Organizatat e Shoqërisë Civile kthehen në faktor ndikues në jetën sociale dhe politike të vendit

Organizatat e Shoqërisë Civile në Shqipëri dëshmuan një rol të rëndësishëm në menaxhimin e krizave natyrore të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e COVID-19. Teksa kontributet e tyre shtohen dita-ditës, ekspertët kërkojnë që të rritet ndërveprimi me institucionet dhe ato t’i implementojnë rekomandimet që marrin.

Organizatat e Shoqërisë Civile në Shqipëri prej dekadash japin kontribute në disa fusha dhe ndër më të spikaturat janë demokracia, të drejtat e njeriut dhe vitet e fundit është fuqizuar ndjeshëm përkushtimi ndaj çështjeve mjedisore.

Një pjesë e tyre ofrojnë shërbime që kompensojnë nevojat që nuk i përmbushin dot autoritetet publike, duke bashkëpunuar edhe me to.

“Bëjnë edhe rolin e ‘watch dog’ [‘qenit roje’], të monitorimit dhe kërkesës së llogarisë ndaj qeverisë edhe aktorëve të tjerë shtetëror, si Kuvendi, institucionet e pavarura, bashkitë, këshillat, përmes nxjerrjes së raporteve, studimeve, realizimit të tryezave apo dialogut”, evidenton studiuesja Blerjana Bino.

Kontributi i Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC-të) ndikon në përmirësimin e proceseve demokratike në vend, duke nxitur transparencën dhe llogaridhënien nga ana e institucioneve publike. Gjithashtu ato advokojnë për kauza që lidhen me nevojat e komuniteteve të caktuara apo me karakter mjedisor.

“Ato japin kontribut edhe për zhvillimin e kapitalit social dhe këtu nënkuptoj hapësirat që ato krijojnë për punësim, praktika pune apo për zhvillimin e kapaciteteve të të rinjve”, analizon Blerjana Bino.

“Në këtë kuptim ndikojnë në zhvillimin e kapitalit social dhe natyrisht më pas edhe në angazhimin qytetar dhe në pjesëmarrje”, shton Bino, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV Center).

Nismëtarë ligjesh dhe barrierë ndaj cënimit të demokracisë

Organizatat e Shoqërisë Civile dhe aktivistët kanë ndihmuar në hartimin e disa ligjeve në vendin tonë dhe vijojnë të monitorojnë procesin e zbatimit të tyre.

“Një nga shembujt është Ligji për Rininë, i cili i ka hapur rrugë krijimit të Këshillave Rinorë Vendorë pranë bashkive, duke i dhënë të rinjve hapësirën për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në proceset vendimmarrëse dhe një besim të shtuar në proceset demikratike në nivel lokal”, analizon aktivistja Fiona Dinollari.

“OSHC-të ishin aktive në një numër nismash për të ndryshuar legjislacionin gjatë vitit 2020”, evidentoi “Indeksi i Qëndrueshmërisë së OSHC-ve për vitin 2020”, duke renditur një sërë nismash ligjore që Shoqëria Civile propozoi dhe dërgoi përpara.

“Në prill 2020, OSHC-të mbikëqyrëse dhe qendrat studimore i kërkuan Kuvendit të ngadalësojë ndryshimet e Kodit Penal, të cilat kërkonin rritjen e dënimeve për shkeljen e dispozitave ligjore gjatë situatës së jashtëzakonshme”, evidentoi raporti.

“Sipas pikëpamjes së OSHC-ve, ndryshime të tilla shkelin të drejtat e njeriut dhe liritë civile, si edhe përbëjnë një kërcënim për demokracinë”, shkruan raporti i përgatitur nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID.

Por megjithëse këto përpjekje për advokim dështuan dhe ligji u ndryshua në fund nga Kuvendi, OSHC-të dëshmuan me rolin e tyre jo vetëm në propozimin e ligjeve, por edhe në monitorimin e zbatimit të tyre apo ndryshimeve që ndodhin herë pas here.

“Mendoj se dy nga arritjet më të mëdha në 6 vjeçarin e fundit, kanë qenë miratimi i Ligjit për Konsultimin Publik dhe Ligjit për të Drejtën e Informimit, si edhe ngritja e institucioneve të pavarura”, evidenton studiuesja Blerjana Bino.

