Nën çatinë e Tedeskinëve, aty ku historia nuk pushon së jetuari
Në banesën më të vjetër të Durrësit, çdo copëz e saj ende ruan gjurmët e historisë. Aty ku dikur u ngrit Konsullata Austriake, farmacia e parë që shpërndante ilaçe falas dhe stacioni i parë meteorologjik i qytetit bregdetar, historia nuk ka mbaruar – ajo ka zgjedhur të jetojë.
            Oxhaku i banesën Tedeskini në Durrës. Foto: Media Amfora
Në çastin kur hap derën e banesës së vjetër në lagjen “Kala”, aroma e ëmbël e një keku përzihet me erën e drurit dhe gurëve që ruajnë më shumë se një shekull kujtesë. Alma Tedeskini, zonja e shtëpisë na pret në hyrjen e katit të dytë të saj me një buzëqeshje të ngrohtë. “Kam bërë diçka shtëpie,” thotë ajo me butësi.
Bashkëshorti i saj, Jozef Tedeskini na fton drejt dhomës kryesore, ku koha duket se ka ndalur për të ruajtur kujtesën. Një bibliotekë e vjetër, me rafte të mbushur me dorëshkrime e libra të trashë, mban erën e letërsisë së shekujve. Në mes të dhomës, një tavolinë e rëndë druri, me një vazo porcelani të bardhë, pasqyron përkujdesjen që kjo familje ka për detajet. Çdo objekt aty është rrëfim më vete, karriget me shpinore hekuri, piktura, rafti i librave që ende ruan rëndësinë e historisë dhe një dritë e butë që bie mbi faqet e zverdhura nga koha.
“Unë mund t’ju them se dëshmuar nga dokumentet kjo është një ndër ndërtesat më të vjetra që kanë mbetur në Durrës”, thotë Jozef Tedeskini, pasardhësi i drejtpërdrejtë i familjes që ka ruajtur këtë trashëgimi brez pas brezi.
Me një zë të ngrohtë e të qetë, ai e thotë këtë jo me krenari të tepruar, por me përgjegjësinë e atij që e di mirë peshën e historisë që mban mbi supe kjo shtëpi.
Datimi i banesës është i dokumentuar në hyrje të saj, viti 1843, por rrënjët janë edhe më të thella.
“Kuptohet që të parët e Tedeskinëve kanë ardhur më herët në Durrës sepse ata ishin ndër mjekët e parë të qytetit, të ardhur nga Shkodra dhe me origjinë nga Italia. Fillimisht kanë punuar si mjekë në Konsullatën e Venedikut në Durrës, e më vonë janë bërë zëvendëskonsuj të Venedikut. Me mbarimin e Republikës së Venedikut më 1897, pas pushtimit nga Austria, ata qëndruan përsëri në Durrës, tashmë si konsuj të Austrisë në këtë territor. Pothuajse për 50 vite kanë zhvilluar këtu aktivitetin e tyre”, shpjegoi ai.

Momentet më të rëndësishme të historisë së vendit e vendosin shtëpinë e Tedeskinëve përtej kufijve të kujtesës familjare- në zemër të zhvillimeve qytetare e shkencore të Durrësit.
“Është interesante që në këtë shtëpi, rreth viteve 1800, nuk kishte Kishë Katolike në Durrës”, tregon Jozef Tedeskini. “Për këtë arsye një pjesë e saj, një kënd i vogël, u kthye në kishë ku bëheshin ceremonitë fetare të katolikëve, paguhej prifti nga familja. Ishte e vetmja mënyrë që besimi të mos humbiste sepse në qytet nuk kishte asnjë vend tjetër ku mund të mblidheshin”, vijoi ai.
Rreth viteve 1800 Durrësi nuk ishte më vetëm një port i tregtisë, por po kthehej edhe në një port të dijes. Instalimi i pajisjeve të para meteorologjike në shtëpinë e Tedeskinëve shënoi një moment historik – qielli i qytetit nisi të monitorohej me instrumente shkencore. Nga korridoret e kësaj banese nisën të dërgohen drejt Austrisë të dhënat e para mbi klimën e qytetit buzë Adriatikut.
Shtëpia që shohim me dy kate, shkallë druri të brendshme dhe dritare që hapen mbi historinë, nuk ka qenë gjithmonë e tillë. Ajo u zgjerua dhe mori formën aktuale në mesin e shekullit XIX – një ndryshim që nuk i shpëtoi syrit të udhëtarëve evropianë.
