Kur uji menaxhohej: Mësimet e harruara të Durrësit

Javën e kaluar, uji mbërriti në Durrës jo si shi, por si ndëshkim. Rrugët u zhdukën nën baltë, shtëpitë u dëmtuan përtej riparimit nga uji dhe familjet protestuan pasi patën dëmtime në pronat e tyre. Në mes të kaosit, një jetë humbi tragjikisht në mes të përmbytjes.

Për të kuptuar rrënjët e menaxhimit të ujit në Durrës, duhet të kthehemi në antikitet. Pranë ish-Shkollës Industriale ruhen ende gjurmë të një ujësjellësi antik, që shtrihet deri te fshati Rromanat, në zonën e njohur si “Përroi i Gjokës”.

I ndërtuar gjatë sundimit të perandorit romak Adrian (117–138 pas Krishtit), ujësjellësi ishte pjesë e një vizioni më të madh urban, së bashku me Amfiteatrin, Bibliotekën dhe Hipodromin.

Ai ishte rreth 15 kilometra i gjatë dhe sillte ujë nga lumi Erzen përmes një sistemi të avancuar tubash prej plumbi, të prodhuar në punishtet e Dyrrahut antik.

Disa prej këtyre tubave ruhen sot në Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe mbajnë ende emrat e qytetit dhe të prodhuesve-dëshmi se dikur menaxhimi i ujit kërkonte planifikim, mjeshtëri dhe përgjegjësi.

Pas rënies së infrastrukturës romake, qyteti u mbështet te puset në oborret e shtëpive. Puset u bënë burimi kryesor i ujit, përfshirë edhe Pusin e Tophanës, rreth 300 metra nga qendra e qytetit, që për shekuj furnizoi lagjet qendrore.

Një kartolinë e vitit 1916 tregon pusin pas riparimit të fundit nga autoritetet austro-hungareze- tregues se edhe në kohë të vështira, infrastruktura e ujit ruhej dhe mirëmbahesh.

Gjatë periudhës osmane, Durrësi u mbështet në hamame dhe rrjete më të vogla furnizimi me ujë. Megjithëse funksionale, këto sisteme dobësuan me kalimin e kohës, dhe rëndësia e menaxhimit afatgjatë të ujit u zbeh. Qyteti mbijetoi- deri sa erdhi neglizhenca moderne.

Durrësi ka qenë gjithmonë i ndërtuar mbi terren të brishtë. Zona të gjera historikisht kanë qenë kënete, që kërkonin sisteme kullimi dhe rregulla të rrepta ndërtimi. Planet urbanistike italiane, e më pas ato socialiste, e njihnin këtë realitet, duke ruajtur kanalet e kullimit dhe kufizuar ndërtimin në zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Pas rënies së komunizmit, këto plane u shpërfillën.

Urbanizimi i pakontrolluar shtrihej mbi ish-kënetat, kanalet u bllokuan ose u mbuluan, dhe ndërtimet avancuan pa kritere. Uji, i privuar nga rrugët e tij natyrore, thjesht u kthye për t’i rimarrë ato.

Përmbytjet e Durrësit nuk janë thjesht fatkeqësi natyrore. Janë pasojë e harrimit të dijes së shekujve. Dy mijë vjet më parë, ky qytet e kishte nën kontroll ujin.

Sot, ai mbytet nga mungesa e planifikimit. Durrësi nuk ka nevojë të bëhet Venecia. Ka nevojë të kujtojë se çfarë ka qenë dikur.