Aktivistët në Durrës më 8 mars 2021, me mesazhe në kujtim të grave që kanë humbur jetën nga dhunua dhe duke kërkuar parandalimin e këtyre ngjarjeve. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

Qeveria shqiptare propozoi një paketë ligjore të njohur si “Anti-shpifja”, për rregullimin sipas saj të medias online, por 14 OSHC i bënë thirrje që ta tërhiqte paketën nga procedura legjislative dhe të mbështeste funksionimin e një organi vetë-rregullues për median.

“Gjithë ai koalicion krijoi një bashkëpunim shumë të mirë për të ushtruar presion mbi qeverinë dhe njëkohësisht mbi ndërkombëtarët, që të ushtronin presion mbi qeverinë, për ta kthyer pas dhe për të mos e lejuar siç ishte atë ligj aq problematik”, shpjegon Bino.

Në maj të 2020-ës Komisioni i Venecias e vlerësoi paketën e qeverisë Anti-Shpifje, si “të pazbatueshme” dhe shumë problematike, duke mbështetur kështu shoqërinë civile kundër kufizimeve dhe masave ndëshkuese të përcaktuara në rregulloren ligjore për mediat online.

“Duke vlerësuar rolin kyç që OJF-të kanë në angazhimin qytetar për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të tyre, mbetet e rëndësishme rritja e pjesëmarrjes dhe rolit të tyre në hartim e zbatim politikash”, shkruan raporti “Pjesëmarrja e shoqërisë civile dhe qytetarëve në vendimmarrje”, publikuar në vitin 2013 nga “Partnerët Shqipëri”.

Të kudo gjendur në komunitet edhe në raste krizash

Ndërlidhja e OSHC-ve me komunitetin dhe fleksibiliteti është një pikë e fortë për mbështetjen dhe reagimin e shpejtë në rastet e krizave natyrore. Tërmeti i nëntorit 2019 dhe kriza që shkaktoi pandemia e COIVD-19 dëshmoi për rëndësinë e OSHC-ve që ofrojnë shërbime.

“Ato u pozicionuan menjëherë në dhënien e ndihmës për grupe të caktuara, por edhe për të ndihmuar përmes vullnetarizimit autoritetet lokale, që u gjendën të papërgatitura në përballje me këtë”, shpjegon Blerjana Bino, bashkëautore e studimit, “Roli i shoqërisë civile dhe medias në menaxhimin e krizave në Shqipëri: Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19”.

Puna e OSHC-ve duket se po ndihmon edhe në fuqizimin e të rinjve, të cilët shpesh e targetojnë sistemin arsimor në Shqipëri se nuk përmbush kushtet për një edukim gjithëpërfshirës dhe me kurrikula bashkëkohore.

“Kam vënë re se të rinjtë e përfshirë në aktivitetet e organizuara nga shoqëria civile, kanë aftësi sociale më të zhvilluara, janë më të informuar mbi të drejtat e tyre, më aktivë e më pjesëmarrës”, analizon aktivistja Fiona Dinollari.

“E veçanërisht i kushtojnë një vëmendje të veçantë ndryshimeve që bëhen, duke qenë të kujdesshëm që vendi të mos shkojë në regres”, shton ajo për Median Amfora.

Organizatat e mjedisit në Shqipëri vitetet e fundit janë kthyer jo vetëm në zë të komuniteteve lokale, por edhe në “ambasadorë të Shqipërisë” për çështjet mjedisore në nivel ndërkombëtar. Ngjashëm si fushata për mbrojtjen e Lumit Vjosa, nga ndërtimi i Hidrocentraleve të Vegjël për Prodhimin e Energjisë, OSHC-të po nxisin edhe diskutimet në nivel shkencor, duke realizuar matje dhe monitorime me ekspertë vendas dhe të huaj.

Lugina e Lumit Vjosa. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

“OSHC-të janë të vetëdijshme dhe ngrenë zërin e tyre me shqetësim nëse plane ose projekte mund të ketë efekte negative në zonat me vlera natyrore apo raste kur kafshët e egra trajtohen e mbahen në kushte të papërshtatshme”, gjeti raporti, “Këndvështrimi alternativ i progresit mjedisor – Negociatat e Shqipërisë në BE dhe Kapitulli 27”, publikuar në prill 2021 nga organizatat mjedisore vendase.

