Organizatat e gazetarëve kundër deklaratës të Kryeministrit për të ardhmen e RTSH
Organizata vendore dhe rajonale të gazetarëve kanë reaguar ndaj qëndrimeve të shprehura nga Kryeministri Edi Rama për të ardhmen e transmetuesit publik. Në deklarata të ndara, ato shprehin shqetësim për mundësinë e mbylljes, privatizimit apo ndërprerjes së financimit dhe kërkojnë reforma të bazuara në ligj dhe procese transparente.
Ilustrim nga stema e RTSH-së. Foto: Faqja zyrtar Radio Televizionit Shqiptar
Organizata të gazetarëve në Shqipëri dhe rajon reaguan pas deklaratave të bëra më 16 janar nga Kryeministri gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku u vu në pikëpyetje financimi publik i RTSH-së dhe u artikuluan skenarë për të ardhmen e tij.
“Nga këndvështrimi i lirisë së shprehjes, lidhja e ekzistencës apo financimit të një transmetuesi publik me vlerësime ekzekutive mbi ‘meritën’ ngre shqetësime serioze”, u shpreh Rrjeti “SafeJournalists” në deklaratën për mediat më 19 janar.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) publikoi reagimin e tij zyrtar më 16 janar, në të cilin shpreh shqetësim për deklaratat e Kryeministrit mbi RTSH-në dhe kundërshtoi opsionet e mbylljes, privatizimit apo ndërprerjes së financimit të transmetuesit publik.
“Refuzimi i financimit publik si mjet presioni politik përbën një rrezik serioz për pavarësinë e medias publike”, shkruhej në reagimin e AGSH.
Edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi më 17 janar ndaj deklaratave të Kryeministrit, duke i cilësuar ato si tronditëse për të ardhmen e medias publike dhe u shpreh kundër mbylljes së Radio Televizionit Publik Shqiptar.
Deklaratat që kanë nxitur reagimet e organizatave të gazetarëve u bënë më 16 janar gjatë një mbledhjeje të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku Kryeministri foli për rolin dhe financimin e Radio Televizionit Shqiptar.
Në fjalën e tij Kryeministri foli për reformimin e RTSH-së dhe hodhi në diskutim edhe skenarë ekstremë për funksionimin e transmetuesit publik.
“…Duhet ndarë mendja… ‘Televizioni Publik Shqiptar i kërkon ndjesë popullit shqiptar… Ju premtojmë se do të kthehemi në ekran kur të jemi gati’”, u shpreh Rama në fjalën e tij.
Në deklaratat e tyre, organizatat e gazetarëve vlerësojnë se artikulimi publik i mbylljes, privatizimit apo ndërprerjes së financimit të RTSH-së krijon pasiguri institucionale për transmetuesin publik, ushtron presion të tërthortë mbi pavarësinë editoriale dhe rrezikon të nxisë vetëcensurë brenda redaksive. Sipas tyre, trajtimi i ekzistencës së një medie publike si e kushtëzuar nga vlerësime politike cenon rolin demokratik të transmetuesit publik dhe dobëson garancitë institucionale për lirinë e medias.
Në deklaratën e tij, Rrjeti “SafeJournalists” vëren se kjo qasje ndaj transmetuesit publik ka rëndësi edhe për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke e lidhur debatin mbi RTSH-në me kriteret themelore të lirisë së medias dhe pavarësisë institucionale.
“Këto zhvillime janë gjithashtu të rëndësishme në kontekstin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kuadër të Grup-kapitullit 1 – Themeloret, ku liria e medias, pavarësia institucionale dhe mekanizmat demokratikë të kontrollit dhe balancimit përbëjnë kritere kyçe”, shkruhet në deklaratë.
RTSH është transmetuesi publik i Shqipërisë, i financuar nga buxheti i shtetit dhe i rregulluar nga ligji për mediat audiovizive.
Sipas organizatave të gazetarëve, prej vitesh RTSH është përballur me probleme të pavarësisë editoriale dhe qeverisjes, të lidhura kryesisht me ndërhyrjet politike në emërimet drejtuese dhe mungesën e reformave të qëndrueshme strukturore. Në deklarata theksohet se këto problematika kanë ndikuar në funksionimin e transmetuesit publik dhe kanë nxitur debate të përsëritura mbi nevojën për reformim.
RTSH drejtohet aktualisht nga Eni Vasili, e cila u zgjodh Drejtore e Përgjithshme në vitin 2024 pas një procesi të zhvilluar nga Këshilli Drejtues. Drejtimi i ri ka ardhur në një moment kur debati për reformimin e transmetuesit publik është rikthyer në qendër të vëmendjes publike.
Vetë Radio Televizioni Shqiptar nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të Kryeministrit apo qëndrimeve të organizatave të gazetarëve deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.