Kreu i SPAK raportoi se 43 procedime për krime zgjedhore janë ende në hetim

Në një tryezë ku u diskutua për integritetin e zgjedhjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani dhe kryekomisioneri Ilirian Celibashi ndanë të dhënat për hetimet dhe problemet që shoqëruan proçesin zgjedhor të 11 majit në vendin tonë.

Altin Dumani, Kreu i Prokurorisë së Posaçme tha të enjten se hetimi i krimeve zgjedhore ka prevaluar mbi çdo vepër penale në periudhën para dhe gjatë zgjedhjeve në vend.Altin Dumani dhe kryekomisioneri Ilirian Celibashi ishin së bashku në tryezën me titull “Përtej monitorimit: Drejt një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”.  Gjatë fjalës së tij në këtë tryezë tha se çdo denoncim që ka shkuar në adresë të institucionit që ai drejton është marrë me seriozitet, ndërsa shtoi  se janë kryer të gjitha veprimet hetimore për të verifikuar çdo rast.

“Janë administruar 192 materiale që lidhen me dyshime për krime zgjedhore, nga këto 43 materiale kallëzuese janë regjistruar si procedime penale, pra janë në fazë hetimi,” tha Dumani.

Dumani tha se për 43 materiale është vendosur mosfillimi i hetimit për mungesë provash, 22 materiale i janë dërguar Policisë së Shtetit për verifikim dhe 17 janë bashkuar me çështje të tjera.  

Ai sqaroi se nëntë procedime janë nisur kryesisht nga organi i akuzës, 22 si pasojë e referimeve nga Policia e Shtetit, 3 referime nga prokuroritë e rretheve dhe vetëm 4 si pasojë e kallëzimeve nga subjektet politike.

Sa i takon veprave penale për të cilat janë regjistruar këto procedime sipas Dumanit mbizotëron “korrupsioni aktiv në zgjedhje” me 35 raste, 4 çështje po hetohen për “korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje”, 1 vepër penale për përdorimin e funksioneve publike për qëllime politike dhe 1 procedirm për kanosje dhe dhunim të zgjedhësve.

Dumani i adresoi kritika partive politike, për të cilat tha se “kemi vënë re që denoncimet e tyre kanë qenë të paplota”.

Edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, i cili u ndal tek gjetjet paraprake të misioneve vëzhguese ndërkombëtare, pohoi se “asetet shtetërore u përdorën duke i dhënë partisë në pushtet një avantazh politik”.

Celibashi theksin e vendosi edhe te transparenca e financimit të partive politike, ku pohoi se “asnjë kandidat nuk ka bërë publike kuotat e financimit gjatë fushatës”.

Nga ana e tij ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nick Abbott , ishte i mendimit se “nevojiten ndryshime në ligjin për financimin e partive, që qytetarët të mësojnë se si financohen partitë dhe fushatat e tyre”.

Ndërsa pritet konstituimi i Parlamentit të ri, Abbott theksoi se “në 4 vitet e ardhshme Parlamenti do ketë disa sfida të rëndësishme”, ku theksin e vendosi te një reformë e efektshme zgjedhore.