Liria e shtypit: Shqipëria përmirësohet në renditje, por thellohen sulmet dhe ndikimi politik

Organizata “Reporterët pa Kufij” publikoi Indeksin e Lirisë së Shtypit sipas të cilit vendi ynë renditet në vendin e 80-të, duke shënuan përmirësim krahasuar me një vit më parë, por sot më 3 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, organziatat vendase renditën një seri sulmesh fizike-verbale ndaj gazetarëve dhe ndikim të politikës.

Televizionet në një aktivitet në Sheshin Skënderbej. Foto: Media Amfora

Shqipëria ka bërë progres të përgjithshëm në klimën mediatike në vend, krahasuar me vitin e kaluar, por megjithatë raporti i organizatës botërore “Reporterët pa Kufij” (RSF) theksoi se liria e shtypit mbetet ende e brishtë. 

Vendi ynë u rendit në vendin e 80-të, duke shënuan një përmirësim prej 19 vendesh krahasuar me një vit më parë, kur ishte në vendin e 99-të nga 180 shtete. Por megjithatë sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, media shqiptare përballet ende me kërcënime serioze nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, nga një kuadër ligjor i papërshtatshëm dhe nga ndërhyrjet me karakter partiak në rregullimin e sektorit mediatik. 

Ndërsa sot më 3 maj, në Ditën Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), e cilësoi këtë përmirësim si një “proges formal” sepse situata në terrenin mediatik vendas është përkeqësuar.

Në deklaratën e saj për mediat AGSH gjatë vitit 2024 u shpreh se ka evidentuar mbi 30 raste të dhunës, intimidimit apo kërcënimeve ndaj punonjësve të medias. Ndërsa lidhur me transmetuesin publik, Radio Televizioni Shqiptar, sipas tyre vijon të mbetet në epiqendrën e krizës së besueshmërisë dhe pavarësisë editoriale.

Vendimi i qeverisë shqiptare për mbylljen e rrjetit social “TikTok” u cilësua nga AGSH si një akt autoritar dhe gjithashtu renditi dulmet ndaj mediave dhe organizatave të gazetarisë në Shqipëri. Ata apeluan për një ndërhyrje ligjore për rritjen e mbrojtjes ndaj gazetarëve dhe përmirësimin e kushteve ndaj gazetarëve.

“Gjuha fyese dhe denigruese: Nga zyrtarë të nivelit të lartë si  Belinda Balluku, Ervin Hoxha, Mirela Kumbaro, Anila Denaj, Rakip Suli, Pandeli Majko, Sali Berisha dhe Flamur Noka, ndaj gazetarëve”, ishin kosntatime e AGSH-së.

Ndërsa Raporti i Organizatës Botërore “Reporterët pa Kufij” (RSF) vendosi theksin tek dhuna me të cilën përballen ende gazetarët në vendin tonë. 

“Gazetarët që raportojnë mbi protesta apo operacione policore shpesh përballen me dhunë nga autoritetet”, thuhet në raport, ku theksohet se krimi i organizuar përbën një nga kërcënimet më serioze për sigurinë e gazetarëve në vend. 

Po kështu, theksi vihet edhe tek mungesa e ndërshkrimeve për sulmet ndaj gazetarëve. 

“Edhe pse ka pasur disa hapa pozitivë nga policia për të hetuar sulmet ndaj gazetarëve, mungesa e ndëshkimeve dhe përpjekjet për t’i delegjitimuar mediat nga ana politike, kanë krijuar një klimë që favorizon sulmet e mëtejshme”, citon raporti. 

Pavarësisht se Kushtetuta dhe angazhimet ndërkombëtare garantojnë lirinë e shprehjes, raporti evidentoi mangësitë në mbrojtjen e burimeve konfidenciale të gazetarëve dhe theksoi rrezikun e lartë për ata që hetojnë krimin dhe korrupsionin.

Ndryshe nga Shqipëria, nga ana tjetër Kosova sipas raportit ka shënuar rënie në indeks, duke britur në vendin e 99-të, nga vendi i 75-të që ishte në vitin e kaluar dhe nga i 56-ti në vitin 2023. Për Kosovën kjo është rënia më e madhe në 15 vitet e fundit, duke shënuar regres në lirinë e shtypit.