Kremtohet nata e bekuar e Kadrit, që për myslimanët cakton fatet

26 marsi i këtij viti shënon një nga ditët më të rëndësishme për besimtarët myslimanë që po kryejnë ritualin e agjërimit përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. “Nata e Kadrit” është pritur me shumë lutje në xhami dhe me agjërim nga besimtarët.

Foto ilustruese nga falja e një Fitër Bajrami. Foto: Media Amfora

Një ndër netët më të shenjta në kalendarin islam është “Nata kur Kur’ani zbriti në tokë” sipas librit të shenjtë të myslimanëve dhe që njihet si Nata e Kadrit.  

Pranë Xhamisë së Madhe në Durrës, por edhe në të gjitha xhamitë e qytetit, sot janë kryer lutje dhe falje për këtë natë të madhe, ndërkohë që argjërimit sot i janë bashkuar edhe qytetarë që zgjedhin pikërishtë këtë natë, ndonëse nuk argjërojnë gjatë gjithë muajit. 

Ervin Qylafku, Imam i Xhamisë së Madhe në qytet, foli sot për rëndësinë e kësaj dite të madhe.     

“Jemi në Natën e Kadrit, natë e cila na tregon për fillimin e rrugëtimit të besimit Islam, kanë zbritur ëngjëjt, ka filluar zbritja e Kuranit, është prezantimi i parë që Pejgamberi [Profeti Muhamed a.s.] ka pasur me botën e përtejme, me botën jashtë shqisave”, tregoi Qylafku.  

Ajo ndodh vetëm përgjatë muajit të Ramazanit, në një ditë të vetme, nga perëndimi i diellit deri në agim. Sipas islamit agjërimi në datën e Natës së Kadrit vlen sa 1 mijë muaj ose afro 84 vite, ku shpërblimi është më i madh se kurdoherë. “Kadr” në arabisht, fjalë për fjalë përkthehet në “fat” ose “dekret”. Mendohet se myslimanët mund të ndryshojnë fatin e tyre dhe atë që është shkruar për ta nga Zoti përmes lutjes.  

Besimtarët janë të angazhuar gjatë gjithë muajit të Ramazanit, por pikërisht në këtë natë adhurimi shtohet edhe më shumë sepse ai tregon ngjarjet që kanë ndodhur përpara 140 vitesh.  Sipas imamit jeta me shumë vështirësi ka bërë që të ndihet e nevojshme një mbështetje hyjnore, të cilin qytetarët e gjejnë pikërisht në këtë muaj dhe sidomos në Natën e Kadrit. Ai uroi që të gjithë besimtarët që Zoti t’ja pranojë lutjet, argjërimin dhe veprat e mira në këtë natë dhe në të gjithë netët e tjera.