Lamtumirë i dashur arkeolog!
Me bindje të thellë shprehem se nga sot qyteti do të jetë më pak qytet dhe më shumë provincë, Durrësi do të jetë më pak Durrës dhe arkeologjia më pak arkeologji!
Të humbësh përgjithmonë një intelektual të kalibrit të rëndë si profesor doktor Fatos Tartari, është si të humbësh një bibliotekë të rritur me durim prej shumë vitesh. Ne sapo humbëm një kapital njerëzor të pakthyeshëm. Do të duhet shumë kohë që Durrësi të krijojë një mentor të tillë, e deri atëherë zbrazëtia do të jetë e ndjeshme.
Do ta kujtoj gjithmonë me simpati dhe mirënjohje profesor Fatosin, për admirimin deri në fanatizëm të Durrësit tonë, të qytetarisë dhe të trashëgimisë kulturore.
Do të ngelet thellë në kujtesën time si një njeri energjik, tepër mendjekthjellët e gjithmonë i frymëzuar për të rrëfyer gjithçka dinte për Durrësin antik. Ai ishte përherë aktiv dhe i përditësuar me çdo zhvillim arkeologjik në qytet.
Rrallë kam parë një njeri të tillë që përlotej kur i tregoja fotografi të objekteve të shkëlqyeshme arkeologjike të thyera nga varfëria mendore e ndërtuesve të “Velierës”, e shprehej se më mirë mos t’i kishte parë.
Sa herë e takoja më shprehte revoltën e tij për mjedisin agresiv ndaj trashëgimisë kulturore dhe shpesh thoshte se, “Durrësi ka marë fund” dhe po, vërtetë ashtu po duket.
Profesor Fatosi kishte një elokuencë dhe siguri të admirueshme, por nga ana tjetër ishte i veshur me një modesti tipike prej qytetari. Ai nuk rreshti së foluri për ikonën e arkeologjisë durrsake, Vangjel Toçin, të cilin e admironte për arritjet profesionale, duke mos u ndjerë aspak i konkurruar, por duke i dhënë atë që meritonte. E kam parë vërtet të lumtur ditën që rrugicës pranë Amfiteatrit Romak të Durrësit iu vu emri “Vangjel Toçi”.
Profesorin sa herë që e takoja e shikoja me një libër të ri në duar edhe pse ishte në moshë të madhe. Do të doja sinqerisht që një figurë e tillë intelektuale si profesor Fatosi të ishte një busull dhe model për brezat e rinj.
Sot që e humbëm po kuptojmë vërtet se çfarë kemi patur mes nesh. Do të kisha dashur të kisha kaluar më shumë kohë me të.
Vërtet do të na mungosh profesor Fatos Tartari!