Largimi nga puna i gazetarit Ilir Babaramo, organizatat e medias kërkojnë transparencë
Largimi i gazetarit Ilir Babaramo nga puna ka nxitur reagime për presion ndaj qëndrimeve kritike, ndërsa pretendohet shkelje e etikës profesionale. Organizatat e medias kërkojnë transparencë dhe verifikim të plotë të rrethanave të rastit.
Gazetari Ilir Babaramo. Foto: “SafeJournalists Network”.
Gazetari Ilir Babaramo, i cili prej vitesh drejton emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, është larguar nga puna pas një transmetimi të drejtpërdrejtë më 22 mars, zhvillim që u pasua me reagime nga organizatat e medias në fillim të kësaj jave.
“Në raste të tilla, është thelbësore që çdo vendimmarrje të mbështetet në procedura të rregullta, në përputhje me Kodin e Punës, standardet etike dhe parimet e një mjedisi të drejtë pune”, shkruhet në reagimin e “SafeJournalists Network”.
Rrjeti theksoi se rasti duhet trajtuar me kujdes dhe mbi bazën e fakteve, duke shmangur përshkallëzimin e debatit publik dhe politizimin e çështjes.
Në të njëjtën linjë, edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar, duke vënë theksin te standardet profesionale dhe nevoja për transparencë në raste të tilla.
“AGSH nënvizon se pluralizmi i mendimit, pavarësia editoriale dhe respektimi i dinjitetit profesional të gazetarëve janë vlera themelore që duhet të mbrohen në çdo redaksi”, shkruhet në reagimin e saj.
Sipas deklarimeve publike, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë më 22 mars, Ilir Babaramo akuzoi një kolege se merrte udhëzime politike përmes kufjes. Report Tv e cilësoi këtë si shkelje të rëndë të etikës profesionale dhe si cenim të marrëdhënies së mirëbesimit brenda redaksisë, duke theksuar se vendimi për largimin nga puna nuk lidhet me qëndrime politike, por me standardet profesionale dhe përgjegjësitë në redaksi.
Rasti ka nxitur debat më të gjerë mbi kufirin mes lirisë editoriale dhe standardeve profesionale në media, si dhe mbi mënyrën se si trajtohen konfliktet brenda redaksive.
“Ndërkohë që shqetësimet për presionet e pronësisë mbi pavarësinë editoriale janë legjitime dhe të dokumentuara, përdorimi i një gjuhe të ashpër rrezikon të ngatërrojë çështjet reale të lirisë së medias,” citohet më tej në reagimin e “SafeJournalists Network”.
Në vijim të këtyre shqetësimeve, edhe AGSH thekson rëndësinë e respektimit të standardeve dhe procedurave në raste të tilla.
“Çdo masë disiplinore apo ndërprerje e marrëdhënies së punës duhet të jetë proporcionale, e arsyetuar dhe e dokumentuar,” thekson më tej AGSH.
Nga ana tjetër, Ilir Babaramo ka deklaruar se largimi i tij lidhet me qëndrimet kritike ndaj qeverisë. Rasti është shoqëruar edhe me reagime politike, ku përfaqësues të opozitës, përfshirë Sali Berisha dhe Flamur Noka, e kanë paraqitur shkarkimin si tregues të presioneve ndaj gazetarëve kritikë.
Në mungesë të një verifikimi të pavarur të pretendimeve të palëve, rasti mbetet i hapur, ndërsa organizatat e medias kërkojnë transparencë dhe respektim të standardeve profesionale.
Ilir Babaramo është gazetar me përvojë në median televizive, ka drejtuar departamente të rëndësishme lajmesh në disa televizione informative në vend dhe emisione politike, ndërsa prej 10 vitesh moderon “5 Pyetjet nga Babaramo”.