Ndërron jetë aktori dhe regjisori Naum Shundi
Është ndarë nga jeta aktori dhe regjisori Naun Shundi, i cili prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Shundi u shua në moshën 66-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në teatrin dhe kinematografinë shqiptare.

Aktori dhe regjisori Naum Shundi. Foto: Facebook Rajmonda Shundi- Dervishi
Paraditen e së enjtes ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare aktori dhe regjisori Naun Shundi. Familja e tij , me anë të një postimi në rrjetet sociale, bëri me dije se i dashuri i tyre mbylli sytë.
“Të nderuar miq, kolegë, artistë, spektatorë. Sot u nda nga jeta aktori, regjisori, dramaturgu Naun Shundi”, thuhej në postimin e bërë në rrjetin social Facebook nga Raimonda Dervishi-Shundi, më 28 gusht.
Aktori, regjisori dhe dramaturgu i njohur u nis muaj më parë drejt Francës për kurim, pasi u prek nga një sëmundje e rëndë, kanceri i lëkurës, ndërsa familja bëri thirrje për ndihmë financiare për të përballuar shpenzimet e trajtimit. Më 22 gusht Shundi u kthye në Shqipëri për të marrë trajtim në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, por sëmundja e rëndë i mori jetën, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Naun Shundi mbetet një nga figurat më të vlerësuara të skenës shqiptare, me kontribute të shumta në teatër dhe dramaturgji, si dhe themelues i një hapësire të veçantë kulturore përmes teatrit të tij.
Profil
1977 diplomohet regjisor në shkollën e Mesme të Kulturës. Në 1983 diplomohet aktor në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Emërohet aktor në Teatrin Kombëtar. Në 1985 transferohet si regjisor në Pallatin e Kulturës “Dardania” në Bajram Curri.
Në 1986 rikthehet në Teatrin Kombëtar.
1993-2000 emërohet Pedagog i mjeshtërisë së aktorit, regjisurës dhe fjalës artistike në degën e regjisë, Akademia e Arteve.
1995 – Specializim për regji pranë Teatrit Kombëtar Bukuresht dhe Katedrës së Regjisë në Akademinë e Teatrit e të Filmit në Bukuresht.
Rolet:
Ka kryer rreth 60 role prej të cilave mund të përmendim:
1983 – “Përballë vetes” (Ruzhdi Pulaha, Dhimitër Pecani)
1989 – Linke – “Kryqi i Bardhë “ (Breht, Kumbaro)
1990 – Çezari – “Natë me hënë” (Budina)
1991 – Luixhi – “Zgjimi” (Marko, Budina)
1991 – Ezopi -“Ezopi” (Figereida, Pecani)
1992 – Aldo -“Kush vjedh një këmbë, ka fat në dashuri” (Fo, Kutali)
1992 – Shtefan – “Loja e Pushimeve” (Sebastian, Kutali)
1993 – Fando -“Fando e Lis” (Arrabal, Qiriaqi
1993 – Urani – “Zoti godet me putër” (Bezhani, Kame – Teatri Bylis-Fier)
1994 – Martin – “Këngëtarja tullace” (Jonesko, Qiriaqi)
1995 – Bepe, Damian – “Oportunesku” (Mushatesku, Manolesku)
1995 – Skulptori – “Tiranozauri” (Trebeshina, Kame)
1996 – Aktori – “Në katin e dytë është parajsa” (Bezhani)
1998 – “Kopshti me dallendyshe” (Babis Cilkiropulos, Kiço Londo – Teatri Kombëtar)
1999 – Doktori Arshambo – “Darka e të marrëve” (Kame)
“Frike dhe mjerim në rajhun e tretë” (Breht)
“Si e mposhta Musolinin” (Haqif Mulliqi)
“Jo të gjithë hajdutët vijnë për të vjedhur” (Breht, Publimedia)
“Shtrigat e Salemit” (Spiro Duni, Teatri Kombëtar)
2006 – “Drejt perendimit”
2007 – “Kontrata” (Mrozhek)
2008 – “Fishkëllime në errësirë” (Spiro Duni)
Film i Fatmir Koçi-t, “Berberi”
“Darka e gabuar” (Fatos Haxhiraj)
“Zoopark” (Milto Kutali)
“Mysafiri i mallkuar” (Ilir Bezhani)
2010 -“Një tablo absurde” (Hysi, Milto Kutali)
2012 “Ëndrra e Ismail Qemalit” në rolin e Faik Konicës (Spiro Duni, Teatri Kombëtar)
2012 – “Henry IV (Globe to Globe, Ëorld Shakespeare Festival 2012)
2014 – “Liri në Bremen” (Fassbinder – Teatri Kombëtar)
2016 – “Tri Motrat“ (Teatri Kombëtar)