Monumenti gjysmë i shkatërruar në Porto-Romano, “i burgosur” brenda portit të hidrokarbureve

Monumenti i Kulturës i Kategorisë së Parë që njihet si “Muret e Portës” dhe që mendohet të jetë ndërtuar në shekullin V të Erës Sonë, pasi u shemb pjesërisht nga koncensionari që po ndërton portin e hidrokarbureve në Porto-Romano, Durrës, ka mbetur brenda rrethimit portual dhe përdoret si një shesh magazinimi.

Nga larg duket si një fortifikim që i ka mbijetuar sulmeve të kohëve të fundit. Një kullë katërkëndore dhe një linjë muri është ajo që ka mbetur nga gërmimet e kryera për ndërtimin e portit të hidrokarbureve nga “Shoqëria koncesionare Porti MBM (Multi Buoy Mooring)”, një bashkim operatorësh i udhëhequr nga konglomerati “Kastrati Group”. 

Nga ana tjetër Durrësi priti dhe përcolli vitin e kaluar sipas pretendimit të autoriteteve rreth 1 milion vizitorë, ndërsa këtë vit syonohet që kjo shifër të tejkalohet. Por ndërsa vizionet janë të mëdha, autoritetet duket se e kanë braktisur monumentin antik në Porto-Romano, i shpallur i tillë që prej vitit 1948.

Monumenti i kulturës gjysmë i shkatërruar në Porto-Romano. Foto: Media Amfora

Me përfundimin e punimeve kryesore për ndërtimin e portit, monumenti gjendet brenda rrethimit dhe jashtë parashikimeve ligjore për mbrojtjen e tij, që do të ishin një perimetër i dedikuar, sinjalizimet se është monument kulture, tabela informuese dhe rruga e dedikuar që do të lejonte vizitimin e tij.

Media Amfora zbuloi vitin e kaluar se monumentit që ishte në këmbë prej të paktën 16 shekujsh, i ishte shkatërruar pjesa simbolike, ajo e portës hyrëse. Gjatë punimeve për ndërtimin e portit ishin rrafshuar rreth 25 metra mur antik, mbi të cilat ngrihej porta hyrëse, dikur e kuruar me qemer.   

Megjithëse Monument Kulture i Kategorisë së Parë ai shërben si një shesh parkimi. Foto: Media Amfora

Ajo që ka mbetur sot nga monumenti është mbuluar nga bimësia dhe pluhrat e shumta të shkaktuara nga materialet e depozituara në port. Ndërsa mbeturinat industriale gati duken si pjesë e fortifikimit që i dha emrin zonës.

Muri rrethues dikur fortifikonte një rrip toke midis detit dhe kënetës në Porto-Romano, rreth 7 kilometra në veri të Durrësit, duke e mbrojtur nga zbarkimet e papritura të anijeve armike.     

Pozicionimi i portit të hidrokarbureve. Foto: Media Amfora

Ndërsa linja e mbetur është kthyer prej kohësh në një vend parkimi për automjetet portuale dhe për meterialet në funksion të tij, autoritetet e kulturës nuk kanë reaguar deri më sot për situatën e krijuar apo për masat e marra ndaj përgjegjësve.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109