Koncerti klasik “Mesdheu në muzikë”, mbushi me tinguj Amfiteatrin e Durrësit

Orkestra rinore italiane  “Magna Grecia” i dha jetë artistike Amfiteatrit të Durrësit me muzikë klasike të disa prej kompozitorëve më të famshëm italianë duke krijuar një atmosferë magjike. Koncerti  “Mesdheu në muzikë” ishte një homazh ndaj traditës muzikore mesdhetare.

Gjatë koncertit ''Mesdheu në Muzikë'. Foto: Media Amfora

Pjesë nga kompozitorët e famshëm italianë si Rossini, Puccini, Donizzeti, Ennio Moricone dhe të tjerë, u interpretuan nga instrumentistët e rinj të orkestrës “Magna Grecia”, për publikun mbrëmjen e së hënës.  

Për më shumë se një orë pjesëmarrësit u mbajtën  të ‘mbërthyer” nga emocionet e muzikës së një niveli të lartë artistik instrumental.  Drejtori i orkestër rinore nga Taranto në Itali Piero Romano u shpreh se publiku kishte mundësi  të dëgjonte  tingujt e muzikës instrumentale në formën e tyre natyrale dhe interpretimi në amfiteatër i jep edhe më shumë vlera koncertit

“Amfiteatrot u ndërtuan për të mirëpritur evente të mëdha. Edhe pse amfieatri juaj nuk është i plotë, nga ana teknike nuk do të kemi probleme. Do të përdorim vetëm pak foni. Spektatorët do të dëgjojnë tingujt e instrumenteve në formën e tyre natyrale”, tha Piero Romano, drejtuesi i orkestrës.

Grupi rinor “Magna Grecia” vlerësohetnjë ekselencë autentike kulturore italiane me muzikantë të rinj të talentuar, repertori i të cilëve shtrihet nga ai klasik në atë bashkëkohor. Muzikantët e rinj vlerësohen për ndjeshmërinë e tyre të thellë muzikore dhe kanë mahnitur publikun me një shfaqje të paharrueshme.  

Drejtori i i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera, vlerësoi lidhjen që ekziston mes Tarantos nga vjen grupi dhe Durrësit si dy qytete antike që kanë shumë të përbashkëta mes tyre

“Kemi orkestrën e të rinjve “Magna Grecia”,  që vjen nga Taranto. Taranto është një qytet arkeologjik i rëndësishëm dhe në këtë mënyrë krijohet një lidhje e ngushtë me Durrësin, qytetin antik të Shqipërisë”, tha drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera.
Ky koncert shënoi edhe hapjen zyrtare të sezonit artistik veror në qytetin bregdetar, që këtë vit pritet të jetë i mbushur me aktivitete të shumë kulturore në sheshin  “Liria”, por edhe në arenën historike të amfiteatrit.