Ndahet nga jeta regjisori Dhimitër Anagnosti
Është ndarë nga jeta regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti, një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, autor i filmave që lanë gjurmë në kulturën kombëtare.

Dhimitër Anagnosti. Foto: Juna Anagnosti
Juna Anagnosti, vajza e regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti, njoftoi të hënën ndarjen nga jeta të babait të saj, i cili u shua në moshën 89-vjeçare.
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
Regjisor i shumë filmave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme tek të gjitha brezat, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” dhe të tjerë, Anagnosti u shua pas një lëngimi të gjatë. Ai ishte i martuar me aktoren e njohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.
Për cilësitë e rralla artistike, qëndrimin qytetar dhe veprat dinjitoze, ai u nderua me titullin “Artist i Popullit” dhe u vlerësua me dekoratat “Nderi i Kombit” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Përveçse regjisor, Anagnosti dha kontribut edhe në politikë. Ai ishte deputet i Partisë Demokratike në vitet 1991–1996. Më 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post që e mbajti deri më 4 dhjetor 1994, kur dha dorëheqjen.
Anagnosti ishte gjithashtu ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”.
Për ndarjen e tij nga jeta kanë shprehur ngushëllime emra të njohur të artit, kulturës dhe jetës publike në vend, por edhe qytetarë që e kanë ndjekur nëpërmjet filmave dhe krijimtarisë së tij artistike.
Jeta dhe krijimtaria
Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno, të Himarës më 23 janar 1936.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.
Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me “Çmimin e Parë” në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”.
Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10 të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen.
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.