Një muaj pas përmbytjeve, Durrësi pa bilanc dëmesh

Institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë publik deri më tani një raport zyrtar përfundimtar mbi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e 6 janarit në Durrës. Procesi i vlerësimit të dëmeve është referuar si në vijim, pa një afat të qartë për publikimin e bilancit.

Kur mbushet një muaj nga përmbytjet masive që përfshin qytetin bregdetar, institucionet ende nuk kanë bërë publik një bilanc përfundimtar të dëmeve.

Nga kërkimet e hapura në faqet zyrtare të institucioneve në nivel vendor dhe qendror nuk rezulton të jetë publikuar ndonjë informacion mbi bilancin përfundimtar të dëmeve nga përmbytjet. Ndërkohë, Bashkia Durrës nuk iu përgjigj kërkesës së Medias Amfora për një koment lidhur me bilancin përfundimtar të dëmeve.

As Bashkia Durrës dhe as Prefektura e Qarkut Durrës nuk kanë publikuar deri më tani një bilanc zyrtar përfundimtar të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në banesa edhe biznese.

Mungesa e një bilanci përfundimtar zyrtar lë qindra familje të prekura nga përmbytjet në pritje të informacionit mbi dëmshpërblimet dhe hapat e mëtejshëm institucionalë. Publikimi i bilancit të dëmeve është hapi i nevojshëm për të vijuar me procedurat e mëtejshme administrative që lidhen me mbështetjen e qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore.

Përmbytjet e 6 janarit prekën qindra banesa dhe biznese, por edhe institucione publike, përfshirë institucionin e paraburgimit, tregje dhe akse rrugore, si dhe zona ku janë realizuar investime të mëdha infrastrukturore, mes tyre edhe Veliera. Situata solli zhvendosjen e qindra familjeve nga banesat e tyre, ndërsa gjatë ndërhyrjeve në terren humbi jetën një punonjës i shërbimit komunal. Media Amfora ndoqi nga afër situatën edhe pas përmbytjeve në terren duke u ndalur në disa zona të qytetit, ku qytetarët u përballën me vërshimin e ujit në banesat e tyre.

Pas ngjarjes, autoritetet njoftuan se hetimet për rrethanat dhe përgjegjësitë janë në kompetencë të Prokurorisë. Situata krijoi vështirësi në qarkullim dhe në jetën e përditshme të qytetarëve, ndërsa autoritetet vendore raportuan për ndërhyrje në terren për menaxhimin e emergjencës.

Deri në publikimin e një bilanci zyrtar përfundimtar, situata mbetet e paqartë për qytetarët e prekur nga përmbytjet.