Organizatat e medias kritikojnë Kodin e ri Penal: Rrezikohet liria e shprehjes

Organizatat e Shoqërisë Civile e kundërshtuan draftin e Kodit të ri Penal, duke paralajmëruar se nenet mbi shpifjen, fyerjen dhe ndikimin në drejtësi cenojnë lirinë e medias dhe krijojnë rrezik për ndëshkime arbitrare ndaj gazetarëve. Sipas tyre, formulimet janë të paqarta, dënimet të tepruara dhe rrezikojnë të përdoren politikisht për të frenuar raportimin kritik.

Me anë të një deklarate për mediat mesditën e 1 gushtit, Organizatat e Shoqërisë Civile u shprehën kundër daftit të Kodit të ri Penal, të cilin qeveria e bëri publik më 25 korrik nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe që synon ta miratojë së shpejti.

“Në mënyrë të veçantë, dispozitat e propozuara në nenet 865 (“Shpifja”), 863 (“Fyerja”) dhe 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës), përmbajnë elemente shqetësuese, të cilat krijojnë paqartësi dhe mundësi për interpretim arbitrar dhe abuziv në zbatimin e tyre ndaj gazetarëve, mediave, shoqërisë civile dhe rojtarëve publik në tërësi”, thuhej në deklaratën e shpërndarë për mediat të mesditën e së premtes.

Organizatat shohin si shqetësim Nenin 865, që vazhdon ta konsiderojë “shpifjen” si kundravajtje penale – në kundërshtim të hapur me rekomandimet ndërkombëtare, ato vendase dhe standardet e Këshillit të Evropës, duke rritur ndjeshëm gjobat dhe duke hequr kriterin thelbësor të “dijenisë se informacioni është i rremë”.

“Kjo situatë i ekspozon gazetarët ndaj ndjekjeve penale edhe kur kanë qenë në mirëbesim, duke rritur pasigurinë juridike dhe frikën e raportimit kritik. Sanksionet janë shumë të ashpra, sidomos kur shpifja kryhet përmes shtypit, medias elektronike apo rrjeteve sociale, duke rrezikuar efekt frenues mbi lirinë e medias dhe raportimin kritik”, shtoi deklarata.

Ndërsa Neni 863 (“Fyerja”) sipas organizatave është i paqartë dhe i formuluar në mënyrë tepër subjektive, duke përfshirë terma si “shqetësim për opinionin publik” apo “zakonet e mira”, pa dhënë përkufizime konkrete.

“Masa e propozuar e dënimit me burgim deri në dy muaj për fyerjen e rëndë është joproporcionale dhe bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që kërkon trajtimin e fyerjes vetëm përmes masave proporcionale civile, pa burgim dhe pa rrezikuar gazetarinë kritike apo satirike”, shpjegoi deklarata.

Sipas tyre veçanërisht shqetësues është Neni 536 (“Ndikimi në pavarësinë e gjykatës”), i cili ndalon në mënyrë të gjerë bërjen apo publikimin e komenteve mbi proceset gjyqësore, duke qenë kështu një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në rolin legjitim të medias, akademikëve dhe shoqërisë civile për të mbikëqyrur dhe komentuar zhvillimet në drejtësi.

“Ky nen është formuluar qëllimisht në mënyrë të paqartë dhe mund të përdoret për të penalizuar arbitrarisht çdo koment apo raportim kritik, duke pamundësuar monitorimin publik të rasteve gjyqësore dhe hetimeve që përfshijnë figura publike dhe zyrtarë shtetërorë. Për më tepër, ky nen përmban një masë jo proporcionale të dënimit me burg deri në tre vite, gjë që shkakton një efekt frenues ndaj raportimeve investigative dhe kritike mbi drejtësinë”, thuhej më tej.

Drejtuesit e organizatave Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Rrjeti Ballkanit i Gazetarisë Investigative (BIRN Albania), Qendra Shkencë dhe Inovavion për Zhvillim (SCiDEV) dhanë rekomandimet e tyre në lidhje me draftin e Kodit të ri Penal, duke i bërë thirrje urgjente Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Ministrave dhe palëve të interesuara të përfshira në proces, që të rishikohen nenet për t’i përafruar me standardet evropiane.

“Të rishikohen në thelb nenet 865, 863 dhe 536 dhe të tjerë për t’i përafruar plotësisht standardet e Këshillit të Evropës dhe me praktikat më të mira evropiane. Të sigurohet qartësi dhe specifikim në formulimin e dispozitave penale, duke shmangur kështu paqartësinë dhe mundësinë e zbatimit selektiv”, sqaruan ata përmes një deklarate të përbashkët.

Këto dispozita, sipas organizatave cenojnë rëndë lirinë e medias, kufizojnë transparencën dhe dobësojnë rolin e gazetarëve dhe të shoqërisë civile si mbikëqyrës të pushtetit, duke krijuar një klimë të papërshtatshme dhe frenuese për punën e tyre.

Gjithashtu u rekomandua të dekriminalizohet shpifja dhe fyerja, duke i trajtuar ato nëpërmjet masave civile dhe proporcionale, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe raportet e progresit të BE-së dhe siç parashikohet në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës dhe siç kërkohet nga shoqëria civile dhe komuniteti i medias edhe përmes dialogut të strukturuar për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve.

Qeveria e bëri publik lajmim më 25 korrik nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, për miratimin e një Kod të ri Penal dhe sipas tij kodi aktual që është në fuqi nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi krijon vështirësi për gjyqësorin, prokurorinë dhe vetë avokatët.

Ndërsa kryeministri Edi Rama reagoi këtë të premte në lidhje me deklaratën e organizatave duke treguar se drafti i ri nuk është hartuar nga Ministria e Drejtësisë apo Këshilli i Ministrave, por nga një grup i pavarur ekspertësh, të udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipi.

“Në vend që të alarmohen, shoqatat e shtypit duhet të ndihen të lehtësuara dhe të respektuara, sepse kanë gjithë kohën e nevojshme për të studiuar draftin dhe për të ballafaquar opinionet e tyre me grupin e ekspertëve”, u shpreh Rama përmes një postimi në rrjetin social X.