Kalaja 34 hektarë në Grazhdan, më e madhja e Antikitetit të Vonë 

Krahina e Dibrës është e njohur për traditat, luftërat dhe qëndresën kundër pushtuesit. Një kala 34 hektarë në fshatin Grazhdan dëshmon për fortifikimin më të madh të Antikitetit të Vonë në Shqipëri.

Buzë rrugës që lidh Bulqizën me Peshkopinë, në një arë 11 kilometra nga qyteti gjenden rrënojat e Kalasë së Grazhdanit, një nga fortifikimet më unike për nga sipërfaqja në Shqipëri dhe në Ballkan.

E ndërtuar në një terren që ndërthur kodrinat me fushën, gati  600 metra mbi nivelin e detit, ajo dëshmon për fortifikimet, luftërat dhe përpjekjet për mbijetesë të banorëve dibranë. Jo larg qendrës të Njësisë Administrative Maqellarë, një tabelë prej druri e vendosur disa metra larg kalasë i fton vizitorët në arat e mbjella, që duken gati si peizazhe normale të fshatit. 

Tabelë orientuese që tregon rrugën drejt fshatit ose kalasë. Foto: Media Amfora

Fortifikimi që mendohet se shtrihet në 34 hektarë e bën atë qytetin e dytë më të madh të Periudhës së Antikitetit të Vonë në vendin tonë, pas Durrësit. Kalaja datohet në shekullin IV të Erës Sonë dhe spikat për pozitën gjeo-strategjike në pellgun e Drinit të Zi, veçanërisht për rrugët tregtare-ushtarake, “Via Egnatia dhe Lissus – Naissus”, që lidhnin provincat e Epirit të Ri, Dardanisë dhe Maqedonisë. 

Arkeologu Luan Përzhita, në artikullin studimor, “Gërmimet arkeologjike – Grazhdan 2012’’, është ndalur duke shpjeguar portat e kësaj kalaje, sipas të cilit ajo jugore përbën një ndër pikat kryesore ku u përqendruan gërmimet e atij viti.

“Tereni në të cilën është ndërtuar porta jugore, është një pllajë e rrafshët e cila nuk ka mbrojtje natyrore të sigurt”, shkruan Përzhita në studim. Ai ndalet tek dy kullat në trajtë “U”-je, që fortifikojnë një ambient të jashtëm me përmasa 26 me 25 metra. 

Kulla në trajtë “U”-je. Foto: Media Amfora

“Teknika e ndërtimit të mureve është ajo e konstatuar në tërë fortifikimin, por në një kualitet më të mirë, e cila vërhehet kryesisht në pjesët ballore të kullave të cilat ruajnë dhe gjerësi më të madhe se ato anësore”, shton artikulli.

Studiuesit mendojnë se kalaja është ndërtuar e gjitha njëkohësisht, përfshirë kullat dhe muret fortifikuese. Për nga përmasat ajo mendohet të jetë një ndër fortifikimet më të mëdhaja në Ballkan, megjithëse gjurmët e saj nuk janë zbuluar të gjitha dhe zona vijon të banohet. 

“Qyteti ka pasur tre porta të mbrojtura nga dy kulla anësore secila. Muret janë ndërtuar me gurë lumi dhe llaç gëlqeror”, shpjegon në një artikull, Dr. Mixhait Pollozhani, profesor i “Historisë së Artit”, në Universitetin Shtetëror të Tetovës. 

Kullat në trajtë “U”-je. Foto: Media Amfora

Sipas tij muret rrethuese përforcohen nga 44 kulla në forma të ndryshme, të vendosura në një largësi 40 deri në 80 metra larg njëra-tjetrës. 

Fortifikimi haset në udhëpërshkrimin e bërë nga Johan Georg von Han, të cilin e shpjegon në librin, “Udhëtim nga Danubi në Drin” (1863). Ai ka shënuar se territori ku është ndërtuar kjo kala njihet me emrin “shehër”, duke sugjeruar se aty mund të ketë pasur një “qytet të rëndësishëm dhe të lashtë”, i cili ishte rrënuar me dhunë dhe nuk ishte rindërtuar përsëri në të njëjtin vend. 

Banesat pranë Kalasë së Grazhdanit. Foto: Media Amfora

Ndërsa sipas shënimeve të konsullit rus në Shkodër, I. S. Jastrebov, fortifikimi nuk ka qenë as qytet dhe as kala, por “një koloni e vjetër romake, një ‘municipium’ ose një’ karavansaraj’ (stacion rrugor) në rrugën Egnatia për në veri”.

Kalaja në fshatin me të njëjtin emër është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, por monumenti nuk është zbuluar dhe dokumentuar i gjithi. Sot ai është rrethuar nga banesat dhe tokat e mbjella.  


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109