Kalaja e Ishmit: Rojtarja e horizontit

Prej saj në lindje dallohen malet Krujë-Dajt, me rrjedhën e Lumit Ishëm që udhëheq drejt perëndimit, e prej aty drejt Kepit të Rodonit dhe deri në Patok. Kalaja e Ishmit u ndërtua nga osmanët për të mbrojtur rrugët tregtare dhe sot është një atraksion turistik i të gjithë zonës.

E vendosur mbi një kodrinë në fshatin Ishëm, gati 15 km në perëndim të Krujës dhe 26 km në veri të Durrësit, Kalaja e Ishmit është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë që dominon mbi një peizazh të gjerë të Shqipërisë.

E ndërtuar mes viteve 1572-1574, fortesa ka shërbyer si një bastion strategjik i mbrojtjes osmane, kryesisht për të kontrolluar rrugët dhe për të parandaluar aktivitetet kryengritëse.

Rruga e fshatit Ishëm kalon përbri fortesës. Foto: Media Amfora
Rruga e fshatit Ishëm kalon përbri fortesës. Foto: Media Amfora

“U ndërtua kryesisht për të luftuar kundër fshatarëve e kryengritësve, por ajo i shërbente edhe një qëllimi tjetër, kontrollit të skelës së Ishmit, ku nxirrej kontrbandë drithi dhe bliheshin armë prej venedikasve”, shpjegohet në tabelën informuese të monumentit.

Megjithëse fortesa njihet si mesjetare, duke pasur parasysh pozicionin strategjik të zonës, aty mund të kenë ekzistuar vendbanime ose fortifikime më të hershme, përfshirë periudhën ilire dhe atë romake.

Nga kalaja dallohen malet Krujë-Dajt Foto: Media Amfora
Nga kalaja dallohen malet Krujë-Dajt. Foto: Media Amfora

“E ndërtuar në një terren kodrinor, ku kushtet e tij kanë ndikuar deri diku në formulimin planimetrik të saj, Kalaja e Ishmit ruan tiparet e përbashkëta të ndërtimeve fortifikuese të kësaj periudhe”, shpjegohet më tej në informacionin zyrtar për monumentin.

Perimetri i kalasë dhe banesat brenda saj. Foto: Media Amfora
Perimetri i kalasë dhe banesat brenda saj. Foto: Media Amfora

Kalaja i shërbente vendosjes së trupave ushtarake osmane, për forcimin e administratës në këtë pikë strategjike dhe për kontrollin e territorit. Në këtë periudhë Ishmi përfshihej në Sanxhakun e Ohrit, që ishte një krahinë e mbushur me revolta fshatare dhe trazira për Perandorinë Osmane.

Pamja e Malit të Krujës. Foto: Media Amfora

“Për këtë arsye një feudal i pasur i quajtur Mehmet, i cili ishte edhe vetë nga këto anë, i propozoi Portës së Lartë që të ndërtohej në Ishëm një kala, e cila do të ruante vilajetin nga kryengritësit, me kusht që t’i jepej Sanxhakut sipërmarrja për përmbledhjen e detyrimeve fiskale të shtetit”, shpjegon më tej informacioni zyrtar. 

Pamja nga Laguna e Patokut. Foto: Media Amfora
Pamja nga Laguna e Patokut. Foto: Media Amfora

Kalaja e Ishmit filloi të ndërtohej në verën e vitit 1572 dhe përfundoi së ndërtuari në fillim të vitit 1574. Përpara hyrjes kryesore të kalasë që prej shkurtit të vitit 2006 gjendet varri i piktorit me origjinë nga Ishmi, Ibrahim Kodra, i njohur ndërkombëtarisht për stilin e tij unik që kombinonte elemente të kubizmit me motive shqiptare dhe mesdhetare.  

Varri i piktorit Ibrahim Kodra gjendet pranë hyrjes së kalasë. Foto: Media Amfora

Tërmeti i vitit 2019 nuk kurseu dhe këtë monument të rëndësishëm për Durrësin, duke e dëmtuar atë në pjesë të ndryshme dhe ajo u restaurua përmes programit “Bashkimi Evropian për Kluturës” (#EU4Culture), të financuar nga Bashkimi Evropian.