Problemi përsëritet: Rrëshqitjet dëmtojnë linjën e ujit në Durrës

Një defekt në linjën kryesore të furnizimit me ujë, i shkaktuar nga rrëshqitja e dheut, la pa ujë disa lagje të Durrësit të premten. Problemi u riparua rreth orës 04:00, ndërsa furnizimi pritet të rikthehet gradualisht pasi të mbushen depot.

Në Durrës, të premten, një defekt i rëndë në tubacionin DN 700 mm, që vjen nga Stacioni i Pompave në Fushë Milot, la disa lagje pa ujë për orë të tëra, si pasojë e rrëshqitjes së dherave. 

“Do të ketë mungesë të pjesshme të furnizimit në lagjet 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11, ndërsa probleme më të ndjeshme priten në lagjen 15” , njoftoi UKD. 

Banorët u përballën me mungesën e ujit gjatë gjithë natës, ndërsa ekipet punuan në terren. “Ekipet tona ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për rikthimin sa më të shpejtë”, shtoi UKD. 

Situata të tilla nuk janë të rralla në Durrës, ku ndërprerjet e ujit janë kthyer në përditshmëri, dhe depozitat e ujit në pallate tregojnë sa e thellë është kjo sfidë, pavarësisht premtimeve për zgjidhje përfundimtare. 

Defekti u riparua në orët e para të mëngjesit, “ekipet përfunduan ndërhyrjen rreth orës 04:00, sapo të mbushen depot me ujë nis furnizimi”, konfirmoi për Median Amfora UKD. 

Vera e kaluar tregoi se i gjithë vendi u përball me sfida të rënda të furnizimit me ujë, duke u kthyer në një shqetësim të madh për qytetarët dhe operatorët turistik.