“Shtëpia e vjetër e Tedeskinëve ka qenë një shtëpi shumë më e vogël”, rrëfen Jozefi. “Por më pas, në vitin 1843, ajo ka përfunduar si ndërtesë e madhe me hapësira të gjera. Këtë e vërtetojnë edhe disa udhëtarë të huaj që kanë ardhur në Shqipëri – ndër ta Johann Georg von Hahn dhe Josef Müller. Ky i fundit shkruante se, ‘nëse do të shihni Durrësin, gjërat që të bëjnë më shumë përshtypje janë porta e madhe e Jallisë me 60 magazina dhe brenda në qytet, shtëpia e konsullit Tedeskini, ndërtuar me fortësi të jashtëzakonshme’”, shtoi trashëgimtari i familjes.

Nga konsujt te albanologët, nga oborri i Habsburgëve te studiuesit gjermanë, shumë sy të huaj kanë parë në këtë shtëpi jo thjesht një vendbanim, por fytyrën më të qytetëruar të Durrësit të shekullit XIX.
“Kuptohet që duke qenë konsuj të Austrisë në Durrës, këtë shtëpi e kanë vizituar shumë personalitete”, tregoi Jozefi.
Johann Georg von Hahn ishte një albanolog dhe studiues austriak, ndër të parët që udhëtoi në territoret shqiptare për të përshkruar jetën, zakonet dhe qytetërimin e vendasve. Ndërsa Josef Müller, një mjek ushtarak dhe udhëtar në territoret ballkanike, e përshkruan Durrësin si një qytet portual që e magjepste me kontrastet mes detit, tregtisë dhe elegancës së banesave diplomatike.
Në shënimet e tij, ai shkruan se, “brenda në qytet mund të vështrosh shtëpinë e konsullit Tedeschini – një ndërtim me fortësi të jashtëzakonshme dhe madhështi të rrallë.”
Një banesë që për disa vite kishte ruajtur besimin, tani ruan edhe kuptimin e historisë, nën çatinë e Familjes Tedeschini (Tedeskini).
“Gjatë periudhës midis viteve 1868 dhe 1873, kjo shtëpi ka shërbyer si qendër meteorologjike”, tregoi Jozef Tedeskini, pasardhësi i gjeneratës së shtatë të familjes dhe kujdestari i sotëm i shtëpisë që mban mbi supe më shumë se dy shekuj histori.
“Kam gjetur dokumente që tregojnë se konsulli Balarini, që banonte këtu, solli për herë të parë në Shqipëri aparaturat për matjen e temperaturës, lagështisë dhe shpejtësisë së erës. Të dhënat dërgoheshin çdo ditë në Austri dhe botoheshin në gazetat e kohës”, shtoi ai.
Koha nuk e rrëzoi dot, por regjimi komunist e shtetëzoi, por për fat të mirë jo për shumë vite. Pas Luftës së Dytë Botërore, shtëpia e Tedeskinëve u shtetëzua.
Arsyeja zyrtare ishte absurde – “kishte mure shumë të trasha” – një shprehje që ende sot Jozefi e kujton me një buzëqeshje të hidhur.
“Në periudhën e komunizmit, në vitin 1946, e shtetëzuan me një farë preteksti që të bën të qeshësh – sepse nuk gjetën asnjë arsye tjetër, veçse ‘është shtëpi që i ka muret e trasha’.
Pastaj gjetëm një mënyrë – babai im, duke qenë avokat dhe jurist, me shumë përpjekje pas tre-katër vitesh e kemi rimarrë dhe vazhdon që të jetë pronë e familjes Tedeskini”, tha ai.
Nga brigjet e Abruzzos në Shkodrën e hershme dhe më pas në Durrësin e lashtë, Tedeskinët sollën dije, kulturë e fisnikëri – duke u bërë urë mes Italisë dhe Shqipërisë, mes qytetërimit të Adriatikut dhe shpirtit shqiptar që nuk harron rrënjët.

Për këtë familje, Media Amfora ka përgatitur më herët një “Pasaportë”, një dokument simbolik që mbledh historinë, gjurmët dhe dëshmitë e brezave të Tedeskinëve, duke i kthyer ato në pjesë të identitetit kulturor të Durrësit.
