Ish-të përndjekurit denoncojnë fshirjen e historisë me ndërhyrjet në Burgun e Spaçit
Ish-të përndjekur politikë dhe aktivistë protestuan në Spaç kundër restaurimit që sipas tyre po zhduk gjurmët e krimeve komuniste. Ata e konsiderojnë projektin si punime suvatimi dhe lyerje që deformojnë të vërtetën historike dhe nuk i nderon viktimat.

Aktivistë dhe ish-të përndjekur politikë denoncuan nga “Burgu i Spaçit” ndërhyrjet restauruese, për të cilat pretenduan se po dëmtojnë origjinalitetin dhe kontekstin historik të ndërtesave që i mbijetuan kohës.
Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, një grup aktivistësh dhe ish-të përndjekurish politikë u mblodhën të shtunën në ish-Burgun e Spaçit, në shenjë proteste kundër restaurimit që po kryet nga autoritet e kulturës në vend në kuadër të realizimit të një filmi, që më shumë është paraqitur si një restaurim i mirëfilltë.
Pjesëmarrësit i vlerësuan punimet në ish-Burgun e Spaçit si përpjekje për të “zbukuruar” apo “romantizuar” vuajtjet që janë përjetuar aty, ndërsa kërkuan ndalimin e menjëhershëm të tyre.
Një nga bashkëvuajtësit e këtij burgu, publicisti Fatos Lubonja tha se në Spaç po cenohet kujtesa, ndaj është i rëndësishëm reagimi qytetar.
“Këtu ka shumë gjëra që nuk flasin por t’i i kërkon. Edhe ky guri atje flet më shumë se një gur i ri”, tha Lubonja. Duke kujtuar disa nga ambientet e këtij burgu – si një nga vuajtësit e dënimit – Lubonja tha se dy nga barakat janë zhdukur.
“Dy baraka të gjata, njëra ka qenë menza e cila është zhdukur fare dhe kuzhina që ishte këtu. Ajo që shihni me tarracë, që duan ta restaurojnë që ta bëjnë ashtu siç ka qenë, në ’73-in ajo nuk ka qenë ashtu”, vijoi ai.
Restaurimi që po bëhet në ish-Burgun e Spaçit në një zonë të thellë të Mirditës po realizohet për xhirimin e një filmi dhe një projekti të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore që synon ta kthejë atë në gjendjen e vitit 1973.
Por ish-të përndjekurit treguan në protestë se aty po fshihet historia, duke transformuar ndërtesat që ruajnë kujtimet e së kaluarës.
“Kjo nuk është vetëm një përpjekje për të mbrojtur një monument, është një moment për të lidhur një kontratë të re mes nesh, kundër shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe njohjes të së kaluarës, për ta njohur, dënuar dhe për t’u çliruar përfundimisht prej saj”, u shpreh gjatë reagimit qytetar një prej protestuesve, babai i së cilit ka kaluar shumë vite të jetës së tij i burgosur aty.
Aktivistët akuzuan ministrinë për ndërhyrje që bien ndesh sipas tyre me planin e menaxhimit të miratuar po nga kjo ministri për Spaçin, si një vend kujtese.
Protesta e sotme në mjediset e Spaçit i parapriu një reagimi të madh gjatë ditëve të fundit, ku aktivistët dolën kundër projektit të restaurimit.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit reagoi në një deklaratë publike ditën e premte, duke i cilësuar reagimet si një “tymnajë të panevojshme”.
“Çdo zë që mundohet të përdorë këtë situatë për instrumentalizim politik apo për të nxitur dyshime dhe ndasi, në fakt po bie ndesh me përpjekjen për të dokumentuar një të vërtetë që për dekada u hesht dhe u mohua”, shkruhej në deklaratën e bërë publike.
Projekti i ministrisë për ndërhyrje në Spaç nisi nga një premtim verbal i Kryeministrit Edi Rama për autorët e një projekti filmik që do t’i kushtohet revoltës së Spaçit, një nga ngjarjet më domethënëse të rezistencës gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.