Policia zbulon arsenal armësh në Zall të Fushë-Krujës
Gjatë verifikimeve për ngjarjen e Rinasit, policia zbuloi një arsenal armësh dhe lëndësh shpërthyese në një fshat të Fushë-Krujës. Pronari i banesës është shpallur në kërkim dhe procedurat po vijojnë.
Arsenali i armëve dhe municioneve të zbuluara. Foto: "Screenshot" nga video e Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit bëri të ditur se gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimeve për ngjarjen e 12 nëntorit pranë rrethrrotullimit të Rinasit, është zbuluar një arsenal armësh dhe lëndësh shpërthyese në një banesë në një fshat të Krujës.
“Zbulohet një banesë në fshatin Zall, Fushë-Krujë, ku mbahej arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni”, tha Policia e Shtetit në një njoftim për shtyp të shpërndarë paraditen e 14 nëntorit.
Policia njoftoi se kontrollet dhe veprimet hetimore në kuadër të ngjarjes së dy ditëve më parë ku pranë rrethrrotullimit e Rinasit u vra me armë zjarri një person dhe u plagos një tjetër vijojnë në zonat përreth.
Gjatë kontrolleve në banesën e identifikuar në Fushë-Krujë, policia tha se ka gjetur një sasi të konsiderueshme armësh, municionesh dhe lëndësh shpërthyese.
“Në banesë u gjetën 3 kallëpë tritol, 12 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina), 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë, 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh, 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si edhe 2 kg e 25 gramë cannabis”, shtoi Policia e Shtetit.
Në vijim të veprimeve procedurale, Policia e Shtetit bëri të ditur se pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç, është shpallur në kërkim.
“Po punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotulli i Rinasit”, përfundoi policia.
Ngjarja e ndodhur pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku u qëllua me armë zjarri ndaj automjetit në lëvizje, tronditi opinionin publik për mënyrën e ekzekutimit dhe sigurinë pranë një prej zonave më të mbikëqyrura të vendit.
Pas atentatit, hetimet janë shtrirë në disa zona të Krujës dhe Fushë-Krujës, ku policia ka kryer kontrolle të shumta dhe ka sekuestruar materiale që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.