Ndërhyrje emergjente në Urën e Bunës, kërkohet ndalimi i qarkullimit të mjeteve motorike

Ura e Vjetër e Bunës po i nënshtrohet një projekti emergjent restaurimi në dyshemenë e saj, por sipas specialistëve nevojitet që të ndalohet qarkullimi i mjeteve motorike mbi urë, pasi bëhen shkak për dëmtimin e shpejtë të saj.

Prej pak ditësh në Urën e Vjetër të Bunës ka nisur puna për sistemimin e dyshemesë së dëmtuar dhe pjesëve të tjera të veprës së artit që është pjesë e historisë së Shkodrës.

“Punimet kanë të bëjnë me prishjen e dyshemesë së drurit, përgatitjen e vendosjes së lëndës së re drusore, zëvendësimin e të gjithë materialeve drusore të dëmtuara, lyerjen e sipërfaqes së drurit me antimol dhe vaj lini’’, shpjegoi Besara Podgorica, drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Shkodër. 

Punimet po realizohen në kuadër të projektit të titulluar, “Restaurimi dhe konservimi i pjesshëm në objektin Ura e Bunës, mbi lumin Bunë”, miratuar me vendimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, më datë 3 korrik të këtij viti dhe zbatuar nga Bashkia Shkodër. 

Ura e Vjetër mbi Lumin Buna është një lidhje e rëndësishme për komunitetin dhe ekonominë lokale, që kohët e fundit po rrezikohej së funksionuari si pasojë e amortizimit.

“Ura është një nyje e rëndësishme transporti që ndihmon në lidhjen e Shkodrës me Shirokën dhe dëmtimi i saj mund të shkaktonte probleme në qarkullimin dhe të krijonte vështirësi për banorët dhe vizitorët”, shpjegoi më tej Besara Podgorica, për Median Amfora.

DRTK Shkodër propozon që pas restaurimit të merren masa për të parandaluar dëmtime të mëtejshme të saj dhe për të ruajtur strukturën, duke ndaluar kalimin e mjeteve motorike mbi të.

“Kjo masë synon të mbrojë urën nga peshat e rënda dhe nga efektet e dëmshme të kalimit të automjeteve motorike, duke vënë sinjalistikën rrugore përkatëse”, shpjegoi Podgorica. 

Pas ndërhyrjes emergjente gjithashtu janë kërkuar disa masa shtesë që mund të ndihmojnë në përmirësimin dhe ruajtjen e gjendjes së saj në planin afatgjatë. 

“Do të duhet instalimi i sensorëve të monitorimit të vibracioneve për të identifikuar ndryshime të papritura në strukturën e urës në mënyrë më efektive. Aplikimi i materialeve të reja për përforcimin e elementeve ekzistuese, si përdorimi i përbërësve të karbonit për rritjen e qëndrueshmërisë”, sugjeroi më tej drejtuesja e DRTK Shkodër.

Pamje nga Kalaja e Shkodrës e Urës së Vjetër të Bunës. Foto: Media Amfora

Monumenti “Ura e Bunës” njihet midis komunitetit shkodran si “Ura e Vjetër e Bunës” pas ndërtimit të urës moderne jo larg prej saj. Sipas autoriteteve të kulturës ajo u ndërtua me fondet e qeverisë turke në vitin 1889, falë iniciativës së guvernatorit të Shkodrës, Qazim Pasha, në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së asaj kohe, Bejtashagë Kazazi.

Ndërhyrja emergjente në Urën e Vjetër të Bunës synon përmirësimin e kushteve të sigurisë së saj. Ekipi i inxhinierëve dhe specialistëve të DRTK Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Bashkisë Shkodër, kanë kryer një vlerësim të plotë të gjendjes së urës, për të identifikuar dëmtimet e dërrasave dhe elementeve strukturore të saj dhe po punojnë bashkërisht që ndërhyrja të jetë e qëndrueshme. 

Ndërhyrja që ka nisur pritet të zgjasë 2 javë në total dhe sipas projektit teknik do të bëhet zëvendësimi i 105 dërrasave të dëmtuara dhe do të kryhet lyerja e të gjithë trasesë së urës që ndihmon në ruajtjen e dërrasave nga dëmtimi për shkak të kushteve atmosferike. 

“Gjendja e dëmtuar e urës përbënte një rrezik të madh për kalimtarët dhe dëmtimet e dërrasave dhe elementeve strukturore mund të çonin në aksidente serioze”, konstatoi Podgorica. 

Si një strukturë e rëndësishme historike, Ura e Vjetër Bunës ka vlera kulturore dhe historike për komunitetin. Ruajtja e saj vlerësohet si prioritet jo vetëm për të mbrojtur këtë trashëgimi, por edhe për të zhvilluar si një atraksion turistik për zonën e Shkodrës dhe të Shirokës. 

Për ndërtimin e urës u ngritën këmbë çimentoje të lidhura me trarë hekuri, si edhe dërrasa për shtrimin e pjesës së sipërme të saj. Ajo është hapur me anë të një mekanizmi manual, hapja e së cilës në fillim shërbeu si mbrojtje nga rreziku malazez dhe më vonë për të bërë të mundur lëvizjen e varkave nga Lumi Buna drejt Liqenit të Shkodrës dhe anasjelltas.

Ura e Bunës u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Dytë me një vendim të vitit 2010 dhe sot është një vepër arti që mbrohet nga shteti. Por urat historike të Shkodrës po përballen me rreziqe të shtuara si pasojë e amortizimit dhe kushteve atmosferike. 

Në anën tjetër, Ura e Bahçallëkut humbi një pjesë të saj në nëntor të vitit 2022 pas vërshimit të lumenjve dhe rrezikon ekzistencën e saj pasi i shembën 60 metra nga struktura e saj. Por 2 vite nga ngjarja nuk ka më asnjë shpresë për shpëtimin e saj, në mungesë të projekteve restauruese dhe masave parandaluese.  


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109