“Mbetjet e rrezikshme” mbeten në det, prokuroria dikton procesin për të cilin kërkohet transparencë

Anija me 102 kontejnerë me mbetje që dyshohen si “të rrezikshme”, mbërriti këtë mëngjes në Durrës dhe pret të depozitojë ngarkesën. Teksa Prokuroria ka kërkuar monitorimin e tyre dhe që ngarkesa të mos hapet, “Rrjeti i Veprimit të Bazelit” u bëri thirrje nga Durrësi autoriteteve shqiptare që të bëjnë një hapje publike të kontejnerëve dhe të merren mostra për analiza të pavarura.

Anija “Moliva”, preku ujërat shqiptare rreth orës 8 të mëngjesit të së hënës dhe u pozicionua në radë, në pritje të një vendimi për të ankoruar në Portin e Durrësit tonelatat me mbetje që dyshohen si “të rrezikshme”.

Pak milje nga Durrësi, ajo po e kalon natën e parë përballë qytetit, duke mbajtur mbi kuverdë 102 kontenierë që dyshohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme. Pas daljes së saj pa zhurmë nga porti me destinacion Tajlandën, këtë verë, organizata mjedisore “Basel Action Network” (BAN – “Rrjeti i Veprimit të Bazelit”) e zbuloi dhe ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme me burim hirin e oxhaqeve metalurgjike elektrike (“EAFD”).

Dejtori i BAN-it, Jim Puckett, doli në një konferencë për shtyp gjatë paradites të së hënës, ku kërkoi që kontejnerët të hapen dhe të merren mostra. 

“U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të bëjnë një hapje publike të kontejnerëve dhe marrjen e mostrave nga ngarkesa për të siguruar një proces transparent të marrjes së mostrave dhe analizave”, tha ai përpara gazetarëve.

Jim Puckett, drejtori ekzekutiv i “Rrjetit të Veprimit të Bazelit”. Foto: Media Amfora

Megjithëse nga radio u dëgjuan thirrjet e kapitenit për leje për t’u ankoruar brenda portit, atij ju kërkua që të qëndrojë në radën e Durrësit, pak milje larg qytetit, me sa duket në pritje të marrjes së masave për “sekuestrimin” e ngarkesës.

Prokuroria e Durrësit më 26 tetor njoftoi autoritetet që të marrin masa për sekuestrimin e kontejnerëve në lidhje me procedimin penal nr. 1596/2024. 

“Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt, si për sa i përket sigurisë mjedisore edhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestrua të mbahen në gjendjen që janë, pa u proceduar me hapjen e tyre”, kërkoi prokuroria.

Organizatat jo qeveritare ndërkombëtare kërkuan një mostër të ngarkesës, që ta vlerësojnë në mënyrë të pavarur, për të konfirmuar rrezikshmërinë ose jo të mbetjeve. 

“Ne jemi 100% të sigurt se këto mbetje nuk duhej të ishin eksportuar kurrë në Tajlandë”, u shpreh Jim Puckett, drejtori ekzekutiv i BAN, duke shtuar se tashmë që u kthyen në vendin e origjinës duhet vlerësuar me kujdes rrezikshmëria e tyre.

“Tani që anija u kthye, është jetike që të bëjmë një analizë të plotë dhe transparente të përbërësve të këtyre mbetjeve, të mësojmë se kush i ka prodhuar dhe kush është përgjegjës për transportin, pa paketimin dhe njoftimin e duhur, në shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar”, shtoi ai. 

Prokuroria e Durrësit ka nisur më herët një hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet që sipas saj ishin të parrezikshme, nga kompania “Kurum International”, e profilizuar në pordhimin e shufrave të hekurit. Ndërsa kompania “Kurum” ka mohuar që të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme.

Dejtori i BAN-it, Jim Puckett, kërkoi gjithashtu krahasimin e “gjurmës kimike të mbetjeve me burime të njohura për mbetjet në Shqipëri, për të identifikuar qartë se kush i ka gjeneruar”.

Sipas tij dhe ekspertëve të “Rrjetit të Veprimit të Bazelit”, duhen marrë masa që mbetjet të depozitohen në një landfill të specializuar dhe të sigurohet trajtimi i tyre sipas standardeve.

“Mbetjet toksike duhet të depozitohen në një landfill të posaçëm për trajtimin e këtyre mbetjeve. Plani për ti dërguar në Tajlandë ishte që fabrika ku do të shkonin të bënte vetëm ndarjen e zinkut dhe mbetjet e tjera të mos trajtoheshin”, përfundoi ai. 

Qeveria shqiptare më herët e shmangu përgjegjësinë dhe Ministria e Infrastrukturës, së bashku me atë të Turizmit dhe Mjedisit, pretenduan se të gjitha procedurat e eksportit ishin kryer në rregull.  


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109