Pas dekadash që historia e shtëpisë u shkrua nga burrat e saj, ardhja e Almës, bashkëshortes së Jozefit, solli frymën e një epoke të re. Ajo nuk e pa shtëpinë vetëm si trashëgimi, por si një “shpirt” që duhej mbajtur gjallë gur pas guri, kujtim pas kujtimi.
“Alma është arsyeja pse kjo shtëpi vazhdon të qëndrojë në këmbë kështu siç e shihni”, tregoi Jozefi me sytë e përlotur pas kujtimit të të gjitha çasteve të kaluara aty, në një mëngjes fundi shtatori të ftohtë dhe me shiun e rrëmbyeshëm që çukiste banesën historike. Ajo e ka ruajtur çdo detaj, çdo fotografi, çdo mobilje sikur të ishte pjesë e trupit të saj.
Në vitin 1979, Alma nga një familje ortodokse durrsake hyri për herë të parë në këtë shtëpi si nuse.
“Kur kam hyrë në këtë shtëpi më është dukur një ëndërr, një përallë tamam si ‘Liza në botën e çudirave’, çudi ishte çdo detaj, mobilimi, shtëpia ishte goxha e vjetër e parestauruar fare, pasi më pas ndër vite ne kemi bërë shumë punime, por ishte akoma edhe më e bukur natyrale”, kujtoi zonja e shtëpisë.
Në çdo cep të shtëpisë së Tedeskinëve ruhet nga një histori që s’është shkruar kurrë, por është pëshpëritur mes brezash. Një nga më prekëset është ajo e dy kushërirave të Zefit – gra që u bënë simbol i qëndresës shpirtërore në një kohë heshtjeje.
Në Shqipërinë ku kishat ishin mbyllur e besimi fshihej nën frymë, ato zgjodhën besimin në Zot. Njëra, murgeshë e formuar në Firence, qëndroi me petkun e saj derisa mbylli sytë, ndërsa tjetra hoqi dorë nga jeta e saj për t’u kujdesur për të. Shtëpia u bë manastiri i tyre dhe lutjet e tyre, fryma që e mbajti gjallë shpirtin e adhurimit ndaj Zotit.
“Këtu jetonin dy kushërira të Zefit”, tregoi Alma Tedeskini. “Sot kur i tregon, janë gjëra të pabesueshme. Njëra prej tyre që ishte murgeshë, duke shërbyer si mësuese e gjuhës shqipe dhe historisë në Kuvendin e Motrave Stigmatine, që prej ditës kur u instalua komunizmi në Shqipëri u mbyll në banesë dhe nuk doli më prej saj për gati 50 vite. Ajo kishte studiuar në Firence dhe ka ndenjur me veshjen e saj – nuk ka dalë më asnjëherë nga shtëpia. E motra, për t’i qëndruar pranë nuk u martua kurrë. Të dyja jetuan këtu, duke ruajtur me përkushtim çdo kujtim dhe çdo histori të familjes”, kujtoi Alma.
Në një kohë kur lutja ishte ndaluar, dreka e parë e Almës në shtëpinë e Tedeskinëve u kthye në një moment simbolik – si një përplasje mes “botës së re” sipas versionit të komunizmit shqiptar dhe asaj që guxonte ende të lutej, përtej frymës së ndalimit të besimit në vend.
Ajo vetë ishte rritur në një familje ortodokse, ku besimi ruhej si relike në heshtje, por atë ditë, në mes të Durrësit të vitit 1979, u gjend përballë një realiteti që s’e kishte njohur kurrë: Një tavolinë ku lutja bëhej fshehurazi, por me zemrën plot.
“Dreka e parë ishte një përallë edhe pse unë jam ortodokse dhe nga gjyshërit kam trashëguar ritet fetare megjithëse të mbyllura, e të fshehura, në atë drekë u ngritëm në këmbë dhe bëhej ‘preghiera’ (lutja), pra ato nuk ezituan për drekën time të parë, por fytyra ime dhe reagimi ishte tamam si në botën e çudirave”, kujtoi Alma e përmallur.

Sipas tregimeve që ajo ka dëgjuar nga kushërirat e Zefit, shtëpia nuk ka qenë gjithmonë kjo që shihet aktualisht nëpërmjet së cilës njeh edhe shumë pjesë historie. Fillimisht ishte më e vogël, ajo u zgjerua më vonë në stilin venecian – me mure të trasha, dritare të thella dhe korridore të gjata plot dritë.
