Organizatat e medias: Stop gjuhës së urrejtjes ndaj AGSH-së
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, si edhe Rrjeti për Gazetarë të Sigurt dënuan publikimin e një artikulli denigrues ndaj anëtarëve të bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Gjatë protestës të gazetarëve përpara godinës “Focus Media Group”. Foto: 'Screenshot' nga transmetimi në YouTube i News 24
Dy nga organizatat më aktive në mbrojtjen e lirisë së medias Rrjeti për Gazetarë të Sigurt dhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF) shprehën të enjten shqetësimin e tyre për një artikull denigrues që kishte në shënjestër anëtarët e bordit të AGSH-së, Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë Isa Myzyraj dhe Osman Stafa, duke përdorur gjuhë urrejtjeje.
Në një deklaratë për shtyp, (ECPMF) një nga organizatat kryesore të gazetarëve me qendër në Leipzig, Gjermani e dënoi ashpër publikimin e artikullit, duke e lidhur atë me rolin aktiv që AGSH ka luajtur në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në Shqipëri.
“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar që Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) është vënë në shënjestër nga një artikull tepër denigrues”, u shpreh ECPMF.
“Ky sulm pason punën e shkëlqyer të AGSH-së në dokumentimin e zhvillimeve që përfshijnë Focus Media Group”, shtoi Qendra Europiane.
Rrjeti për Gazetarë të Sigurt (Safe Journalists) theksoi se ky sulm pason përpjekjet e AGSH-së për të dokumentuar dhe sensibilizuar publikun mbi situatën e Focus Media Group, ku gazetarët dhe punonjësit e tjerë të medias kanë mbetur pa mbështetje pas një mosmarrëveshjeje pronësore me autoritetet publike.
“Përdorimi i gjuhës së tillë dhe i sulmeve personale është i papranueshëm, sidomos kur drejtohet ndaj gazetarëve që po përmbushin detyrën e tyre për të mbrojtur lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për t’u informuar,” deklaroi Safe Journalists.
Sipas organizatës, taktika të tilla synojnë jo vetëm diskreditimin e punës së gazetarëve, por edhe krijimin e një klime armiqësore ndaj ushtrimit të lirë të profesionit në Shqipëri.
Safe Journalists bëri të ditur se ka informuar zyrtarisht Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi mbi natyrën diskriminuese të artikullit dhe ka kërkuar nga ky institucion të ndërmarrë masat e nevojshme, përfshirë edhe një dënim publik të gjuhës së përdorur.