Organizatat në Durrës kërkojnë zbatim të ligjit kundër dhunës ndaj grave
Nevoja për zbatim real të ligjeve për mbrojtjen e grave u vu në fokus në Durrës, ndërsa 8 Marsi rikujtoi se barazia dhe mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore mbeten çështje përtej perceptimit të kësaj date si festë.
Gjatë aktivitetit të organizuar në 8 mars në Durrës. Foto: Media Amfora
Në Sheshin “Liria” në Durrës, gra dhe vajza u bënë bashkë të dielën në një aktivitet për të rikujtuar domethënien e 8 Marsit si ditë proteste për barazi dhe kundër dhunës me bazë gjinore.
“U mblodhëm bashkë me gra dhe vajza për të kujtuar se 8 Marsi nuk është një ditë feste, por një ditë proteste. Një ditë për të ngritur zërin për barazi, për dinjitet dhe për të drejtat e grave”, u shpreh në një deklaratë për shtyp organizata “Gruaja, Paqja dhe Siguria”.
Sipas organizatës, aktiviteti lidhet edhe me thirrjen globale të këtij viti për 8 Marsin, “Rights. Justice. Action.” (Të Drejta. Drejtësi. Veprim), duke theksuar se barazia, siguria dhe paqja janë të pandashme nga respektimi dhe mbrojtja reale e të drejtave të grave dhe vajzave.
Për organizatat që punojnë për të drejtat e grave, kjo datë mbetet një moment reflektimi mbi sfidat që gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen, pavarësisht zhvillimeve ligjore të viteve të fundit që synojnë forcimin e mbrojtjes nga dhuna dhe diskriminimi.
“Përmes mesazheve dhe bisedave me qytetarët, synuam të sfidojmë perceptimin e gabuar që e redukton këtë datë në ‘festën e nënës’, duke rikujtuar historinë dhe domethënien e saj si një ditë solidariteti dhe angazhimi për ndryshim”, vuri theksin organizata.
Në qendër të qytetit, organizatoret dhe anëtare të qendrës, mes tyre avokate dhe psikologe, shpërndanë mesazhe dhe ndaluan për të bashkëbiseduar me qytetarët që kalonin në shesh, duke rikthyer vëmendjen te ligji për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore, kompetencat e institucioneve vendore dhe domethënia e 8 Marsit përtej atmosferës festive.
Organizata theksoi se ndryshimet e fundit ligjore në Shqipëri, përfshirë amendimet e vitit 2026 në ligjin “Për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje”, kanë zgjeruar mekanizmat e mbrojtjes për viktimat dhe kanë njohur forma të reja të dhunës, si përndjekja, kërcënimi, dhuna në internet, ngacmimi seksual apo martesa e detyruar.
Ligji parashikon gjithashtu masa më të forta reagimi institucional, përfshirë mundësinë që policia të ndërhyjë menjëherë me urdhra paraprakë mbrojtjeje për të garantuar reagim të shpejtë në rastet që përfshijnë gra, vajza dhe fëmijë në rrezik.
Paralelisht, përmirësimet në ligjin për barazinë gjinore dhe përfshirja për herë të parë në legjislacionin shqiptar e parimeve të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” synojnë të rrisin pjesëmarrjen e grave në proceset e sigurisë, paqes dhe vendimmarrjes.
Megjithatë, sipas deklaratës, sfidat mbeten të mëdha. Në nivel global, gratë dhe vajzat gëzojnë vetëm rreth 64% të të drejtave ligjore që kanë burrat, ndërsa shumë prej tyre përballen me pengesa të shumta për të kërkuar drejtësi, nga kostot e larta të ndihmës juridike dhe transportit deri te kujdesi për fëmijët apo humbja e të ardhurave.
“8 Marsi është kujtesë se barazia nuk është dhuratë – është një e drejtë për të cilën vazhdojmë të flasim, të protestojmë dhe të veprojmë”, shtoi deklarata.
Organizata thekson gjithashtu se prania e armëve të zjarrit në komunitet rrit ndjeshëm rrezikun e dhunës fatale në familje, duke e lidhur drejtpërdrejt sigurinë e grave me sigurinë e shoqërisë.
Në këtë kuadër, ajo bën thirrje për veprim institucional dhe koordinim më të madh për zbatimin real të ligjit për mbrojtjen nga dhuna, për politika konkrete për mbledhjen e armëve të paligjshme në komunitet, për qasje reale në drejtësi për gratë dhe vajzat, për më shumë mbështetje për viktimat e dhunës dhe për rritjen e përfaqësimit të grave në sektorin e sigurisë dhe në proceset vendimmarrëse.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi ekonomik për gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje dhe me bazë gjinore, një hap vendimtar drejt riintegrimit të tyre”, i mbështetur nga “AWEN – Albanian Women Empowerment Network”, me fonde të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sida).