Mungesa e transportit lë pa mësim nxënësit e Porto-Romanos, prindërit në protestë
Prindërit e nxënësve të shkollës 9-vjeçare në Porto Romano protestuan në Durrës. Ata kundërshtuan heqjen e transportit, që i la fëmijët pa mësim në ditën e parë të vitit shkollor.

Gjatë protestës të organizuar nga prindërit në Porto Romano. Foto: Media Amfora
Një grup prindërish të nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” në Porto Romano, Durrës, protestuan të martën kundër heqjes së transportit të dedikuar, që u mundësonte fëmijëve të ndiqnin mësimin në një shkollë tjetër gjatë periudhës së rindërtimit të ndërtesës së shkollës ekzistuese.
“Kam tre fëmijë që duhet të udhëtojnë për në shkollën e Spitallës, disa stacione larg, por janë ende shumë të vegjël për të përdorur transportin publik. Unë dhe gruaja jemi në punë dhe nuk mund t’i shoqërojmë çdo ditë”, tha një prind i ri nga Porto Romano.
185 nxënës të shkollës 9-vjeçare, përfshirë ciklin parashkollor nuk e kanë nisur ende vitin e ri shkollor, pasi transporti që Zyra Vendore Arsimore e Durrësit mundësonte nëpërmjet bashkisë së qytetit nuk është siguruar për këtë vit të ri arsimor.
Shkolla ku mësojnë fëmijët e kësaj zone ndodhet në proces rindërtimi që prej muajit shkurt të vitit të kaluar dhe nxënësit e zhvillojnë mësimin pasdite në shkollën “Neim Babameto”. Prindërit ankohen se janë gjetur krejtësisht të papwrgatitur, pasi vitin e kaluar nxënësit transportin e kishin të dedikuar dhe organizohej nga mësuesit, ndërsa për këtë vit nuk u është siguruar.
“Të premten që shkoi ndërsa bënim gati fëmijët për ditën e parë të shkollës, na erdhi lajmi se për këtë vit nuk ka fare transport. Kjo na gjeti në befasi, pasi nuk dimë se si do ti dërgojmë fëmijët vetëm në shkollë, janë ende të vegjël për të përdorur transport publik”, u shpreh një tjetër prind gjatë protestës.
Sipas tyre vendimi është njoftuar në shkollë nga Zyra Vendore Arsimore e Durrësit me pretendimin se zona është urbane, brenda territorit të Bashkisë së Durrësit dhe nxënësit mund të përdorin transportin publik, gjë e cila kundërshtohet nga prindërit.
“Nxënësit nuk janë në gjimnaz, janë të vegjël. Si mund ta lë fëmijën tim në klasë të parë me autobus urban të iki vetë në shkollë?!”, pyeti me shqetësim një tjetër prind në protestë.
Prindërit thanë se pagesa e biletave ose e aboneve mujore është një barrë e rëndë, që shumë familje nuk e përballojnë.
“Mirë që do jemi çdo ditë në ankth se si do të ikin fëmijët vetëm në shkollë nëpër autobusa, por edhe kosto ka për familjen time sepse unë kam tre fëmijë në shkollë dhe llogaritë t’i bëjë vetë bashkia”, u shpreh një tjetër prind gjatë protesës.
Në krah të prindërve doli gjatë protestës edhe një prej mësuesve të shkollës.
“Vitin e kaluar kishim tre autobusë që ishin vënë në shërbim për të çuar dhe kthyer nxënësit nga shkolla. Kjo na krijonte mundësinë që ne si mësues të organizoheshim për ti mbledhur nxënësit, por në kushtet kur këtë vit sdo ketë fare transport për ta nuk dimë se si mund të organizohet puna”, tha Petrit Biba, mësues i lëndës Histori-Gjeografi.
Media Amfora pyeti rreth kësaj çështje Zyrën Vendore Arsimore në Durrës, por nuk morri përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Shkolla 9-vjeçare “Met Hasa” po rindërtohet me një investim financuar nga Bashkia Durrës me vlerë rreth 229.7 milionë lekë me TVSH, ndërsa punimet pritet të përfundojnë janarin e vitit të ardhshëm.