Mbetjet e rrezikshme në një tjetër zonë të banuar, pa sqarim publik 

Mbetjet që dolën nga Shqipëria si material industrial, por që dyshohen si të rrezikshme, janë zhvendosur sërish. Këtë herë, ato janë transferuar pranë një tjetër zone të banuar në Durrës, ndërsa institucionet nuk kanë dhënë një shpjegim publik për vendimmarrjen.

Janë zhvendosur të dielën në zonën e Spitallës, pranë Shënavlashit në Durrës, 102 kontejnerë me rreth 2,800 ton mbetje të rrezikshme industriale të kompanisë Kurum International, të cilat më herët ndodheshin në Porto Romano dhe janë transferuar me urdhër të Prokurorisë së Durrësit në një ambient tjetër privat po në zonë të banuara.

“Ajo që ngre shqetësim është fakti se këto mbetje po zhvendosen vetëm pak metra larg sitit të ri të pallateve të ndërtuara për familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti”, reagioi Partia Demokratike Dega në Durrës në një deklaratë publike.  

 Sipas reagimi, procesi është zhvilluar pa transparencë dhe pa informim për komunitetin lokal.

“Momentalisht nuk raportohet për prani të forcave të sigurisë apo policisë që të shoqërojnë transportin e këtyre kontejnerëve. Asnjë transparencë publike. Asnjë sqarim për banorët e zonës”, thuhet në deklaratë. 

Zhvendosja e kontejnerëve shënon një tjetër lëvizje në një çështje që prej muajsh është nën hetim penal dhe që ka përfshirë institucione publike, kompani private dhe struktura të kontrollit mjedisor.

Këto mbetje janë pjesë e një ngarkese prej 102 kontejnerësh që u nisën nga Porti i Durrësit në vitin 2024 drejt Tajlandës si material industrial i deklaruar si i padëmshëm, por u kthyen në Shqipëri pasi nuk u pranuan në destinacion. Pas kthimit, ato u vendosën nën sekuestro dhe u depozituan në Porto Romano, ndërsa nisën verifikimet mbi përmbajtjen dhe mënyrën e eksportimit.

Hetimi i Prokurorisë së Durrësit zbuloi se mbetjet ishin eksportuar përmes klasifikimit të rremë, duke kaluar nëpër institucione si mall tregtar dhe jo si mbetje të rrezikshme. Në kuadër të këtij hetimi u vendosën 33 masa sigurie ndaj zyrtarëve dhe përfaqësuesve të kompanive të përfshira, përfshirë drejtues të Kurum International, përfaqësues të kompanisë “Sokolaj” dhe punonjës të institucioneve publike, ndërsa një pjesë e tyre u arrestuan dhe të tjerë u shpallën në kërkim.

Analizat laboratorike të kryera jashtë vendit konfirmuan se bëhet fjalë për mbetje toksike dhe të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin, duke e thelluar dimensionin e kësaj çështjeje përtej një shkeljeje administrative.

Më 12 shkurt, Amfora iu drejtua zyrtarisht Prokurorisë së Durrësit për të marrë informacion mbi vendndodhjen e ardhshme të këtyre mbetjeve, por nuk mori përgjigje. Zhvendosja e tyre në një zonë tjetër pranë banesave ndodh pa një komunikim paraprak publik mbi arsyet dhe kriteret e përzgjedhjes së këtij lokacioni.

Mbetjet e rrezikshme në zonën e Porto-Romanos. Foto: Media Amfora

Kontejnerët janë vendosur në një zonë që pritet të marrë një zhvillim të madh urban, pranë Spitallës, përballë lagjes së re të ndërtuar për familjet e prekura nga tërmeti. Në vendndodhjen e re, ato mbeten të rrezikshme, ndërsa nuk ka informacion mbi afatin e qëndrimit të tyre apo mbi mënyrën se si do të menaxhohen në vijim.

Çështja vijon të jetë nën hetim nga Prokuroria e Durrësit, ndërsa vendimmarrja përfundimtare për trajtimin e mbetjeve nuk është bërë ende publike.