Ndahet nga jeta regjisori dhe skenaristi, Leka Bungo
Të mërkurën ndërroi jetë regjisori dhe skenaristi i njohur, Leka Bungo. Ai mbylli sytë në moshën 81-vjeçare duke lënë pas gjurmë artistike edhe si aktor.

Leka Bungo gjatë një interviste televizive. Foto: Kortezie
Regjisori Leka Bungo u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Lajmin e bënë të ditur familjarët e tij përmes rrjeteve sociale, ndërsa ceremonia mortore zhvillohet në varrezat e Sharrës në Tiranë, ku regjisori përcillet për në banesën e fundit.
Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe mbetet një prej figurave më të spikatura të artit shqiptar, me një karrierë të pasur në teatër, film edhe televizion. Ai përfundoi studimet për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas ndoqi një kurs regjie në Institutin e Lartë të Arteve.
Gjatë viteve të tij krijuese, ai punoi si regjisor në teatrin “Bylis” në Fier dhe më vonë në Estradën e Shtetit, ku solli shfaqje me tematikë sociale dhe nota të theksuara satire. Pas viteve ’90, themeloi teatrin privat “Rubairat” pranë Teatrit Kombëtar, një përpjekje për të sjellë risi në skenën shqiptare, që megjithatë nuk arriti të mbijetonte gjatë.
Në vitin 2002 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vazhdoi të qëndronte aktiv në botën e artit. Ai është autor i disa dramave dhe skenarëve filmikë, përfshirë “Pabesia” dhe “Pas fasadës”, ndërsa mbahet mend për rolin e Bardhylit në filmin “Një djalë edhe një vajzë”.