Manastiri “Fjetja e Shën Mërisë”, thesari i Lunxhërisë që po rilind

Manastiri “Fjetja e Shën Mërisë” Monument Kulture i Kategorisë së Parë që ndodhet në Gjirokastër, po i nënshtrohet një procesi reastaurimi të plotë dhe shumë shpejt do të jetë në pritje të vizitorëve.

Manastiri Fjeta e Shën Mërisë përpara nisjes së restaurimit. Foto: Media Amfora

Fjetja e Shën Mërisë, një nga monumentet e trashëgimisë kulturore më të njohura në jug të vendit, po i nënshtrohet një procesi restaurimi të plotë që synon që ta rikthejë në shkëlqimin e dikurshëm me një sërë ndërhyrjesh që kanë nisur dhe po vijojnë.

“Në mes të muajit korrik ka përfunduar puna me çatinë e hajatit dhe më pas ka vijuar puna në narteks”, tregoi Ardis Duka, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Gjirokastër. Ndërhyrja është vlerësuar si thelbësore për ruajtjen e objektit nga degradimi i mëtejshëm, por edhe për të garantuar qëndrueshmërinë e strukturës dhe sigurinë e vizitorëve.  

Manastiri i ndërtuar në vitin 1634, është Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe mbart vlera të rëndësishme arkitekturore, artistike dhe shpirtërore për zonën e Lunxhërisë dhe kishte nevojë prej vitesh për ndërhyrje.

Gjatë punës restauruese në Manastririn Fjeta e Shën Mërisë. Foto: DRTK Gjirokastër
Gjatë punës restauruese në Manastirin Fjeta e Shën Mërisë. Foto: DRTK Gjirokastër

“Objekti për vite me radhë ka pasur probleme serioze. Gjendja strukturore ka qenë e rënduar dhe nevojitej një ndërhyrje që jo vetëm e shpëtonte nga rreziku, por edhe e rikthen në identitet”, shtoi Duka për Median Amfora. 

“Manastiri Fjetja e Shën Mërisë” është i njohur ndryshe si “Manastiri i Spilesë” dhe ndodhet rreth 20 kilometra në lindje të Gjirokastrës, në fshatin Saraqinisht, në shpatin e Malit Lunxhëria.  Manastiri është ndërtuar në mesin e shekullit XVII dhe është një ndër monumentet e kulturës më të vjetra në Lunxhëri, e po ashtu në jug të vendit tonë. Ai ngrihet mbi një masiv shkëmbor gëlqeror që përmban shpellat karstike ku dikur jetonin eremitët, të njohur si murgj të izoluar në përkushtimin shpirtëror.

Punimet po realizohen falë një projekti restaurimi ku përfshihen ndërhyrje strukturore, hidroizolim, konservim afreskesh dhe rijetëzim të elementëve arkitekturore për ruajtjen e monumentit dhe sigurinë e vizitorëve.

Manastiri Fjeta e Shën Mërisë dhe në shpatin e malit, shpella e eremitëve, përpara nisjes së restaurimit. Foto: Media Amfora
Manastiri Fjeta e Shën Mërisë dhe në shpatin e malit, shpella e eremitëve, përpara nisjes së restaurimit. Foto: Media Amfora

Struktura e tipit kryq me kupolë dhe dimensioner e saj të brendshme, të mbushura me afreske të realizuara nga piktor Mihali, gjatë kohës së Peshkopit Kalist, e bëjnë manastririn një objekt mjaft të vizituar.

“Interesi është i lartë, sidomos nga vizitorët që ndjekin itinerare të trashëgimisë kulturore. Aksesueshmëria është një sfidë, por prezenca e vizitorëve nuk mungon në objekt”, shpjegoi drejtori i DRTK Gjirokastër.

Pranë manastirit përgjatë vitit ngriheshin stane që krijonin pengesa për vizitorët dhe dëmtonin monumentin, duke strehuar shpesh herë brenda tij edhe bagëtitë, situatë që sipas autoriteteve vendore do të marri zgjidhje, duke mos lejuar asnjë çoban për të ngritur përsëri stane të tilla aty pranë.

Ndërsa rruga për të shkuar deri aty kalon midis lëndinave dhe kërkon investime për rehabilitimin e saj, me qëllim arritjen nga të gjithë vizitorët, që duan të shijojnë edhe peizazhin e Luginës së Drinos.

Punimet restauruese në këtë manastrir janë pjesë e një programi të gjerë restaurimi dhe mirëmbajtjeje që përfshin edhe objekte të tjera me funksion religjioz në Qarkun e Gjirokastrës. Aktualisht po punohet me pastrime të vegjetacionit në Kishën e Labovës së Kryqit, Kishën e Peshkëpisë së Sipërme apo manastiret e Stegopulit, Drianos dhe Jergucatit.

Në Kishën e “Profet Ilias” në “Manastirin e Stegopulit”, monumente ktulture të kategorisë së parë po punohet me pastrimin e bimësisë në ambienteve brenda mureve rrethuese të objekteve, si edhe hapësirave rreth tyre.