Operacion masiv përgjatë bregdetit: Bllokime mjetesh dhe procedime për zaptuesit e plazheve
Policia e Shtetit ka bërë bilancin për masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror në të gjithë territorin bregdetar të vendit.

Gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike. Foto: Policia e Shtetit
Prej dy javësh, strukturat e Policisë së Shtetit janë në një aksion që ka përfshirë të gjithë vijën bregdetare dhe ka çuar në masa të shumta administrative e penale me qëllim garantimin e rendit, qetësisë dhe lirimin e hapësirave publike në zonat bregdetare.
“Përgjatë bregdetit shqiptar, nga Velipoja në Ksamil, janë identifikuar 16 raste të shkeljes së perimetrit të sigurisë. Si rezultat, janë bllokuar gjithsej 16 mjete lundruese, përfshirë 13 Jet Ski dhe 3 skafe”, tha Policia e Shtetit në një njoftim për shtyp të hënën. Drejtuesit e këtyre mjeteve sipas policisë janë gjobitur me 100,000 lekë.
Një tjetër shqetësim i madh ka qenë ndotja akustike kryesisht në bregdetin e Vlorës, por dhe në kryeqytet.
“Policia ka vijuar kontrollet me aparatura të certifikuara, duke proceduar penalisht 15 shtetas për tejkalimin e kufijve të zhurmës, kryesisht në zonat turistike. Në Tiranë dhe Vlorë janë bllokuar gjithashtu 72 mjete dhe motomjete për ndotje akustike”, thuhej në njoftim.
Operacioni ka ndihmuar në pastrimin e hapësirave publike, duke sekuestruar 1230 komplete çadra dhe shezlongë, që përdoren nga subjekte private për të zënë plazhe publike. Në këtë kuadër, janë proceduar penalisht 27 shtetas, ndërsa janë liruar 9 hapësira publike të zëna në mënyrë të paligjshme, 8 prej të cilave në Vlorë dhe 1 në Shkodër.
Në qytetet si Tiranë, Durrës dhe Vlorë, Policia Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme janë angazhuar për lirimin e trotuareve dhe vijave të bardha nga automjetet që parkohen në kundërshtim me ligjin. Gjatë kontrolleve janë ngritur dhe transportuar me karrotrec 98 automjete dhe 34 motomjete, që ishin parkuar në mënyrë të paligjshme.
Po ashtu, janë evidentuar 11 raste të ndotjes së mjedisit tokësor dhe ujor, ku janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë në qytete të ndryshme si Vlorë, Tiranë, Lushnjë dhe Shkodër. Këto shkelje lidhen me hedhjen e mbetjeve në det dhe lumenj, një fenomen shqetësues për mjedisin dhe turizmin.
Policia e Shtetit ka deklaruar se do të vijojë të angazhohet maksimalisht për sigurimin e rendit dhe pastrimin e mjedisit gjatë gjithë sezonit turistik. Aksioni ka për qëllim garantimin e sigurisë, qetësisë dhe mbrojtjen e hapësirave publike për të gjithë qytetarët dhe turistët që vizitojnë Shqipërinë.