Kodi i ri Penal, 31 organizata mediatike firmosin kundër 

Në një deklaratë të nënshkruar nga 31 organizata mediatike në Shqipëri, rajon dhe nga “Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt”, u shpreh shqetësimi për ndryshimet e propozuara në Kodin e ri Penal dhe sipas tyre ndryshimet paraqesin kërcënime të drejtpërdrejta për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve.

Reporter duke mbajtur shënime në terren. Foto ilustruese: Media Amfora

Gjashtë organizata nga “Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt” në Kosovë, Maqedoni, Kroaci dhe Serbi, 4 partnerë të “Nismës për Reagim të Shpejtë për Lirinë e Medias”, si edhe 21 organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, të “Rrjetit për Raportimin e Diversitetit” (Reporting Diversity Netëork), kanë firmosur një deklaratë të përbashkët mbi shqetësimet për ndryshimet e propozuara.

“Ne, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, partnerë të Nismës për Reagim të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me ndryshimet e propozuara për Kodin Penal”, shkruhet në deklaratën e shpërndarë për mediat – të firmosur edhe nga Qendra Amfora.  

Disa dispozita të draftit të publikuar nga Ministri i Drejtësisë, konkretisht nenet 865 (Shpifja), 863 (Fyerja) dhe 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës), u cilësuan se paraqesin kërcënime të drejtpërdrejta për lirinë. 

Rrjeti ka bërë me dije se vazhdon të monitorojmë nga afër zhvillimet dhe të përgatisi një vlerësim të detajuar ligjor, bazuar në analizën fillestare të draftit të Kodit Penal të publikuar. 

Neni 863 (“Fyerja”) sipas organizatave është i paqartë dhe i formuluar në mënyrë tepër subjektive, duke përfshirë terma si “shqetësim për opinionin publik” apo “zakonet e mira”, pa dhënë përkufizime konkrete.

“Masa e propozuar e dënimit me burgim deri në dy muaj për fyerjen e rëndë është joproporcionale dhe bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që kërkon trajtimin e fyerjes vetëm përmes masave proporcionale civile, pa burgim dhe pa rrezikuar gazetarinë kritike apo satirike”, shpjegoi deklarata.

Sipas tyre veçanërisht shqetësues është Neni 536 (“Ndikimi në pavarësinë e gjykatës”), i cili ndalon në mënyrë të gjerë bërjen apo publikimin e komenteve mbi proceset gjyqësore, duke qenë kështu një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në rolin legjitim të medias, akademikëve dhe shoqërisë civile për të mbikëqyrur dhe komentuar zhvillimet në drejtësi.

“Ky nen është formuluar qëllimisht në mënyrë të paqartë dhe mund të përdoret për të penalizuar arbitrarisht çdo koment apo raportim kritik, duke pamundësuar monitorimin publik të rasteve gjyqësore dhe hetimeve që përfshijnë figura publike dhe zyrtarë shtetërorë”, shpjegohej më tej.

Kryeministri Edi Rama reagoi të premten në lidhje me deklaratën e organizatave duke treguar se drafti i ri nuk është hartuar nga Ministria e Drejtësisë apo Këshilli i Ministrave, por nga një grup i pavarur ekspertësh, të udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipi.

Ndërsa më herët qeveria e bëri publik lajmim më 25 korrik nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, për miratimin e një Kod të ri Penal dhe sipas tij kodi aktual që është në fuqi nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi krijon vështirësi për gjyqësorin, prokurorinë dhe vetë avokatët.

Deklarata u nënshkrua nga organziatat:

Nga “Rrjeti SafeJournalists“:

  1. Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
  2. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
  3. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
  4. Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
  5. Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
  6. Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Nga partnerët e Nismës për Reagim të Shpejtë për Lirinë e Medias (Media Freedom Rapid Response – MFRR):

  1. Observatori Ballkanik Kaukaz Transevropian (OBCT)
  2. Shtypi i Lirë Pa Kufizime (FPU)
  3. Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
  4. Rrjeti për Raportimin e Diversitetit (Reporting Diversity Netëork)

Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri:

  1. Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
  2. Gratë Shqiptare në Audiovizual (AWA – Albanian Women in Audiovisual)
  3. Instituti Shqiptar i Medias (AMI)
  4. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
  5. Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM – Albanian Media Council)
  6. Citizens Channel (CC)
  7. Amfora.al
  8. Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)
  9. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
  10. Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative – Shqipëri (BIRN Albania)
  11. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
  12. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)
  13. Faktoje.al
  14. Qendra Shqiptare MediaLook
  15. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)
  16. Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH)
  17. Mbrojtësit e të Drejtave Civile (Civil Rights Defenders – Albania)
  18. Qëndresa Qytetare (QQ – Civic Resistance)
  19. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH – Albanian Helsinki Committee)
  20. Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (Partners Albania for Change and Development)
  21. Qendra Res Publika.