Ndalimi i TikTok: Kërcënon lirinë e shprehjes përpara zgjedhjeve të 11 majit

Ndalimi i përdorimit të rrjetit social “TikTok” në vendin tonë pas vendimit të qeverisë shqiptare, është kundërshtuar nga rrjeti në mbrojtje të medias dhe nga disa organizata të shoqërisë civile. Ata u shprehën kundër këtij vendimi, duke e cilësuar si një kërcënim të lirisë shprehjes përpara zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të mbahen në muajin maj.
21 organizata nga Shqipëria, rajoni dhe bota me anë të një deklarate të bërë publike për mediat mesditën e së martës, shprehën shqetësimin serioz lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për të pezulluar aksesin në platformën TikTok në shkallë kombëtare për 12 muaj.
Më 6 mars 2025 Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së qeverisë prezantoi vendimin, duke deklaruar se brenda pak ditësh Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën e njohur kineze, TikTok. Vendimi erdhi sipas Manastrirliut pas konsultave me prindërit.
“Ne kemi zhvilluar një sërë takimesh konsultative me prindër, rreth 65 mijë prindër të pyetur në mbi 1300 takime për efektet që lidhen me sigurinë në mjedisin digjital dhe efektet negative që rrjetet sociale dhe platformat të cilat kanë përmbajtje të pakontrolluara, mund të sjellin në shëndetin psiko-emocional të fëmijëve”, u shpreh ajo.
Por organizatat e shoqërisë civile dhe të drejtave të njeriut u shprehen në një deklaratë se mirëkuptohet synimi për të mbrojtur fëmijët, por duhet të respektohen plotësisht të drejtat themelore të njeriut.
“Duke e mriëkuptuar synimin e pohuar të qeverisë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme dhe për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale, theksojmë me forcë se masa të tilla mbrojtëse duhet të respektojnë plotësisht të drejtat themelore të njeriut, veçanërisht lirinë e shprehjes, aksesin në informacion dhe procesin e rregullt ligjor”, thuhet në deklaratë.
Sipas tyre ndalimi i plotë i një platforme përfaqëson një kufizim ekstrem të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion.
“Pezullimi në tëresi i një platforme të tërë tejkalon ndjeshëm parimin e proporcionalitetit, duke ndikuar në shprehjen legjitime të të gjithë përdoruesve dhe duke kufizuar debatin publik si dhe aksesin në burime të ndryshme informacioni”, shtohet më tej në deklaratë.
Kundër vendimit për mbylljen e TikTok-ut, organizatat paraqesin në deklaratë zgjidhje alternative të synuara, si moderimi i përmbajtjes, verifikimi i moshës dhe programe të përmirësuara të edukimit të përdoruesve, duhet të ishin shqyrtuar përpara se të vendosej një ndalim i përgjithshëm.
“Natyra e gjerë e kësaj mase krijon një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen joproporcionale të shtetit në të drejtat digjitale”, shtoi deklarata e organizatave që reaguan përmes Platformës për Reagim të Shpejtë të Këshillit të Evropës.
21 organizata nga Shqipëria, rajoni dhe bota firmosën deklaratën sipas së cilës, si një vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria pritet të respektojë standardet evropiane për shtetin e së drejtës dhe liritë themelore.
Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në maj 2025, momenti i këtij pezullimi është veçanërisht shqetësues sipas tyre.
“TikTok është shndërruar në një platformë në rritje për komunikimin politik dhe angazhimin e votuesve, veçanërisht për të rinjtë, votuesit për herë të parë dhe partitë politike apo lëvizjet e reja, të cilat argumentojnë se do të preken në mënyrë joproporcionale”, shtoi deklarata.
Debatet e krijuara kanë përfshirë edhe politikën në vend. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur kundër mbylljes së TikTok-ut, duke thirur edhe një tubim, në shenjë proteste.
“Akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe”, u shpreh Berisha.