Kroacia bllokoi perime shqiptare me pesticide, pranga eksportuesit dhe dy inspektorëve të AKU në Berat

Në Berat u arrestuan pronari i një kompanie eksporti fruta-perimesh dhe dy inspektorë të AKU-së, pasi Kroacia bllokoi 8 ton domate me pesticidin e ndaluar ‘Chlorfenapyr’. Në magazinën e subjektit u sekuestruan edhe perime të tjera të dyshuara si të kontaminuara.

Tre persona, mes të cilëve pronari i një pike grumbullimi dhe dy inpektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) janë arrestuar paraditen e së mërkurës me kërkesë të Prokurorisë së Beratit, pasi Kroacia bllokoi rreth 8 ton domate me pesticide të ekspozuara nga Shqipëria. 

“U arrestua Mariglen Qorri, 40 vjeç, banues në Kuçovë, administrator i subjektit të grumbullimit dhe eksportimit të perimeve  “Era-Fruit”,  pasi kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt shtetit Kroat, 8 ton domate, të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit “Chlorefenapyr”, dhe ishin asgjësuar nga autoritetet kroate”, tha Policia e Beratit në një njoftim për shtyp. 

Sipas Prokurorisë së Beratit pronari ka përdorur një faturë fiktive të lëshuar në emër të një fermeri, e cila më pas është përdorur për procedurat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të përpiluar nga AKU me qëllim shmangien e përgjegjësisë për produktin që ka prodhuar dhe më pas tregtuar.

Sëbashku me pronarin e subjektit në pranga kanë rënë dhe dy inspektorë të AKU-së, të cilët pas marrjes së njoftimit për bllokimin e sasisë së domateve, kryen më 29 gusht një inspektim në mjediset e “Era-Fruit”, ku kanë marrë si të mirëqenë faturën fiktive të lëshuar nga pronari, duke ndryshuar faktet mbi origjinën e produktit dhe duke penguar hetimet.

“U arrestuan Ronaldo Lika, 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Griselda Doksani, 25 vjeçe, banuese në Berat, pasi kanë kryer kontrolle në subjekt dhe praktikat e mbajtura kanë rezultuar të plotësuara në mënyrë fiktive, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë dhe bllokimin e tyre, si dhe kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve nga pronari Qorri duke tjetërsuar në këtë mënyrë faktet në lidhje me produktet e konstatuara me nivele të larta preparati”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.

Pronari i subjektit është vënë nën akuzë për veprat penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’. Ndërsa ndaj dy inspektorëve rëndon akuza e “Shpërdorimit të detyrës”. 

 Sipas hetimeve të prokurorisë nga analizat e kryera nga autoritet doganore Kroate ka rezultuar se sasia prej 8 ton domate ka pasur nivel të perparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë.

Nga kontrolli i ushtruar në magazinën e pikës së grumbullimit u sekustruan perime të ndryshme dhe u morën mostra për analiza, pasi dyshohet se mund të jenë me përbërje të lartë preparatesh.