Mallra pa faturë nga Maqedonia e Veriut, arrestohet doganieri i Bllatës, një tjetër nën hetim

Operacioni “Skaneri” zbuloi një rast kontrabande nga dogana e Maqedonisë së Veriut, ku u arrestua një 42-vjeçar që transportonte mallra pa faturë. Në këtë skemë u përfshinë edhe punonjës dogane, ku një doganier u arrestua dhe një tjetër po hetohet.

Policia e Dibrës njoftoi të mërkurën finalizimin e operacionit antikontrabandë “Skaneri”, gjatë të cilit u arrestua një 42-vjeçar dhe një doganier në pikën kufitare Bllatë, ndërsa një tjetër doganier u vu nën hetim, pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar për kontrabandimin e mallrave nga Maqedonia e Veriut kundrejt korrupsionit.

“Në kuadër të këtij operacioni u vu në pranga shtetasi A. C., 42 vjeç, banues në fshatin Maqellarë, si dhe u arrestua shtetasi A. L., 51 vjeç, me detyrë doganier në Degën Doganore Bllatë. Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 50 vjeç, doganier në të njëjtën degë”, shkruhej në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

Automjeti tip “Opel”, me të cilin 42-vjeçari dyshohet se transportonte mallrat e kontrabanduara, u ndalua nga policia në territorin e njësisë administrative Maqellarë. Gjatë kontrollit të mjetit, oficerët e hetimit ekonomik sekuestruan kuti me detergjentë dhe materiale për paketim, të cilat po transportoheshin pa fatura blerjeje dhe dokumentacion tatimor, çka ngriti dyshime për kontrabandë.

Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Dibrës dyshojnë se dy punonjësit e pikës doganore kanë abuzuar me detyrën, duke lejuar kalimin e mallrave të kontrabanduara pa kontroll dhe dokumentacion, në bashkëpunim me 42-vjeçarin e arrestuar. Sipas burimeve hetimore, ata dyshohet se kanë favorizuar këtë veprimtari të paligjshme kundrejt përfitimeve të mundshme korruptive.

Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi mallrat e kontrabanduara, automjetin “Opel” me të cilin ato transportoheshin, si dhe shuma parash në valuta të ndryshme, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm. Dosja hetimore i është referuar Prokurorisë së Dibrës, e cila ka nisur procedurat ligjore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Diferencat e çmimeve midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sidomos për karburantet dhe produktet ushqimore, kanë nxitur shumë banorë të Dibrës dhe Bulqizës të furnizohen përtej kufirit, duke e kthyer këtë praktikë në një realitet të përditshëm ekonomik.