Kullat e vrojtimit pa roje bregdetare në Durrës, autoritetet nisin aksionet
Siguria në plazhe është problematika që po shoqëron sezonin turistik veror në Durrës. Task Forca Ndërinstitucionale gjatë një aksioni gjeti mungesë të rojeve brgedetare në kullat e vrojtimit, ndërsa që në nisje të sezonit janë shënuar humbje jetë dhe të lënduar.

Gjatë aksionit në plazhin e madh në Durrës. Foto; Media Amfora
Task Forca Ndërinstitucionale, me përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme në nivel qëndror dhe vendor zhvilloi të mërkurën një aksion në bregdetin e Durrësit. I përbërë nga përfaqësues të Policisë së Shtetit, Kufitare dhe Bashkiake, Bashkisë Durrës, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit e Kapitenerisë, aksioni kontrolli të gjitha subjekteve private që ofrojnë shërbim për pushuesit në plazhin e madh.
Një nga shkeljet e gjetura nga aksioni që nisi në afërsi të Urës së Dajlanit dhe që do të përfundoi në ditët në vijim në zonën e Plepave, ishte mungesa e rojeve bregetare në kullat e vrojtimit.
Ndonëse në përfundim të ditës së parë të aksionit nuk u dhanë shifra, shumë prej rojeve të plazhit nuk u gjendën pranë kullave të vrojtimit.
“Ky është një element tepër i ndjeshëm. Me të drejtë ju pyesni përsa i përket kullave të vrojtimit dhe vrojtuesve të plazhit, që janë një hallkë qendrore përsa i përket sigurisë në plazhe. Janë të certifikuar 190 roje bregdetare, sikundër edhe kullat e vrojtimit.”, u shpreh për mediat koordinatori i Task-Forcës, Oltsen Gripshi.
Gripshi tha se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit.
“Patjetër që do të kemi kontrolle gjatë gjithë sezonit turistik, që do të thotë deri më 15–20 shtator”, tha koordinatori i task-forcës.
Edhe vendbazimet e mjeteve lundruese që përdoren për sportet ujore, do të jenë në fokusin e punës së Task Forcës.
“Përsa i përket numrit të vendbazimeve të miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak, këtë vit janë 10 vendbazime; janë 2 vendbazime të reja: një në Gjirin e Lalzit dhe një në Currila.”, tha Gripshi.
Dy aksidentet tragjike janë regjistruara në plazhet e Durrësit, ku një turist i huaj humbi jetën dhe 2 të tjerë u plagosën rëndë, ndërsa bënin manovra në det me jet ski.