“Odiseja e Mesdheut” – Një rrugëtim artistik përmes trashëgimisë dhe rinisë mesdhetare

Rreth 120 nxënës nga Shqipëria dhe të tjerë nga nëntë vende të ndryshme të botës u bënë pjesë e një ngjarje kulturore me në fokus trashëgiminë lokale. Të rinjtë krijuan një film të shkurtër duke përcjellë mesazhe mbi indentitetin, kujtesën dhe të ardhmen e përbashkët, i cili u prezantua për publikun në kuadër të “Odisesë së Kinemasë Pozitive”.

Më 23 maj 2025, në kryeqytet në kuadër të “Odisesë së Kinemasë Pozitive” që drejtohet nga Sam Bobino në Festivalin e Kanës, u projektua filmi bashkëpunues titulluar “Odiseja e Mesdheut”, një vepër poetike që ndjek udhëtimin simbolik të një pike uji përgjatë brigjeve të Mesdheut.

Një film i shkurtër, i krijuar nga nxënës të shkollave të mesme nga 9 vende mesdhetare, përfshirë edhe Shqipërinë, erdhi si një ftesë për të imagjinuar një të ardhme të përbashkët të rrënjosur për respektimin e trashëgimisë dhe në hapjen ndaj tjetrit.

Ky bashkëpunim, për Ilda Marën, drejtoreshë e Shoqatës Kulturore Argjiro, e cila ishte koordinatore dhe bashkëprodhuese e filmit, erdhi si një shembull frymëzues nëpërmjet fuqisë së artit.

“Filmi është një shembull frymëzues i fuqisë së artit, edukimit dhe bashkëpunimit ndërkulturor në ndërtimin e urave të qëndrueshme mes të rinjve të Mesdheut”, tha Ilda Mara për Median Amfora.

Në total, në këtë projekt morën pjesë aktive rreth 120 nxënës dhe 5 mësues nga e gjithë Shqipëria. Të ndarë në grupe, nxënësit bashkëpunuan me bashkëmoshatarët nga vendet e tjera, për të shkruar skenarë të përbashkët dhe më pas për të realizuar secili grup një video që përfaqësonte një ndalesë të udhëtimit të pikës së ujit nëpër Mesdhe. Çdo video theksonte elemente të trashëgimisë lokale, duke përcjellë një mesazh personal mbi identitetin, kujtesën dhe të ardhmen e përbashkët mesdhetare.

Nga Shqipëria, morën pjesë seksionet dygjuhëshe frankofone të pesë gjimnazeve të përzgjedhura në kuadër të rrjetit “Label France Education”, në Korçë, Shkodër, Elbasan, Tiranë dhe Durrës, të mbështetura nga Ambasada Franceze në Tiranë.

Projekti u ofroi nxënësve një platformë për të eksploruar dhe rrëfyer traditat, kulturën dhe peizazhin e tyre, duke i njohur me teknikat bazë të kinemasë dhe duke i frymëzuar të shohin më ndjeshëm dhe më angazhuar realitetin përreth tyre.

Ky projekt nisi në janar të vitit 2024, i iniciuar nga Lara-Scarlett Gervais, e organizatës franceze “Héritage & Civilisation” dhe Institutit Francez, si dhe një rrjeti të ambasadave franceze në Mesdhe. Në nisje të projektit u identifikuan vlera dhe objektiva të përbashkëta mbi edukimin kulturor dhe fuqizimin e brezave të rinj. Për Marën, aktiviteti nxorri në pah dëshirën e të rinjve për të zhvilluar projekte të tilla.

“Kjo sinergji frymëzoi dëshirën për të zhvilluar projekte të tjera që lidhen me trashëgiminë dhe kinemanë, në rezonancë me territoret dhe historitë tona në Evropë dhe Mesdhe”, tha Mara. 
Projekti “Odiseja e Kinemasë Pozitive”, i udhëhequr nga Organizata Franceze ‘Héritage et Civilisation’, ku Shoqata Argjiro është partnere, synon promovimin e trashëgimisë përmes formave krijuese dhe ndërvepruese. Përmes figurës simbolike të një pike uji që udhëton nëpër Mesdhe, filmi përcjell mesazhe mbi kujtesën kolektive, sfidat e përbashkëta dhe potencialin e rinisë në ndërtimin e një bote më të ndërgjegjshme dhe të lidhur me rrënjët e vendet pjesëmarrëse.