Pas disa protestave nga komuniteti dhe OSHC-të e mjedisit për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Zall-Gjoçajt, me mbështetjen ligjore të Klinikave të ligjit të OSFA-së, që i siguruan komunitetit ndihmë juridike dhe përfaqësim në Gjykatën Administrative në Tiranë, ajo vendosi shfuqizimin e vendimit të Entit Rregullator të Energjisë për të licensuar prodhimin e energjisë.

Të gatshëm për të çuar përpara bashkëpunimin “OSHC – institucione”

Organizatat e Shoqërisë Civile në Shqipëri në një pjesë të tyre janë organizuar në formën “think tank”, pra të instituteve kërkimore që synojnë të sjellin studime për çështje të caktuara.

Raportet dhe ekspertët evidentojnë rëndësinë e OSHC-ve dhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe plotësimin e detyrave që i vendosen qeverisë shqiptare.

“Përpos punës së institucioneve, një vëmendje e shtuar po kërkohet gjithnjë e më shumë dhe nga organizatat e shoqërisë civile si dhe biznesi”, tregon aktivistja Fiona Dinollari, e fokusuar tek çështjet që lidhen me Bashkimin Europian.

Ekspert mjedisi duke marrë kampionë për ndotjen e ujërave të kanaleve pranë zonave të banuara në periferi të Durrësit, me qëllim advokimin nga organizata Qendra Durrësi Aktiv. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

“OSHC-të duhet të monitorojnë aktivisht procesin e integrimit bazuar në një qasje me dy objektiva kryesore: 1) Monitorimi i procesit duhet të çoj në një vlerësim të tij dhe ofrim rekomandimesh sesi mund të përmirësohet dhe 2) Duhet monitorim dhe i nivelit të zbatimit të rekomandimeve që OSHC-të ofrojnë”, evidentoi studimi “Përfshirja e shoqërisë civile në procesin e integrimit europian”.

Por bashkëpunimi me institucionet shtetërore dhe marrja parasysh e sugjerimeve shpesh herë diktohet nga proceset e integrimit, presioni ndërkombëtar apo procedurat ligjore dhe jo vullneti i institucioneve.

“Të dhënat që nxjerr shoqëria civile, pra evidencat, puna shkencore, studimet, që të kenë ndikim duhet domosdoshmërisht që të merren, të përthithen dhe të vihen në zbatim nga aktorët politik dhe këtu çalon në shumë aspekte”, analizon studiuesja Blerjana Bino.

“Pavarësisht disa përmirësimeve, mbetet problem pjesa e konsultimeve dhe përdorimit të të dhënave në politikë bërje, që shihet vetëm si një proces formal, i cili duhet se e kërkon Bashkimi Europian”, shton ajo.

Kjo dekadë është emërtuar edhe si “Dekada e Veprimit”, që lidhet me “Agjendën 2030” apo të quajtur ndryshe, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, një zotim i shteteve anëtare të OKB-së për eliminimin e varfërisë së skajshme, uljen e pabarazisë dhe krijimin e një planeti më të gjelbër.

Aktivistët e rinj theksojnë nevojën e përshirjes së tyre dhe të sugjerimeve të OSHC-ve në agjendat politike të vendit, me qëllim përafrimin edhe me standardet dhe zhvillimet ndërkombëtare.

Fiona Dinollari më herët përfaqësoi Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si delegate rinore për vitin 2020-2021.

“Ne u përpoqëm të çojmë përfaqësimin e të rinjve shqiptarë në nivelet më të larta dhe ia dolëm me sukses, duke qenë një ndër pesë shtetet e vetme të cilat u përfaqësuan nga delegatët rinorë në Komitetin e Tretë të Asamblesë së Përgjithshme të 75-të të OKB-së”, rrëfen ajo.

“Shpresoj që në të ardhmen të shoh më shumë të rinj të angazhuar në nivele ndërkombëtare, duke përfaqësuar me krenari vendin tonë”, shprehet Dinollari.

_________

Ky shkrim synon njohjen me peizazhin e Organizatave të Shoqërisë Civile në Shqipëri, situatës aktuale, sfidave dhe arritjeve për përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe institucioneve shtetërore. Shkrimi u përgatit me mbështetjen e “Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, në kuadër të “Ditës Kombëtare e Aktivizmit”, që organizohet çdo datë 22 tetor.

Foto në krye: Aktivistët e Korpusit Shqiptar të Vullnetarëve duke pastruar nga mbetjet urbane Plazhin e Shëngjinit në Lezhë. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109