“Ndjesi”, Emjona Stasi sjell një univers artistik me gurë natyralë dhe pikturë
Ekspozita personale ‘Ndjesi’ e artistes Emjona Stasi sjell në Durrës një risi krijuese përmes veprave realizuar me gurë natyralë e terrakotë, por edhe pikturë tradicionale në vaj. Koleksioni prej 71 veprash ndërthur natyrën, emocionet njerëzore dhe motivet identitare, me fokus të veçantë qytetin e Durrësit.

Ekspozita 'Ndesi' e Emjona Stasi. Foto: Media Amfora
Më 8 tetor, Galeria e Artit Pamor ‘Nikolet Vasia’ u mbush me energji krijuese, teksa artistja Emjona Stasi çeli ekspozitën personale ‘Ndjesi’, një udhëtim artistik ku guralecët e bregdetit marrin formë, figurë dhe emocion.
“Kjo ekspozitë ka qenë e veçantë për mua, sepse vjen me një risi, pasi gati gjysma e veprave janë realizuar me guralecë të mbledhura në bregdetin e Durrësit”, u shpreh Emjona Stasi për Median Amfora.
Eksperimenti i artistes me materiale natyrore nuk është spontan, por rezultat i një procesi pune të gjatë dhe përkushtimi personal në kërkim të një gjuhe të re artistike.
“Është hera e parë që e sjell këtë teknikë në një ekspozitë personale. Kam tre vite që punoj me të dhe i jam përkushtuar shumë, sepse më jep mundësi të shpreh ndjesi ndryshe”, tha artistja.
Në atmosferën e një mbrëmjeje artistike, artdashës, kolegë të artistes dhe përfaqësues të institucioneve kulturore u bënë pjesë e hapjes së ekspozitës, e konceptuar dhe kuruar nga Suzana Varvarica Kuka.
Përveç risisë teknike, një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë lidhja emocionale e artistes me qytetin e saj, Durrësin, që shfaqet si frymëzim i natyrshëm në shumë prej veprave.
“Një pjesë e mirë e kompozimeve janë portrete dhe disa prej tyre i kushtohen qytetit tim- kryesisht Durrësit të vjetër, Amfiteatrit apo Portës së Kalasë- dhe më kanë dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme”, u shpreh Stasi.
Inspirimi i artistes vjen natyrshëm nga lidhja e saj me detin, i cili nuk është vetëm prani vizuale në veprat e saj, por edhe burim materiali dhe frymëzimi.
“Unë, si natyrë, e dua shumë detin dhe gjatë frekuentimit të tij mbledh guralecë me forma e ngjyra të ndryshme, ashtu siç mendoj se mund t’i fus në punë. Në fakt, kam krijuar një koleksion të madh dhe kam punuar me to”, shtoi ajo.
Në muret e galerisë, veprat shpalosin një larmi tematikash: nga peizazhi dhe kujtesa qytetare, te realiteti njerëzor dhe motivet popullore. Punime si ‘Rrugicë në Durrës’, ‘Zambakët e ujit’, ‘Vajza kolonjare’, ‘Vallë popullore’, ‘Loja me borë’, ‘Mbrëmje pranverore, ‘Kodra pranë Vithkuqit’, dhe ‘Ngjitja në Amfiteatër’ sjellin fragmente historie dhe emocioni që lidhen me jetën shqiptare dhe natyrën.

Puna me gurë dhe pikturë nuk ka qenë vetëm një sfidë teknike për artisten, por edhe një përvojë e thellë personale që e ka lidhur më shumë me procesin krijues dhe publikun.
“Më është dashur shumë punë për këto krijime, por ato më kanë dhënë një kënaqësi të madhe. Kam vënë re se ka shumë interes nga artdashësit durrsakë dhe të huaj gjatë këtyre ditëve; vizitorët tërhiqen si nga pikturat, ashtu edhe nga punimet me guralecë, sepse janë pjesë e natyrës dhe mbartin një emocion të veçantë që prek njerëzit”, tha Stasi.
Për artisten, lidhja me gurin nuk është thjesht zgjedhje materiale, por proces intuitiv dhe personal që lindi natyrshëm gjatë punës krijuese.
“Pasioni im për të punuar me gurin ka ardhur natyrshëm, si një lloj ngacmimi që më shtyu të krijoj ndryshe”, shtoi ajo.
Artistja e sheh artin si një territor ku nuk ka vend për imitimin; ndaj kërkimi i zërit personal artistik ka qenë qëllimi i saj kryesor.
“Nuk mund t’ia lejoj vetes të bëj diçka që e kam parë diku tjetër. Dua të sjell diçka ndryshe dhe them se e kam arritur, sepse kushdo që i ka parë punimet i ka shprehur pëlqimin”, theksoi ajo.
Në total, ekspozita përmban 71 punime, nga të cilat 35 janë realizuar me teknikën e gurit dhe terrakotës, ndërsa pjesa tjetër përfshin piktura në vaj që pasqyrojnë evolucionin e saj artistik përgjatë viteve.
Me një rrugëtim të gjatë krijues që prej vitit 1977, Emjona Stasi është një emër i njohur në artin shqiptar, me mbi 50 ekspozita të përbashkëta në Shqipëri dhe jashtë saj. Vlerësimi për punën e saj dëshmohet edhe nga prania e veprave në koleksione publike dhe private në vende si Italia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Gjermania, Holanda, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe pse kjo ekspozitë fokusohet në teknikën e gurit dhe pikturën në vaj, Stasi nuk e ka lënë mënjanë një tjetër dimension të krijimtarisë së saj- punën me pastel, të cilën e konsideron një hap tjetër në rrugëtimin e saj artistik.
“Unë trajtoj shumë edhe pastelin. Veprat me guralecë doja t’i ekspozoja për publikun bashkë me pikturat në vaj. Në ekspozitën tjetër do të vij ndoshta vetëm me pastel, sepse kam një numër të mirë veprash dhe e di që do të priten mirë nga artdashësit durrsakë”, përfundoi Stasi.

Interesi i publikut ka qenë i dukshëm që në ditët e para të çeljes, ndërsa vizitorët vazhdojnë t’i afrohen artit të Stasit me kureshtje dhe emocion. Ekspozita ‘Ndjesi’ mund të vizitohet deri më 26 tetor.