga panoramike ndërpritet nga një portë hekuri! Duket sikur të fton për lundrim detar. Përbri saj, në të dyja anët qëndrojnë dy fener, njëri jeshil dhe tjetri i kuq. Janë ata karakteristikët, që i orientojnë lundruesit për kufirin lindor dhe perëndimor të hyrjes së porteve.

Me të përplasur dyert e veturës, pas spirancave të portit që ngjasojnë si të “balsamosura” në kurriz të derës, shfaqet një ushtar i armatosur. Shikimi ngultas të paralajmëron se nuk bëhet vetëm plazh në Orikum! Pa humbur kohë i drejtohemi stendës së Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë (DRKK), ku gjendet një punonjës që pret biletat për në Parkun Arkeologjik të Orikut.

Brenda Bazës Detare të Pashalimanit, godinave ushtarake të lëna në harresë pasi Shqipëria i shpëtoi sulmeve bërthamore apo pushtimeve nga “imperialistët”, i është veshur një hije harrese. Interesit të ushtarakëve që herët nuk i ka shpëtuar as ai për arkeologjinë.

Për herë të parë në vitin 1958 një ekspeditë me ushtarak dhe arkeologë shqiptaro-sovjetik gërmuan nën një sipërfaqe prej 400 metrash katrorë, duke zbuluar një monument në formë gjysmë harku, të cilin e interpretuan si teatër dhe disa shkallë të gdhendura në shkëmb.

Në Orikun antik kërkimet arkeologjike u rikthyen rregullisht që prej vitit 2007. Një mision kërkimi shqiptaro-zviceran mblodhi edhe këtë vit arkeologë, arkitektë, restauratorë dhe specialistë nga Europa.

Zbulime të reja arkeologjike, përballë sfidave të pandemisë

“E vështirë ishte në kuadrin e përgatitjes fillestare sepse hezitonim deri në momentin e fundit”, kujton arkeologu Saimir Shpuza, bashkë drejtuesi i kërkimit që prej vitit 2007, së bashku me një ekip arkeologësh zviceranë, nga Universiteti i Gjenevës.

“Deri në qershor ishim duke marrë vendimin nëse do të realizohej ekspedita apo jo, pasi kishte pjesëmarrës nga vende të ndryshme, si Zvicra, Italia, Spanja, Franca, që janë vende me kushte dhe rregulla të ndryshme”, përfundon së shpjeguari arkeologu për Portën Vendore.

Pandemia e COVID-19 preku shumicën e misioneve të kërkimit arkeologjik në vend, duke anuluar një pjesë të mirë, si në Butrint, në luginën e Drinos, në fshatin Babunjë të Lushnjës, në pamundësi që ekipet e specialistëve të huaj të udhëtonin drejt vendit tonë.

Kërkimet arkeologjike nënujore në zonën e Tushemishtit, në Pogradec dhe ato në zona disi të izoluara duket se vijuan pa shumë shqetësime nga pandemia. Arkeologë të Institutit të Arkeologjisë dhe kolegët e huaj vijuan kërkimet arkeologjike në Shurdhah (ishull në lumin Drin), Koman dhe në luginën e Drinit të Zi.

Oriku antik lidhet me një rrip toke që vjen nga qyteti i sotëm i Orikumit. Në antikitet zona e banuar ngrihej mbi Kodrën e Paleokastrës, e cila nga pas mbrohet me lartësinë e Gadishullit të Karaburunit, në të majtë laget nga bregdeti Adriatiko-Jonian, e në të djathtë shtrihet Laguna e Pasha Limanit, që nuk linte shumë hapësirë për të fantazuar një pushtim të mundshëm.

Për një muaj, nga 23 gushti në 23 shtator 2020, kërkimi arkeologjik shqiptaro-zviceran nxori në dritë zbulime të panjohura më herët dhe saktësoi një pjesë të dyshimeve. “Teatri”, pagëzuar kështu nga arkeologët në vitet’ 58, sot është saktësuar se nuk përbën më shumë se një monument me funksion largimin e ujërave që vinin nga kodra.

“Është një monument që drenazhon ujërat e qytetit dhe i largon jashtë mureve rrethuese. E kemi dokumentuar të gjithë sistemin e kanalizimeve, nga vjen uji, si kanalizohet. Sheshi ka luajtur edhe funksione të tjera”, shpjegon arkeologu Shpuza.

Ekipi i gërmimit arkeologjik shqiptaro-zviceran duke zbuluar qytetin antik të Orikut. Foto Saimir Shpuza

Gërmimi vijoi në 5 pika në territorin e Orikut. Arkeologët përfunduan gërmimet në akropol, ku gjenden 2 kisha, të shekujve IX-X të Erës Sonë dhe një tjetër më e vonë, e shekullit XVII. Kërkimet u fokusuan tek njohja dhe dokumentimi i varreve pranë tyre, pasi arkitektura e kishave ishte studiuar vitet e kaluara.

Oriku antik u themelua në tokat e fiseve ilire. Kolonizatorët grek kontribuuan në krijimin e qendrave me karakter urban, të tilla si Butrinti, Apolonia, Dyrrahu (Durrësi) dhe Oriku, të themeluara që në shek. VII-VI Para Erës Sonë, në pozicione gjeografike tepër strategjike.

Pjesa më e madhe e infrastrukturës së brendshme të Orikut, duke përfshirë shkallaret, bazamentet e ndërtesave, kanalet dhe cisternat për depozitimin e ujit janë ndërtuar mbi shkëmbin natyror të kodrës. Limani i portit të Orikut haset edhe në shkrimet e Herodotit, si një nga më të mbrojturit në Epir.

