Komuniteti shkodran kundërshton ngjyrën e re të “Kinema Millennium”, bashkia nuk bën hapa pas

Ndërtesa ikonike në qytetin e Shkodrës e njohur pas viteve’ 90 si “Kinema Millennium”, ju nënshtrua një rikonstruksioni që e transformoi ngjyrën e saj. Media Amfora pyeti komunitetin shkodran, i cili e ka kundërshtuar gjerësisht ngjyrën e re, por Bashkia Shkodër nuk bëri transparencë për ndërhyrjen në monumentin e kulturës.

Në Bulevardin Skënderbeu në Shkodër, ish-“Kinema Millennium” tërheq më shumë se kurrë vëmendjen e kalimtarëve, pasi bashkia e qytetit e bojatisi ndryshe nga çfarë kishin parë historikisht shkodranët në fasadën e ndërtesës ikonike.

Ndër dekada në kinemanë e ndërtuar në vitin 1956 dominonin ngjyrat kafe, gri dhe e bardha, si një kombinim i stilit klasik të vetë ndërtesës, që u projektua nga arkitekti Besim Daja. Bashkia Shkodër vendosi rikonstruksionin e saj në fund të vitit 2023, duke i dhënë një pamje e cila ka ngritur në këmbë komunitetin shkodran, që kërkon rikthimin e ndërtesës në identitet, që njihet historikisht si “Kinema Republika”.

Kritika përqendrohet tek lyerja e të gjithë ndërtesës me një stil uniformë, ku dominon ngjyra gati në rozë pastel, nga e cila nuk kontrastohen më kolonat, kapitelet dhe volumet e tjera dekorative të ndërtesës.

Media Amfora pyeti opinionin publik lidhur me këtë rikonstruksion. Nga 109 persona që u përgjigjën, shumica prej të cilëve banonin në qytet, u shprehën kundër bojës së re të fasadës. Nga pyetësori rezultoi se 72.5% pëlqenin më shumë ngjyrën e vjetër dhe 27.5% pëlqenin më shumë ngjyrën e re. 

Teksa duket se disuktimi ka marrë karakter shijesh artistike dhe ngjyrash, Bashkia Shkodër ka anashkaluar ruajtjen e memories kolektive, duke e transformuar pamjen e ndërtesës 68 vjeçare. Bashkia u përgjigj zyrtarisht në formë opinioni, pa dhënë detaje financiare për ndërhyrjen dhe pa dhënë shpjegime përse ishte zgjedhur kjo ngjyrë.

“Me marrjen në dorëzim të këtij objekti, në kushtet e dëmtimit për arsye të mospërmbushjes së detyrimeve përkatëse, Bashkia Shkodër ka ndërmarë masat praktike të nevojshme, me qëllim përmbushjen e kushteve më të mira për përdorimin dhe gëzimin publik të saj”, u përgjigj bashkia.

Përgjigjet për pyetjen nëse duhet që Bashkia Shkodër ta rishikojë lyerjen

Shumica e të anketuarve që ju përgjigjën pyetësorit dhe ishin banues në Shkodër, treguan se e frekuentonin kinemanë dhe u shprehën në 82% të tyre se Bashkia Shkodër duhet ta rishikojë lyerjen dhe t’i rikthejë ngjyrat origjinale ndërtesës.

Transformimi i monumentit zhgënjeu komunitetin

Përgjatë përiudhës së komunizmit ajo quhej “Kinema Republika” dhe sipas informacioneve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, u ndërtua në periudhën e marrëdhënieve të ngushta të Shqipërisë dhe Bashkimin Sovjetik në atë kohë. 

Ajo përfaqëson një ndërtim me vlera arkitektonike-artistike të fillimit të shekullit XX dhe është ndërtuar me muraturë guri, duke u dekoruar me kapitele dhe kolona. Ndërhyrja e fundit e bashkisë u përqendrua tek lyerja e fasadës, lirimi i sheshit përpara saj dhe punime të tjera.

Nga përgjigjet e audiencës për Median Amfora, përmes pyetësorit të publikuar më herët, ngjyrën e zgjedhur për të lyer ndërtesën 55% e përcaktuan si “shumë të papërshtatshme”, 24% e vlerësuan si “të papërshtatshme”, ndërsa për 10% ishte “normale”, për 7% ishte “shumë e përshtatshme” dhe për 4% ishte “e përshtatshme”. 

“Mendoj se duhet përdorur edhe ngjyra e bardhë për kolonat, që të dhurojë një pamje më klasike”, komentoi një qytetar në pyetësorin e publikuar në seksionin “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar“, në Median Amfora.

Ngjyrat që kishte Ish-Kinema Millennium. Foto: Wikimapia.org

Në komunitetin shkodran dhe në mediat sociale pas ndërhyrjes u përhap një valë diskutimesh për ngjyrën e re të ndërtesës, duke u fokusuar tek transformimi i pamjes së monumentit të kulturës, që vijonte të shërbente si kinema.

Bashkia Shkodër “i mbajti sekret” detajet e projektit, ndryshe nga sa parashikon Ligji për të Drejtën e Informimit, duke mos u përgjigjur për afatet e punimeve, nëse po i zbatonte vetë punimet apo përmes një kompanie dhe as për vlerën e kësaj ndërhyrje.

“Ky është një proces i vazhdueshëm, për të cilin Bashkia Shkodër po ndërmerr hapat e nevojshëm sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, me qëllim rikthimin në identitet të këtij objekti, të cilat do të bëhen publike me finalizimin e tyre”, u përgjigj Bashkia Shkodër për Median Amfora.

Bashkia nuk shtoi informacione nëse kishte zhvilluar një dëgjesë publike për këtë investim dhe nëse kishte marrë lejet e nevojshme sipas legjislacionit për monumentet e kulturës. “Kinema Republika në Shkodër” është Monument Kulture i Kategorisë së Dytë që prej 26 dhjetorit 2006.

“Kinema Republika” pas lyerjes. Foto: Media Amfora

Gjatë komunizmit ajo quhej “Kinema Republika”, por pas rikonstruksionit total nga një subjekt privat në vitin 2001, ajo u mor në përdorim prej tij dhe e ndryshoi emrin në “Kinema Millennium”.

“Kinema ‘Republika’ në Shkodër që në vitin 2000 është poseduar nga shoqëria ‘I.D.A’ sh.a, bazuar në kontratën e qirasë të lidhur mes kësaj shoqërie dhe Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit”, shpjegoi Bashkia Shkodër në përgjigjen zyrtare për Median Amfora. 

Nga 109 persona që u përgjigjën, për 85% prej tyre ngjyra e re nuk është në harmoni me zonën. 

Përgjigjet për pyetjen “A është ngjyra e re në harmoni me zonën?”

“Duhet të zgjedhin ngjyra në harmoni me zonën dhe objektin. Duhen ngjyra që vendosin në dukje punimet e imta që ka vetë objekti”, komentoi një prej qytetarëve që ju përgjigj pyetësorit të Medias Amfora.

Megjithatë Bashkia Shkodër nuk shpehu zyrtarisht asnjë reflektim për ndërhyrje që do të përmirësonin pamjen e objektit, hapësirat e të cilit i liroi midis debateve gjatë kohës që administrohej nga subjekti privat.