“Objektivi” bashkon fotografët italianë dhe shqiptarë në një ekspozitë në Durrës
Fotografia bardhezi me fokus nga përditshmëria dhe peizazhi, bashkoi 4 fotografë italianë dhe shqiptarë në Durrës. Ekspozita sjell 40 fotografi që synojnë të përcjellin edhe lidhjen e fortë midis Italisë dhe Shqipërisë.

Ekspozita “Fotografia që bashkon”. Foto: Media Amfora
Katër fotografë, dy prej të cilëve italianë dhe dy nga Durrësi prezantuan për publikun 40 fotografi bardhezi, duke paraqitur aspekte të ndryshme të jetës dhe natyrës në qyetin bregdetar.
Ekspozita “Fotografia që bashkon”, u organizua nga Shoqata Italo-Shqiptare u çel në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia”, duke shfaqur copëza nga qyteti, ku veçohen peizazhe, personazhe të rastësishëm, kompozime plot emocione dhe ndërveprim.
“Kjo është iniciativa e parë e Shoqatës Italo-Shqiptare Familja Italba, e cila synon të zhvillojë marrëdhënie gjithnjë e më të forta dhe konstruktive midis komunitetit të italianëve të pranishëm në Durrës dhe në Shqipëri në përgjithësi dhe komunitetit shqiptar”, tregoi për Median Amfora, kryetari i shoqatës, Giuseppe Mazzei.
“Ne jemi të bindur se iniciativat kulturore dhe sociale janë thelbësore për të përmirësuar cilësinë e jetës së individëve dhe grupeve që ndajnë të njëjtin qytet dhe të njëjtin shtet edhe nëse vijnë nga kombe të ndryshme”, shtoi Mazzei.

Bruno Minopoli dhe Giuseppe Mancino, dy fotografët nga Italia e njohin qytetin bregdetar, pasi prej vitesh jetojnë dhe krijojnë këtu, duke fiksuar në objektivin e tyre çaste të ndryshme nga natyra dhe përditshmëria.
Ata ishin përkrah 2 fotografëve të qytetit, Adnan Beci dhe Griseld Hoxha, që sollën në ekspozitë shkrepjet e tyre të realizuara në momente të ndryshme, në pjesë të ndryshme të qytetit, ku personazhet duket se preken nga identiteti dhe realiteti i kohës.
“Ne synojmë të përcjellim përmes fotografisë edhe miqësinë shekullore midis dy popujve në brigjet e Adriatikut. Ky komunikim përmes fotografisë në këtë rast shkon përtej artit dhe shërben si një gjuhë bashkimi, që simbolizohet edhe përmes emrit të ekspozitës”, shpjegoi Klaudian Salliu, një prej bashkëthemeluesve të shoqatës.
Përmes kësaj ngjarje kulturore synohet të theksohet bashkëpunimi midis Italisë dhe Shqipërisë. Në hapje të ekspozitës pjesëmarrësit patën mundësitë që të ndanin me fotografët italianë dhe shqiptarë biseda arti rreth fotografisë dhe magjisë që ofron objektivi.
Ekspozita e organizuar nga Shoqata Italo-Shqiptare “Familja Italba”, u hap më 22 maj në galerinë “Nikolet Vasia” në Durrës dhe do të vazhdojë të presi publikun deri ditën e dielë.