Ndahet nga jeta gazetarja Rezarta Reçi, zë i pasionit dhe profesionalizmit

Rezarta Reçi, gazetare dhe moderatore e njohur, u nda nga jeta në moshën 64 vjeçare. Ajo u dallua për kontributin e saj afatgjatë në median shqiptare, veçanërisht në radio dhe televizion, dedeikuar gazetarisë kulturore.

Gazetarja dhe moderatorja Rezarta Reçi u nda nga jeta më 1 shkurt 2026, në Tiranë, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, në moshën 64-vjeçare.

“Rezarta jonë u shua në paqe mes njerëzve të zemrës, dashurisë, respektit dhe përkushtimit të miqve, të afërmve dhe mjekëve që i qëndruan pranë në të gjithë sfidën e saj të viteve të fundit”, njoftoi familja Reçi.

Gazetarja humbi jetën pas një beteje të gjatë me kancerin e gjirit, ndërsa gjatë dy viteve të fundit e kishte kthyer publikisht këtë përballje në një kauzë ndërgjegjësimi.

Për ndarjen nga jeta të gazetares Rezarta Reçi ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, duke shprehur dhimbjen për humbjen e koleges.

Rezarta Reçi u përket atyre gazetareve që ndërtuan profilin profesional mes radios dhe televizionit, duke lënë gjurmë të dallueshme në disa studio mediatike dhe në kujtesën e audiencës shqiptare. Më shumë se dy dekada më parë, ajo komunikoi me dëgjuesit përmes Radio Tiranës, në emisionin “Tema dhe Dilema”, ku u dallua për qasjen e saj ndaj debatit publik dhe mendimit intelektual.

Në vitet që pasuan, Reçi u bë një figurë e respektuar e medias vendore në Durrës, duke mishëruar modelin e gazetares së kultivuar dhe komunikimit të matur. Një nga projektet e saj më jetëgjata dhe më të njohura mbeti emisioni “Arratia e peshkut të kuq”, një format origjinal që, pavarësisht ndryshimit të ekraneve, ruajti vazhdimësinë dhe identitetin e tij për shumë vite transmetimi.

Gjatë karrierës së saj, Rezarta Reçi realizoi një fond të pasur intervistash, dokumentarësh dhe përshkrimesh radiofonike e televizive, kushtuar figurave të artit dhe kulturës shqiptare. Ajo la gjithashtu gjurmë në shtypin e shkruar dhe në botime autoriale, duke pasuruar më tej kontributin e saj profesional.

Përveç punës si gazetare dhe moderatore, Reçi ishte edhe autore librash. Ajo ka botuar dy vepra, “Kolonë Zanore” dhe “Zhbërja”, që pasqyrojnë eksperiencat e saj profesionale dhe reflektime mbi jetën.

Në vitet e fundit, ajo ndau publikisht përvojën e saj me kancerin e gjirit, duke u kthyer në një zë ndërgjegjësimi dhe force për shumë gra dhe vajza.

Edhe gjatë përballjes me sëmundjen, Rezarta Reçi u kujtua nga kolegët si një gazetare që ruajti dinjitetin, përkushtimin dhe pasionin për profesionin, duke u kthyer në një shembull qëndrese njerëzore dhe profesionale.