Organizatat e medias kërkojnë zbatimin e vendimit për ‘Focus Media Group’
Organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias i bënë thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë vendimin e gjykatës dhe të heqin bllokadën policore mbi “Focus Media Group”.

Gjatë protestës së gazetarëve përpara godinës “Focus Media Group”. Foto: 'Screenshot' nga transmetimi në YouTube News 24
Në një letër publike drejtuar institucioneve shtetërore, organizatat në mbrojte të medias kërkuan të hënën zbatim urgjent të vendimit gjyqësor për rastin e News 24 dhe grupimit të “Focus Media Group”.
“Jemi të alarmuar që, pavarësisht vendimit të qartë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, të datës 12 gusht 2025, i cili pranoi pjesërisht kërkesën e “Focus Media Group” dhe “Panorama Group” për masa të përkohshme të menjëhershme për rikthimin e aksesit në pajisjet dhe materialet e punës gazetareske, urdhri gjyqësor ende nuk është zbatuar”- thuhej në letrën e organizatave në mbrojtje të medias.
Gazetarët e dy kompanive sipas organizatave vazhdojnë të përballen me kufizime në hyrjen në ndërtesë për të marrë materialet e tyre të punës, ndërsa policia ushtarake dhe subjekti shtetëror “KAYO” po pengojnë zbatimin e vendimit të gjykatës.
Ndërtesat në përdorim nga “Focus Media Group” u bllokuan mëngjesin e 9 gushtit nga policia, e cila rrethoi gjithë godinën kryesore që ndodhet në lagjen Shkozë në kryeqytet. Gazetarët dhe gjithë punonjësit e kompanisë u ndaluan të hynin në vendet e tyre të punës, ndërsa si pasojë e ndalimit të furnizimit me energji elektrike në orën 07:36 u ndërpre transmetimi i News24. Kamionë të ushtrisë u filmuan më pas teksa ngarkonin mobilje dhe pajisje nga ambientet e redaksisë, përfshirë edhe kompjutera të gazetarëve.
Gjykata e Tiranës vendosi se ndërhyrja e shoqërisë shtetërore “KAYO” dhe Policisë së Shtetit në ambientet e “Focus Media Group” ishte joproporcionale dhe urdhëroi kthimin brenda 24 orëve të pajisjeve dhe dokumenteve të gazetarëve. Por vendimi nuk ka gjetur zbatim dhe gazetarët vijojnë të mos kenë akses në ambjentet dhe mjetet e tyre të punës.
Sipas organizatave të medias, “është alarmante që urdhri i detyrueshëm i gjykatës për të inventarizuar dhe siguruar ose kthyer të gjitha materialet profesionale brenda 48 orëve mbetet i pazbatuar”.
“Ky mosrespektim i hapur i një vendimi gjyqësor minon shtetin ligjor dhe vendos një precedent të rrezikshëm si për lirinë e medias ashtu edhe për sundimin e ligjit në Shqipëri”, shkruhej në letrën e hapur që organitat në mbrojtje të medias i kanë drejtuar autoriteteve shqiptare.
Pas një ndërprerjeje 10-ditore, News24 rifilloi transmetimet më 18 gusht në një tjetër ambjent, ndërsa organizatat e medias kërkojnë zbatimin e vendimit gjyqësor dhe gazetarët presin ende rikthimin e paisjeve dhe dokumenteve të tyre.
Organizatat që mbrojnë gazetarët dhe mediat bënë thirrje që “të zbatohet vendim i gjykatës dhe të garantohet akses i pakufizuar për gazetarët në pajisjet dhe materialet e tyre, si dhe të ndërpritet çdo veprim që cënon lirinë gazetareske, përfshirë kërkesat ndaj gazetarëve për dorëzimin e pajisjeve elektronike në mënyrë që të hyjnë në ndërtesë, gjë që rrezikon konfidencialitetin e burimeve”.
Letra drejtuar autoriteteve shqiptare u nënshkrua nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ),Free Press Unlimited (FPU), Reporterët pa Kufij (RSF), Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT), Rrjeti SafeJournalists, dhe nga Shoqatat e Gazetarëve të Bosnje-Hercegovinës, të Kosovës e të Maqedonisë, Shoqata e Gazetarëve Kroatë, Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë dhe Sindikata e Mediave të Malit të Zi.