“Gurët” – vijoi Alma – “janë sjellë nga Venecia. Ato që mbetën, familja i’a dhuroi Kishës së Shën Luçisë këtu afër”.
Nga ajo kohë mes kishës dhe shtëpisë së Tedeskinëve u krijua një lidhje që nuk ishte thjesht fqinjësi, por një rit i heshtur qytetar, ku çdo të dielë pas meshës, nga dera e kishës deri tek porta e kësaj shtëpie shtrihej një tapet i kuq, ku kalonin miqtë e familjes dhe katolikët e vjetër të Durrësit për të shkëmbyer vizita.
Në vitet e sistemit komunist, banesa e Tedeskinëve u bë një ‘barrë” dhe një bekim njëkohësisht. Në një kohë kur e vjetra shihej si pengesë për “njeriun e ri”, Alma e re duhej të mbronte një trashëgimi që shumë e quanin të pavlefshme.
“Të gjithë komentonin aso kohe se isha martuar në një shtëpi të vjetër”, kujtoi Alma Tedeskini.
“Në atë kohë mundoheshin që shtëpinë nga jashtë ta linin të palyer, të parregulluar, madje e bënim vetë, që të mos binte në sy. Të gjithë thoshin, ‘S’ka ngelur njeri pa bërë shtëpi të re, ju akoma me këto rraqe”, kujtoi Alma duke qeshur njëkohësisht me bashkëshortin.
Pas viteve 1990, banesa rifitoi edhe një herë rolin e saj të hapur ndaj botës. Murgeshat italiane të Karitasit kërkuan të vendoseshin këtu dhe nisën të organizonin udhëtime për të sëmurët drejt San Giovanni Rotondo. Alma, që është edhe vetë mjeke, përgatiti epikrizat për rreth 2 mijë pacientë, ndërsa murgeshat ndihmonin me plotësimin e dokumentacionit.
“Ishte sikur historia e kësaj shtëpie po përsëritej, me një formë tjetër dashurie”, tha ajo.
Në librin e vizitorëve të banesës, ndër shumë shënime të udhëtarëve e gazetarëve, gjendet edhe një mbishkrim i imzot Ivan Dias: “Zoti e bekoftë këtë shtëpi” – Ai u emërua Nunci i parë Apostolik në Tiranë më 22 tetor 1991.
Në një faqe tjetër është kujtimi i takimit me Nënë Terezën, ku Alma dhe fëmijët e saj morën pjesë në meshën e saj të parë në Shqipëri.
“Ishte ora pesë e mëngjesit, por unë ndjeja sikur po hapnim dritën pas një errësire të gjatë dhe kam shkuar atje me fëmijët, nga ku kemi edhe një kujtim të pashlyer”, kujtoi ajo.
Sot, çdo dhomë e kësaj shtëpie ka zërin e vet. Dritaret e gjata që hapen mbi rrugicat e vjetra, tavolinat prej druri, raftet e librave që kanë përballuar dekada – të gjitha janë ruajtur me fanatizëm dhe dashuri. “Nuk kemi humbur as një gozhdë” – thotë Alma – “Në këtë shtëpi nuk hyhet për ta ndryshuar, por për ta kuptuar.”
Në korridorin e poshtëm, me një hap të vetëm hapet një dritë 18 metra e gjatë. “Të huajt që vijnë këtu na thonë gjithmonë: Mos ndryshoni asgjë”, shtoi ajo. Dhe vërtetë, është e vështirë të gjesh diçka që mund të ndryshohet në një shtëpi që duket sikur mban frymën e saj.
Prej vitesh banesa është kthyer në një vend takimi për miq, shkrimtarë, muzikantë. Anisa Markarian zgjodhi të promovojë librin e saj këtu, në oborrin ku u mblodhën mbi 100 persona, nën hijen e shtëpisë së vjetër që dikur priste konsuj e murgesha. “Shtëpia jonë ka jetuar me njerëzit dhe për njerëzit”, thotë Alma, ndërsa shërben kekun me banane.

Kjo shtëpi që ka qenë farmaci, kishë, konsullatë dhe stacion meteorologjik, ku çdo mur dhe objekt ruan ende kujtesën e viteve. Çdo gur është dëshmi e një qytetërimi që nuk ka vdekur dhe nëse Durrësi do të kishte një zemër që rreh për të kaluarën e tij, ajo do të gjendej këtu – mes historisë së gurëve të sjellë nga Venecia.