Sot laguna ruan me xhelozi nën ujërat e saj 15 metrat e fundit të murit rrethues të Orikut, që së bashku me linjën tjetër rrethonte qytetin. Rrethimi i Orikut i kalli datën edhe Jul Çezarit!

Në kujtimet për luftën civile midis tij dhe Pompeut, në vitin 48 Para Erës Sonë, ai e përshkruan Orikun si një qytet të fortifikuar mirë, me mure të forta dhe disa hyrje të pajisura me kulla.

Muri rrethues që zhytet drejt lagunës i përket periudhës helenistike dhe një tjetër i mbivendoset në periudhën e Antikitetit të Vonë. Arkeologët këtë vit dokumentuan një bastion për stacionimin e trupave ushtarake dhe zbuluan për herë të parë një portë të re për të hyrë në qytet.

“Bastioni është i periudhës helenistike dhe aty pranë është dokumentuar një portë e re e qytetit. Duket e periudhës helenistike, por ka vijuar të shërbejë si portë në antikitetin e vonë dhe në mesjetë”, shpjegon arkeologu Saimir Shpuza për zbulimet e reja në Parkun Arkeologjik të Orikut.

Oriku, i lënë pa mbrojtje nga një zonifikim i cunguar

Ora shënon 15:00 dhe qyteti duket i pushtuar tërësisht prej nesh. Nuk ka më këmbë njeriu. Janë edhe kamionët ushtarakë që dëgjohen shpesh teksa lëvizin poshtë, në rrugën përbri bregut. Por ushtarët e armatosur nuk duket se i kallën datën “piratëve të thesareve”.

Në vitin 2015 nekropoli i qytetit antik ra pre e gërmimeve klandestine, me qëllim plaçkitjen e sendeve me vlerë brenda varreve. Në Nekropolin e Sadovinës arkeologët gjatë muajit korrik të vitit 2015 kryen punime gërmim-shpëtimi në rreth 15 varre të dëmtuara, që mendohet se i përkasin periudhës midis shekujve III-II Para Erës Sonë.

Varr i hapur gjatë gërmimit të klandestinëve në vitin 2015 në Nekropolin e Sadovinës. Foto Ministria e Kulturës

“Që në vitin 2015 bëmë një ndërhyrje me Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, për rehabilitimin e varreve të gërmuara dhe nuk kemi pasur më probleme të tilla”, shprehet Kriledian Çipa, përgjegjës i Parkut Arkeologjik të Orikut.

Pas studimeve të misionit arkeologjik shqiptaro-zviceran dhe bashkëpunimit tё Institutit tё Arkeologjisë me Drejtorinë e Kulturës në Vlorë dhe me Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, u propozua që të krijohej një zonifikim i ri për të mbrojtur territorin e parkut.

Propozimi që u dorëzua nga arkeologu Saimir Shpuza, si përfaqësues i Institutit të Arkeologjisë, u miratua më 29 shkurt të vitit 2016, me vendimin numër 6 të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, por mungesa e një Vendimi të Këshillit të Ministrave e ka lënë ende në letër zgjerimin e zonës së mbrojtur të parkut arkeologjik.

Arkeologu Shpuza tregon se miratimi i këtij zonifikimi është një domosdoshmëri që do e mbronte parkun nga gërmimet klandestine dhe do e zgjeronte perspektivën e tij, duke i dhënë edhe aspektin historik e natyror, përveç atij arkeologjik.

Hartë ilustruese me vendndodhjen e Parkut Arkeologjik të Orikut dhe objekteve pranë tij. Përpunoi Geri Emiri

Përveç ndërhyrjes nga pushteti qendror, duket se edhe ai vendor e ka lënë në hije madhështinë e Parkut Arkeologjik të Orikut dhe nevojës për ta mbrojtur. “Bashkëpunimi me Bashkinë e Vlorës tani është inekzistent, kur ishte bashkia në Orikum organizonim takime, ishte më e lehtë sepse i bënim pjesë të zbulimeve dhe takimeve që organizoheshin”, shpjegon arkeologu Shpuza.

Pas largimit në dukje të “piratëve të thesarit”, një gurore e hapur pranë nekropolit ku gjenden varret antike me inventar (objekte) të pasur, ka ri ngritur shqetësimin për mbrojtjen e Orikut.

“Ka dy vite që është hapur një gurore tek nekropoli, që nuk është zonë e mbrojtur aktualisht, por është tek propozimi i ri”, shpjegon Shpuza.

Nga rrënojat e Kishës Paleokristiane mbi kodrën që përbën pikën më të lartë të qytetit antik, mund të sodisësh Gadishullin e Karaburunit dhe Bazën Detare të Pasha Limanit, që duket në pëllëmbë të dorës së bashku me nëndetësen “105”, në ngjyrë të hirtë.

Propozimi i qeverisë shqiptare ndaj NATO-s për të rimodeluar Bazën Detare në Pashaliman gjithashtu ka shtuar nevojën e miratimit të një territori më të gjerë të zonës mbrojtëse të potencialit arkeologjik të Orikut.

“Nëse nuk merren parasysh të dhënat arkeologjike për zonën, propozimi është i rrezikshëm nëse nuk rakordohen, normalisht duhet ruajtur zona arkeologjike”, përfundon me shqetësim arkeologu Saimir Shpuza.

______

*Foto në krye: Monumenti me funksion hidrik pranë qendrës së qytetit antik. Foto Geri Emiri.

*Ky shkrim është publikuar nga autori më datë 30 nëntor në median Portavendore.al dhe po ri publikohet këtu në përputhje me “politikat e ri publikimit” të Portës Vendore.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109